A po kalon Europa fare pa e kuptuar në një luftë tjetër ballkanike?

Diel, 07 October 2018 08:02

Tensionet po rriten sërish në Bosnjë, atje ku kulturat dhe fuqitë botërore janë përplasur prej shekujsh. Prodhuesi i dorezave, Kerim Svrakic, ishte një nga ata që i mbijetuan luftës që ndau Bosnjën në vitin 1990 dhe që më pas luftuan për paqen.

Teksa ai e kthen kokën pas dhe kujton të gjitha ato që ka kaluar, thotë se do të kishte vepruar shumë më mirë nëse do të ishte larguar nga atdheu i tij. Ashtu si shumë banorë të tjerë që jetojnë në qytete që janë sinonim i konflikteve të shekullit të 20-të, shqetësimi më i madh është se Europa, fare pa e kuptuar, po ecën drejt një lufte tjetër ballkanike.
Kjo nuk do të thotë medoemos luftime, por mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar shqetësime te jeta e shumë banorëve, duke destabilizuar cepin më të paqëndrueshëm të kontinentit. “Ndihem shumë keq që nuk u largova që para fillimit të luftës”, u shpreh z. Svrakic, 68 vjeç, duke qëndruar përpara rafteve të mbushura me kuti të verdha. “Pas zhvillimeve të fundit në vend, nuk ndihem më i sigurt këtu”, thotë ai.
Dëmi i Bosnjës mund të jetë shumë i madh, teksa fuqitë e mëdha po luftojnë me njëra-tjetrën për të pasur ndikim sa më të madh në këtë pikë historike.
Udhëheqësit e Ballkanit, të inkurajuar nga Rusia, Turqia dhe rishikimet e Donald Trump në politikën e jashtme të SHBA-së po kërkojnë të prishin marrëveshjet etnike dhe territoriale, në bazë të të cilave është arritur që të ruhet paqja e dy dekadave të fundit.
Ndërkohë, nuk mund të lënë pa përmendur edhe valën e pozicionimit nacionalist, e cila ka kaluar në anën e ish-bllokut lindor, duke e dobësuar Bashkimin Europian. Problemi i fundit është shkaktuar nga përpjekjet e Serbisë fqinje për të përmirësuar lidhjet e saj me Kosovën, e cila e ka shpallur pavarësinë që në vitin 2008. Arritja e nënshkrimit të një marrëveshje nënkupton edhe rritjen e mundësive për të qenë pjesë e BE-së, gjë të cilën e ka si objektiv të saj edhe Bosnja.
Serbi-Kosovë, debati për territorin dhe frika e efektit domino
Presidenti Aleksandër Vuçiç ka hedhur idenë e shkëmbimit të territoreve, teksa BE-ja përpiqet që të arrijë në bisedime me liderin e Kosovës, Hashim Thaçin. Të dy liderët diskutuan në Bruksel me shefen e BE-së, Federica Mogherini. Ndërsa sipas qeverisë gjermane, korrigjimi i kufijve rrezikon që të hapë kutinë e Pandorës.
Por edhe ideja e korrigjimit të kufijve dhe ndryshimi i vendbanimeve për rreth 100,000 njerëz ka shkaktuar frikën e një efekti domino në Bosnjë, e cila është e ndarë në dy entitete kryesisht midis serbëve boshnjakë në njërën anë dhe myslimanëve dhe kroatëve në anën tjetër. Lideri serbo-boshnjak, Milorad Dodik, dëshiron të shkëpusë rajonin e tij të Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina dhe të prishë marrëveshjen (Marrëveshja e Paqes e Dejtonit) për ndarjen e pushtetit që i mbajti ato të bashkuara që nga viti 1995. Edhe miku i tij prej një kohe të gjatë, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka filluar të flasë për një ndarje të mundshme përpara zhvillimit të zgjedhjeve në Bosnjë më 7 tetor. Ai ka përsëritur thirrjet për pavarësi për njësinë serbe prej 1.2 milionë banorësh, ose rreth një të tretën e popullsisë prej 3.5 milionë banorësh të Bosnjës.
“Në Ballkan nuk mund të arrish të kesh Pavarësi, pa luftë”, shprehet Kryeministri i Federatës boshnjake mes myslimanëve dhe kroatëve, Fadil Novaliç. “Risku për zhvillimin e një lufte të re do të jetë shumë i madh nëse z. Dodik do të këmbëngulë në këtë drejtim”. Ndërsa për z. Novaliç, ideja e nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të rrisë nervozizmin, por jo të çojë në fillimin e një lufte. Megjithatë cilado qoftë ajo, do të ketë pa diskutim ndikim mbi Bosnjën. “Ne kemi qenë në kryqëzimin e konflikteve botërore të 1000 viteve të fundit”, thotë ai. Ndodhi në Sarajevë në vitin 1914, kur një serbo-boshnjak shkaktoi sulmin e Luftës së Parë Botërore duke vrarë Franz Ferdinandin e Perandorisë Austro-Hungareze. Ajo që u njoh si Jugosllavi, u nda pastaj gjatë Luftës së Dytë Botërore midis fuqive të Boshtit të udhëhequr nga nazistët.
Pastaj u bashkua sërish nën diktatorin Josip Broz Tito, dhe thuajse një dekadë pas vdekjes së tij, shpërthyen betejat etnike dhe gjenocidi i viteve 1990, ku vetëm në Bosnjë vdiqën rreth 100,000 njerëz. Kjo e bën Bosnjën një paralajmërim në kohë për pasojat që mund të shkaktojnë në këtë rajon.
Me një ndërthurje kulturash dhe rajonesh, ky qytet është një përzierje kishash, minaresh dhe dyqane që shesin veshje fetare, burka. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Sarajevën gjatë fushatës së tij zgjedhore në maj, duke rritur tensionet në këtë shtet etnikisht të ndarë. Vetëm në qendrën më të re tregtare në qytet dhe në një hotel me 218 dhoma, i njohur si “Sniper Alley” gjatë kohës së luftës, u kushtohet rëndësi vizitorëve myslimanë dhe zakoneve të tyre. Ndërsa kudo tjetër, kafenetë e mbushura me njerëz ku shërbehet dhe konsumohet alkool dhe nargjile, të krijojnë përshtypjen e një vendi në paqe.
Shenjat e plumbave janë të dukshme vetëm në disa ndërtesa. Por kjo është vetëm një fasadë mashtruese, shprehet Aida Ahmagic, një terapiste 33-vjeçare dhe mësuese e jogës, e cila u largua për në SHBA në vitin 2002 dhe u trajtua aty për stres post-traumatik. “Në pamje të parë ju nuk vini re asgjë, thotë ajo, por kjo nuk është situata e vërtetë, është vetëm një mbulim i mirë”.
Të mbetesh pas Europës
Ndjesia e të mbeturit pas në krahasim me pjesën tjetër të Europës, është e pranishme prej vitesh. Prej kohësh jemi lënë në harresë dhe kjo i ka bërë boshnjakët edhe më të prekshëm ndaj ndryshimeve. Ndihma dhe investimet nga BE-ja, Turqia dhe Lindja e Mesme kanë ndikuar në rritjen e ekonomisë dhe në uljen e papunësisë, edhe pse vetëm në 18%. Remitancat nga boshnjakët jashtë vendit përbëjnë më shumë se 8% të ekonomisë, por Guvernatori i Bankës Qendrore, Senad Softic, flet për një pikëpamje pozitive.
Monedha është e lidhur me euron dhe ekonomia është rritur rreth 3% në vit. Megjithatë, Bosnjës do t’i duheshin rreth 60 vjet nga tani për të pasur nivelin mesatar të pagës së BE-së, por gjithmonë nëse rritja vazhdon kështu si tani, shprehet Emanuel Salinas, kreu i Bankës Botërore në Bosnjë. Dhe një faktor tjetër negativ është se numri i banorëve që po largohen nga ky vend po rritet dita-ditës, por këtë herë nuk po largohen vetëm individë po familje të tëra, të cilat po braktisin punët vetëm për të ikur sa më parë nga kjo situatë e pasigurt. Numri i shtetasve që presin në radhë përpara ambasadës gjermane për të marrë një leje pune po shtohet nga ditë në ditë.
Edhe pse nuk ka ende shifra zyrtare, numri është i lartë, shprehet z. Salinas. Ndarja administrative, e vendosur nga Marrëveshja e Dejtonit, është një prej çështjeve më të tensionuara të kohëve të fundit. Kompanitë telefonike, zyrat statistikore dhe mbikëqyrja bankare janë ndarë, edhe pse çdo ndryshim në sistem duhej të miratohej më parë nga të tria grupet etnike. Tani grindjet politike dhe kërcënimet e banorëve të Republikës Srpska janë ato që kanë pushtuar të gjithë shtetin. Z. Softic shprehet se nuk priste që ngjarjet të merrnin këtë rrjedhë, teksa ai mendon për fillimet e vitit 1995.
“Atëherë unë isha i ri, me entuziazëm dhe plotësisht i bindur që ky vend do të ishte zhvilluar shumë më shumë sesa është aktualisht. Ne jemi duke humbur shumë kohë duke u marrë me çështje të parëndësishme. Të rinjtë nuk duan të jetojnë në një vend të pasigurt”, shprehet z. Softic.

Valentin Inzko, zyrtar në Republikën Srpska, beson se njësia serbe nuk do të shkëputet ndonëse një retorikë e tillë po e bën situatën në vend më të tensionuar dhe më helmuese. Një prej zonave kyçe të konfliktit të mundshëm është mbi Srebrenicën, skenë e vrasjes masive të të paktën 8,000 burrave dhe djemve myslimanë gjatë luftës.
Çdo ide për të ndarë Republikën Srpska nga territori tjetër boshnjak duhet të ndalohet, thotë ai. BE-ja ka një sërë mjetesh që mund të përdorë tani, duke përfshirë një ngrirje të aseteve dhe një ndalim udhëtimi kundër Dodik.“Boshnjakët janë shumë të durueshëm, thotë z. Inzko, i cili sipas marrëveshjes së Dejtonit, ka të drejtën për të ndërhyrë dhe madje edhe për të rrëzuar zyrtarët e lartë. Por nëse Srebrenica do të ishte në një vend të huaj, ky do të ishte një ndër shkaktarët kryesorë për fillimin e luftës, prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta shmangë këtë”, shprehet ai.
Ndërkohë, banorë të Sarajevës, si z. Svrakic jetojnë me shpresën se Bosnja do të vazhdojë në rrugën e duhur, edhe pse me ritme të ngadalta, ajo do të vazhdojë të ecë drejt prosperitetit dhe sigurisë, duke i përmbushur të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e BE-së. Z. Svrakic u përpoq që të rindërtonte biznesin, të cilin babai i tij e filloi kur ai ishte vetëm një foshnjë, dhe nga i cili, z. Svrakic siguron në ditët e sotme, vetëm të ardhura të mjaftueshme për të jetuar.
Z. Svrakic thotë se ai është i lumtur që djemtë kanë shumë pak kujtime për luftën. Për të, makthet kanë qenë të shumta, si dita e vitit 1993, kur kushëriri i tij mbeti i vrarë nga bombardimet. Sipas tij, BE-ja është mundësia jonë e vetme për të jetuar si pjesa tjetër e njerëzve në Europë dhe deri më tani ajo nuk është se ka treguan ndonjë interes të madh për Bosnjën, përfundon ai.
Nga: Andrea Dudik dhe Jasmina Kuzmanovic / Bloomberg (Marr nga Monitir)

Modifikuar më Diel, 07 October 2018 08:04
Login to post comments