Deklarata e Ambasadës Amerikane nuk është vetëm një përshëndetje për vendimin për të lënë në burg Ervis Martinajn, por një kujtesë e vazhdueshme për Edi Ramën. Kryeministri i ka dalë në mbrojtje ish-ministrit të tij të suksesshëm, por këtë gjë nuk po e lejojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mekanizmi që Rama ka për të shpëtuar Tahirin është Arta Marku. Kjo e fundit është joshur edhe me pozicionin në KED, një prej komisioneve kryesorë që do të ngrejë strukturat e Drejtësisë së re.
Prokuroria ka kërkuar shtyrjen deri në janar të hetimeve për Tahirin, por me vendosjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Donika Prelës në krye të Krimeve të Rënda ka nisur edhe shpëtimi për ish-ministrin më të suksesshëm të Ramës.
Donika Prela largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prokurorët e hekurt që po hetonin Tahirin, pavarësisht ndërhyrjeve. Elisabbeta Imeraj u komandua në Prokurorinë e Tiranës dhe Besim Hajdarmataj u degdis në Pogradec. Dosja e Tahirit tani është më e kontrollueshme dhe më e lehtë për të zbutur akuzat.
Në një tjetër drejtim, në amnistimin e Tahirit, po punon edhe Kryeministri Rama. Në publik u dhanë sinjale afrimiteti midis tij dhe ish ministrit narkotrafikant, që pas largimit të Xhafajt nga Ministria e Brendshme.
Këto dy sinjale duket se nuk i kanë pëlqyer ambasadës më të rëndësishme në vendin tonë, asaj amerikane. Ajo ka folur sot drejtpërdrejt për hetimin e Tahirit. Një pozicionim kundër treshes Rama-Marku-Prela.