Nga Andi Bushati
Si gjithmonë, sa herë që Edi Rama shkel në Kosovë, apo flet për çështjen e saj, ai lë nga pas një gjurulldi të vërtetë. Nuk bëri ndryshim as takimi i Pejës që megjithëse me dekor modern, pati një brendi të denjë për shekullin e XIX. Pas kësaj shfaqeje sa folklorike, po aq edhe të përshtirë, një pjesë e mirë e opinionistëve kosovarë i janë përveshur vënçe kryeministrit të Shqipërisë.
Disa e kritikojnë se nuk respektoi shtetin e Kosovës dhe flamurin e tij. Disa të tjerë se si gjithmonë nuk e shmangu dot rolin e paternalistit duke folur edhe në emër të tyre. Ka që shkojnë edhe më përtej duke fantazuar për një plan të përbashkët me Vuçiçin, që prodhoi menjëherë trazirat në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa më të politizuarit mendojnë se zgjodhi të mbështesë Thaçin në idenë e marrë të shkëmbimit të territoreve.
Të lexuara fjalë për fjalë, thëniet e Ramës mund të interpretohen në secilën nga këto mënyra. Por, të para në një perspektivë afatgjatë, të gjitha këto kritika janë lavdërime të pamerituara për një njeri, që nuk ka as plan, as projekt dhe as strategji të mirëmenduar, por sillet thjeshtë si një adoleshente në kërkim të vëmendjes.
Të gjithë kolegëve të mij në Prishtinë, që i janë vërsulur Edi Ramës duke e marrë seriozisht dua t’i kujtoj një ndodhi që ka ngjarë pak kohë më parë në një mbledhje të kabinetit qeveritar.
E ka rrëfyer në vetë të parë një njeri që ka qenë aty prezent. Një nga ata personazhe që kryeministri ynë, idhëtar i politikës spektakël, e gradoi zv ministër arsimi, vetëm se kishte arritur të krijonte pak bujë në shtyp.
Dhe ky zv ministër, që e turpëroi shefin e vet sepse dha dorëheqjen vetëm pas dy javëve në detyrë, tregoi një skenë marramendëse nga mbledhja e qeverisë ku arriti të marrë pjesë. Një skenë kafkiane ku shefi i kërkonte llogari të rreptë vartësve ministra për pëlqimet që kishin marrë në rrjetet sociale. Ky ishte prokupimi madhor i atij tubimi. As sa detyra kishin rrealizuar, as dosjet qesharake që i dërgojnë Brukselit duke pretenduar se do të hapë negociatat, por vetëm e vetëm se sa atraktivë kishin qenë për konsumuesit e Twitter, Instagram, Facebook.
Ndoshta po t’i kishin kushtuar vëmendjen e duhur këtij rrëfimi edhe kolegët e mij në Prishtinë nuk do të kishin qenë aq serioz në kritikat për Edi Ramën.
Ndoshta po t’a shikonin me këtë sy, as do të ishin kapluar nga paranoja për një projekt ogurëzi të gatuar mes Tiranës dhe Beogradit dhe as për ndonjë shitje të territoreve që sot i përkasin Kosovës.
Përpara tyre do të kishin ngritur pyetje pak më të thjeshta:
Si shpjegohet për shembull që vetëm brenda katër ditësh ministri i Financave dhe kryeministri shfaqen me qëndrime krejt të ndryshme në publik për sa i përket taksës 100% që u vu për prodhimet serbe? Si shpjegohet që shefi i diplomacisë në Tiranë, ka një qasje ku e ku të pakrahasueshme me atë të Edi Ramës për shkëmbimin e territoreve? Si ka mundësi të shpërfaqet me kaq lehtësi ky amatorizëm për të cilin do të skuqeshin edhe qeveritë më qesharake të rruzullit? Si ka mundësi që në një ekip, ku nuk pipëtin askush veç të parit, të ketë të tillë zëra alternativë?
Përgjigjet për këto pyetje janë fare të thjeshta. Kjo kakofoni është shembulli më ilustrues se qeveria e Tiranës, nuk ka as plan, as strategji dhe as projekt. Prandaj Arben Ahmetaj foli korrektësisht sipas traditës që ndjek Shqipëria prej vitesh dhe Edi Rama, në një sfond me flamuj dhe me shqiponja, në Pejë, improvizoi një qëndrim krejt të kundërt.
Kryeministri, ndryshe nga qëndrimi i akullt i vartësit të vet, e ndjeu se shou që organizoi në tubimin e përbashkët të dy qeverive, i jepte më shumë “like” në Facebook. Dhe sipas modelit të asaj mbledhjes së kabinetit, që tashmë është bërë e njohur në Tiranë, ai veproi menjëherë. Thjesht për shfaqe. Për të rënë në sy mbi të tjerët. Për të tërhequr pak më shumë vëmendje.
Për këto arsye qëndrimi i kritikëve të tij në Prishtinë u duk pak i ekzagjeruar. Sepse Edi Rama nuk duhet marrë seriozisht për ndonjë plan afatgjatë. Ai as nuk mund të ndajë, as të bashkojë shqiptarët. Ai thjesht do të shtojë ndjekësit e tij në rrjetet sociale.