“Der Standard”: Shqiptarët luftojnë për Teatrin e tyre Kombëtar

Tuesday, 27 November 2018 19:13

Nga Adelheid Woelfl, Der Standard

Në ajër valëviten flamuj shqiptarë dhe të BE-së. Protestuesit bëjnë zhurmë dhe fishkëllejnë me bilbila. Nëse Teatri do shembet, ata do të vendosen përballë fadromave dhe policisë. Që prej muajit shkurt, artistë, qytetarë dhe aktivistë protestojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë. Ata mblidhen çdo ditë në mbrëmje në orën gjashtë e gjysmë, për ngritur zërin kundër synimit të qeverisë.

As vetë presidenti i Shqipërisë nuk e ka nënshkruar ligjin për shembjen e Teatrit; opozita është pjesë e lëvizjes së protestës. Por kryeministri Edi Rama, i cili që prej shumë vitesh përpiqet fort për shembjen e Teatrit, duket se po e arrin qëllimin e tij. Qeveria e tij argumenton se Teatri vështirë se rinovohet dhe është në rrezik shembjeje. Ndërtesa e projektuar nga arkitekti Italian Giuglio Bertè që vitit 1947 shërben si Teatër Kombëtar. Ajo është pjesë e ansamblit arkitektonik italian të qendrës së Tiranës.

Përplasja për territorin publik

Qytetarët dhe aktivistët shqiptarë kontestojnë veprimin e Bashkisë së Tiranës, e cila me ndihmën e një ligji të ri, që hyri në fuqi në fund të muajit tetor, synon t’i kalojë një firme private pronësinë një pjese të madhe të truallit publik mbi të cilin do të ngrihet ndërtesa e re. Zyra daneze e arkitekturës BIG e Bjarke Ingels nuk e konsideron qeverinë Shqipërisë si porositësin e saj, por vetë firmën private Fusha. Demonstruesit akuzojnë se plot 8,500 metra katrorë truall publik po i jepen fare lirë firmës Fusha – ligji është i prerë enkas për këtë qëllim.

Demonstruesit shqiptarë – mes tyre artistë të mirënjohur, anëtarë të shoqatës së arkitektëve dhe regjisorë – kritikojnë ashpër projektin e Ramës jo vetëm për shkak nevojës për të mbrojtur monumentin, por edhe për shkak të tenderimit të çuditshëm të kontratës së Teatrit, anashkalimit të së drejtës së konkurrencës dhe të planit thuajse të panjohur për godinën e re.

Ekziston dyshimi se pikërisht firma private e ndërtimit do të jetë ajo që do të përfitojë dhe që qytetarët do të humbasin hapësirë të çmuar publike. Sipas planeve ndërtesa e re nuk do të shfrytëzohet thjesht për një teatër apo për qëllime të tjera publike por si hapësirë komerciale apo si sipërfaqe zyrash. Pavarësisht kërkesës së përsëritur ndaj të qeverisë, kjo e fundit nuk është shprehur me asnjë qëndrim ndaj dyshimeve të demonstruesve.

Mundësitë për ta kontestuar ligjin mungojnë

Aktivistët e quajnë veçanërisht problematik faktin se ligji të cilin ata e konsiderojnë si në shkelje të plotë të Kushtetutës, nuk mund të kontestohet. Që prej fillimit të vitit në Shqipëri po kryhet një reformë në drejtësi me përmasa të mëdha. Një nga elementët kryesorë të saj është verifikimi i prokurorëve dhe gjykatësve – filtrimi i personave të korruptuar dhe joprofesionalë. Mesa duket komisioni i verifikimit punon në mënyrë aq efiçiente sa tashmë ka krijuar një vakuum ligjor. Duke qenë se shumë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk e kaluan verifikimin dhe u pushuan, vetëm dy prej nëntë anëtarëve janë në detyrë. Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese nuk mund të punojë më dhe nuk mund të pranohen procese të reja.

Mundet madje të ndodhë që edhe vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese të mos punojë më. Një situatë e ngjashme vërehet edhe në Gjykatën e Lartë. Aty kanë mbetur vetëm katër anëtarë, gati gjysma janë tërhequr vetë nga detyra. Por edhe këtu mund të ndodhë, që të pasojnë pushime për arsye korrupsioni. Në vetvete, reforma e drejtësisë, që në këtë formë nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Europës Juglindore, shihet si shumë efiçente, por askush nuk ka marrë parasysh që mund të rrezikohet shteti ligjor – sepse krijohet një vakuum.

(Anti) kushtetueshmëria

Pikërisht këtu qëndron problemi i Teatrit Kombëtar. Aktivistët që kundërshtojnë shembjen e tij janë të qartë mbi faktin se ligji është antikushtetues.

Ekspertët shprehen kritikë lidhur me faktin që puna e reformës së drejtësisë nuk filloi me verifikimin e kandidatëve të rinj për këshillin e gjykatësve dhe prokurorëve, në mënyrë që këta të zgjidhnin kandidatët e rinj për gjykatat më të larta dhe kështu të mos krijohej vakuum – dhe në fakt ishte parashikuar që kjo të ndodhte. Tashmë nuk ka as këshilla të gjykatësve, as të prokurorëve – situata mund të vazhdojë kështu për shumë kohë. Ishte e pamundur që të miratohej një ligj për të filluar këtë vit me një kurs të ri në shkollën e magjistraturës. E gjithë kjo do të thotë që ndërkohë në nivelin më të lartë nuk mund të zbatohet asnjë e drejtë.

Ekspertët parashikojnë që këshilli i gjykatësve mund të ngrihet brenda vitit 2018 dhe vendet e zbrazëta në Gjykatën e Lartë të plotësohen në gjysmën e parë të vitit 2019. Por në rastin e Gjykatës Kushtetuese mund të ndodhë që edhe në vitin e ardhshëm të mos caktohen gjykatës të rinj dhe për këtë arsye Gjykata Kushtetuese të mos jetë në funksion. Ndërkaq Teatri Kombëtar mund të jetë shembur me kohë.

Modifikuar më Tuesday, 27 November 2018 21:27
Login to post comments