Parafolësi dhe Pasfolësi

Hënë, 10 December 2018 16:41

Nga Qemal SAKAJEVA

Vendi i ngjarjes

Emisioni me telefonatat e qytetarëve në një televizion, kohë më parë, herët në mëngjes.

Parafolësi

Ky, në anën tjetër të telefonit, duke biseduar me drejtuesin në studio, nuk e tha emrin. Ai u vetënjoh si njeriu që ka kryer studimin shkencor mbi gomarin. Por u pagëzua me emrin Parafolës prej  njeriut që telefonoi pas tij, pra nga Pasfolësi.

Studimi i rrallë

Parafolësi bëri me dije, nëpërmjet telefonit dhe ekranit  të televizorit, se ishte autor i studimit të veçantë shkencor, ndoshta nga më të rrallët, për kafshën e urtë që quhet gomar. Ai tha që, kjo kafshë punëtore, e njohur për durimin e madh dhe pa naze për kushte e ushqim, fyhet shpesh duke e përdorur emrin e  tij si sharje. Përveçse e quajti padrejtësi këtë sjellje të njerëzve, Parafolësi edhe u ankua që ky studim shkencor  nuk  është vlerësuar, madje nuk është marrë fare parasyshë.

Përfundimet e studimit

 Parafolësi tha se kishte arritur në këto përfundime me studimin e tij:

Gomari i Shqipërisë së jugut: Ky, pasi lidhet nga i zoti përpara grumbullit të barit, natën këput litarin dhe shkon e ha në mullarin e tjetrit.

Gomari i Shqipërisë së mesme: Ky nuk ha dot as barin e vet.

Gomari i Shqipërisë së veriut: Ky kërkon të dalë përherë përpara kalit.

Drejtuesi i emisionit

U gjet ngushtë. Buzëqeshi . Tha vetëm kaq: ”Unë e kuptoj alegorinë tënde”.

Pasfolësi

E dëgjova me vëmendje  Parafolësin. Më bëri përshtypje të madhe studimi  dhe përfundimet.  Ai duhet të ishte zgjedhur deputet.

Login to post comments