Nga Qemal SAKAJEVA
Në të vërtetë janë ulur dy trerë, jo një.
Trau i parë është vendosur qyshkur nga Serbia, për mosekzistencën e Republikës së Kosovës.
Trau i i dytë sapo është ulur nga Kosova, në vetëmbrojtje nga agresiviteti i Serbisë.
Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini pa vetëm njërin: traun e Kosovës ndaj mallrave serbe, në variantin e rritjes së taksës doganore 100 për qind. Në kohën më të shpejtë të mundshme, përmes një deklarate për shtyp, Mogherini kërkoi si me ultimatum që “Qeveria e Kosovës duhet të tërheqë menjëherë këto vendime”, sepse janë në shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s.
Por Shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini nuk e shikon traun tjetër dhe nuk i shquan kompromiset e panumërta dhe durimin e pafund të shqiptarëve. Serbia, duke e shpërfillur Bashkimin Euriopian, ka vite të tëra që e ka vendosur traun për zhbërjen e pavarësisë, a thua se në Kosovë nuk ka ndodhur asgjë. Thirrjet e BE-së dëgjohen si në shkretëtirë nga pesë anëtarët e saj këmbëngulës kundër Kosovës. Frazën “ kurrë njohje”, Beogradi e thotë papushim nëpër Serbi, e thotë me arrogancë në Këshillin e Sigurimit të OKB, e thotë pa e çarë kryet në Bruksel, e thotë kudo nëpër botë, dhe për të përfituar lëshime nga BE e përsërit rregullisht në Kremlin, madje kur zyrtarë të lartë serbë zbresin për vizita në Kosovë, e thonë në mënyrë provokuese në veri të saj, në Graçanicë dhe nëpër manastire rrethuar nga Popë ortodoksë.
Mirëpo Beogradi nuk ka vetëm fjalë. Shteti serb vepron kudo kundër Kosovës, madje me plot urrejtje: i kërkojnë Rusisë ta mbështetin për të mos u pranuar kurrë në OKB; nisin Ivica Daçiç nëpër kontinente dhe në vende anëtare të BE-së, duke kërkuar të mos njihet Kosova, ndërsa ato që e kanë njohur, përpiqen t’i bindin që t’i tërheqin njohjet. Ky ministër i jashtëm radikal konvertohet në perëndimor duke kënduar në prani të përfaqësuesve europianë për t’u shitur paqësor, por udhëton pandërprerë për t’i falenderuar vendet mosnjohëse dhe kur kthehet në Beograd formulon lajme të rrejshme, sipas traditës së hershme serbo-jugollave, ndërsa presidenti akordon tituj mirënjohjeje. Ata patën nisur trenin provokues për në Mitrovicë, veriun e Kosovës e llogaritin pjesë të Serbisë, pasi krejt Kosovën e trajtojnë territor serb. Ata e pengojnë Kosovën gjithandej , që nga emri, anëtarësimi në UNESCO, INTERPOL dhe deri në përdorimin e flamurit të saj nëpër veprimtari të ndryshme rajonale e botërore, edhe në shtete që e njohin, siç ishte protesta ndaj Francës, kur ajo e vuri flamurin e Kosovës në Notre- Dame de Paris, apo moslejimi i një trupe teatrore serbe në një aktivitet ballkanik në Shqipëri, vetëm ngaqë merrte pjesë edhe teatri i Kosovës.
Kjo Serbi, që Kosovën e quan gjoja shtet, i ashtuquajtur shtet, shtet i rrejshëm, dhe ndaj saj sillet me arrogancë, shpërfillje, madje deri edhe me poshtërim, marrëdhëniet me shqiptarët e Shqipërisë përpiqet t’i ndërtojnë nëpërmjet “kërcimit me shkop Beograd -Tiranë”.
Kjo Serbi, me gojën e zyrtarëve më të lartë të shtetit, e sulmoi në kor ambasadorin amerikan në Beograd Kyle Scott, vetëm se e përmendi Kosovën shtet.
Kjo Serbi, edhe ndaj vet Federica Mogerinit u tregua fyese, duke ia ndërprerë fjalën në parlamentin serb dhe zhurmuar me përplasje të duarve mbi tavolina, por nga BE nuk mbahet mend të kishte reagim.
Këta, pra, që e mbajnë të ulur trarin kundër Kosovës gjithandej, madje edhe për biznesin e saj dhe kalimin tranzit të qytetarëve, ndjehen mirë si kolonizatorë të rikthyer me mallra në vendin e krimit, mbi ambalazhet e të cilave shkruhet në mënyrë provokuese Косово и Метохиja - Kosovo i Metohija, ndërsa marrin çdo vit 450 milionë dollarë nga xhepat e shqiptarëve, duke tregtuar në gjoja shtet.
Serbia e ka vendosur dhe nuk e ngre traun e moseksiztencë së Kosovës së pavarur, qysh prej vitesh. Gjithë seria e presidentëve të Serbisë së pavarur - Boris Tadiç, Tomisllav Nikoliç, Aleksandër Vuçiç - e kanë bërë këngë “kurrë njohje Kosovës”. Para tyre e pati ngritur vet Sllobodan Millosheviç, për t’i shporrur shqiptarët. Pasi populli duroi shumë gjatë dhe nuk gjeti zgjidhje me rrugën paqësore, nisi luftën për çlirim. Ndërsa në vitet pas pavarësimit, kur Beogradi nuk lë gjë pa bërë, që ta çojë në zgrip ekzistencën e shtetin fqinj, Kosova s’ka rrugë tjetër veç vetëmbrotjes.
Trau i Serbisë, “në syrin e Kosovës”, Bashkimit Europian i duket qime!
Qimja e Kosovës, ” në syrin e Serbisë”, Bashkimit Europian i duket tra!
Rrezik nuk është qengji. Kosova duhet të mbrohet nga Ujku. Presidenti Aleksandër Vuçiç s’është nevoja të bëhet Pop, të lutet “Për hir të Zotit ... kemi nevojë për paqë”, por të ndërpriten veprimet destruktive, Serbia të njohë Kosovën e pavarur, dhe globi mbarë do të shihte se paqa mbërrin në sekondë.