Të gjithë venë buzën në gaz kur shohin Kryeministrin sesi mbllaçit në deklarata paketën anti-shpifje. Në fakt, me atë çka Rama përfaqëson, si konglomerat kompleksesh njerëzore dhe kriminale, e bën shpifjen ndaj tij të prezumohet e vërtetë.
Por, le ti marrim me radhë këto “shpifje” që janë bërë ndaj kryeministrit. I dolën deputetë si Arben Frroku e të tjerë me precedentë penalë, përfunduan në burg. Kryebashkiakë si Rroshi, edhe ai përfundoi pas hekurave. Dhe më emblematikja, shpifjet që u bën ndaj Ministrit të shpallur më të suksesshëm të Rilindjes, Sajmir Tahirit. Cfarë s’tha kryeministri në mbrojtje ndaj tij, s’la akuzator pa e shpallur shpifës madje deklaronte se opozita ndjek taktikën “shpif, shpif se diçka do mbesë”. Por, ku është sot Sajmir Tahiri e ku janë sot Habilajt? Njëri prag-burgu të tjerët në burg.
Po saga e “shpifjeve” ka vazhduar. Opozita “shpifëse” hodhi baltë ndaj Fatmir Xhafës duke e akzuaur se ka mbrojtur të vëllanë trafikant, Agron Xhafa. Çfarë ndodhi pas shpifjes? E ekstraduan menjëherë Agronin e i thanë s’kemi ç’të bëjmë se na zbuluan.
Marrë parasysh këto “shpifje” që ja kanë rrëzuar praktikisht qeverinë, qëndrimi i Ramës për paketë anti-shpifje, duke përdorur Arta Markun si gomë fshirëse të shpifjeve, mund të kuptohet kur thotë të dënohet shpifja me burg. Sepse kështu i kanë dalë.