Nga Ilir Nikolla
Edi Rama po bën përpjekje të pazakonta për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga moria e skandaleve qeveritare, plot krim e korrupsion. Prej disa ditësh ai ka venë në zbatim platformën “Namuzi i Virgjëreshës”, duke shpallur një cunam padish ndaj Lulzim Bashës, Sali Berishës, Ervin Salianjit dhe cilitdo protagonisti të jetës politike të opozitës. Zhurma rreth padive, duke u tentuar të mbrohet “kryeministri i panjollë” synon të arrijë si synim minimal te kapë fashën neutrale të opinionit publik, përmes farmakut propagandistik “hë mo, se s’janë aq të këqinj sa thonë”.
Pjesë e kësaj strategjie është markimi propagandistik i çfarëdo skandali, zullumi apo krimi me matricë shtetërore me nga 2-3 kundërpadi të nivelit më të lartë. Aleat në këtë mësymje propagandistike, Edi Rama ka përfshirjen në afera që për një vend demokratik janë të paimagjinueshme. Sado të denoncohet një bëmë që s’është dëgjuar prej 3 dekadash, shkalla e përfshirjes së qeverisë e bën opinionin skeptik. Si shëmbëlltyrë kujtojmë shembujt e denoncimit të opozitës për kanabizimin masiv të vendit më 2016 si dhe për avionët që përdoreshin masivisht në këtë punë. Në Çajup mendonin se ndoshta në Dibër s’ishte përhapur virusi kanabis dhe opozita e ekzagjeronte, në Dumre mendonin ashtu për Labërinë dhe në Shkodër s’e besonin për Beratin apo Tepelenën. Njësoj denoncimi i avionëve u skualifikua si i paprecedentë. Shoqëria Civile duket se nuk zuri mend nga këto raste. Sot po mbizotëron skepticizmi se ndoshta prokuroria e Arta Markut s’ka guxuar të shkojë aq larg sa të fabrikojë prova, apo më tej, dashnorë ëndërrimtarë të Rilindjes vikasin se Edi Rama s’është aq i marrë sa ta mbrojë deri në fund Taulant Ballën.
Cunami i kundërpadive bën punën tjetër, saqe në mos e besoftë përrallën e Edvinit se paditë i bën për të rritur buxhetin e edukimit, Neutrali zbërdhylet kur vjen momenti qe ai të shpallë prezencën e vet në Frontin e Rezistencës.
Fakti është se qeverimi i Ramës me krimin po synohet të kthehet jo vetëm në avantazh operativ në terren, por edhe në operacion kozmetik për imazhin e kryeministrit. Cunami i padive po synon të krijojë idenë se ndoshta bëmat kanë ndodhur e madje ndonjë polic, Arta Marku dhe po erdhi puna keq, edhe Taulant Balla do të digjet, por “komandanti” s’ka ditur gjë, maksimumi ka qenë sylesh.
Cunami i padive synon të ngrejë një perçe kolektive që të mos shihet mire dorasi hajdut i xhepave tanë dhe aleat në këtë stratagjemë po shërben fakti se realiteti i qeverimit ne krimin dhe i kapjes së prokurorisë është edhe më i keq sesa ai që denoncohet.
Fasha neutrale duhet të rilexojë edhe njëherë historinë e kanabizimit të vendit dhe të mos pranojë ta shohë denoncimin e Emiliano Nuhut siç pa me skepticizëm denoncimin e Dritan Zaganit. Është rasti i dytë dhe përgjegjësitë s’bien më mbi kryeministrin zullumqar, i cili ka rastin të shtjellojë imagjinatën e vet për “grupet armiqësore” që s’ia duan të mirën pushtetit rilindist.