"Shtetet sovrane dhe të pavarura janë mjeti i vetëm ku liria ka mbijetuar gjithmonë, ku demokracia ka rezistuar dhe ku paqja ka lulëzuar", tha Presidenti Trump në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Shtator. "Dhe kështu, ne duhet të mbrojmë sovranitetin dhe pavarësinë tonë të çmuar mbi të gjitha".
Respekti për kombet sovrane ka qenë gjithmonë në zemër të demokracisë amerikane dhe demokracive në mbarë botën, por është një ide që shpeshherë keqkuptohet.
Çfarë është sovraniteti?
Sovraniteti "zbërthehet në dy fjalë: kush udhëheq?", tha studiuesi i Institutit Hudson, John Fonte. "A janë njerëzit? Apo është është një fuqi e huaj? Kjo është pikërisht ajo që Presidenti nënkupton kur ai flet për sovranitetin. Ai po flet për njerëzit dhe vendet që vetësundohen."
Në SHBA, ky koncept daton nga themelimi i kombit. Deklarata e Pavarësisë pohon se qeverive u delegohet vetëm pushteti që ua jep "konsensusi i të qeverisurve". Në SHBA, votuesit zgjedhin drejtuesit, të cilëve u japin këto kompetenca, sikurse janë po ata të cilët mund t’ua heqin këtë autoritet.
Presidenti Abraham Lincoln e quajti këtë "qeveri të popullit, nga populli, për popullin".
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i tha Fondit Gjerman Marshall se ndërsa vendet mund të bashkohen në organizata ndërkombëtare që kanë objektiva të përbashkëta, "asgjë nuk mund ta zëvendësojë shtetin-komb si garant i lirive demokratike dhe interesave kombëtare." Çështjet e sovranitetit lindin nëse ato organizata uzurpojnë fuqitë e këtyre kombeve vetëqeverisëse. Për shembull, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka mëtuar të vendosë juridiksionin mbi qytetarë të shteteve që nuk janë pajtuar kurrë me statutin e Gjykatës. Kjo është dhe një arsye pse Presidenti Trump i tha OKB-së: "Ne kurrë nuk do t’ia dorëzojmë sovranitetin e Amerikës një burokracie globale të pazgjedhur dhe të papërgjegjshme".
FOTO: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo duke folur në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara në Bruksel më 4 Dhjetor.
Theodore Bromund, një anëtar i Fondacionit të Trashëgimisë në Uashington, tha se pyetja është: "A e kontrollojnë shtetet organizatën apo organizata kontrollon shtetet?"
Në vërejtjet e tij ndaj Fondit Marshall Gjerman, Pompeo u bëri thirrje kombeve sovrane që të krijojnë "organizata ndërkombëtare që janë fleksibël, që respektojnë sovranitetin kombëtar, që kryejnë misionet e tyre të deklaruara dhe që krijojnë vlera për rendin liberal dhe për krejt botën".
A të çon sovraniteti në nacionalizëm agresiv?
Për disa, luftërat e mëdha të shekullit të 20-të i dhanë sovranitetit një emër të keq. Veçanërisht evropianët e pas Luftës së Dytë, tha Fonte, e barazojnë atë me një formë agresive të nacionalizmit. "Ata kanë thënë, "Këto luftëra, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, kanë filluar nga nacionalistët!' Por, ato u filluan nga diktatorët dhe nga regjimet totalitare." Megjithatë, argumenton Fonte, kjo i humb kontributet pozitive të nacionalizmit dhe shteteve sovrane.
Larg nga të qenit një forcë për agresion, sovraniteti ka qenë historikisht "një mënyrë për të promovuar paqen duke vendosur kufij," thotë profesori Jeremy Rabkin në librin e tij “Çështja e sovranitetit.” "Një qeverie që ka dashur të jetojë në paqe me fqinjët e saj, i është dashur të respektojë të drejtat e tyre sovrane" dhe të ushtrojë autoritetin e vet "në mënyra që e kanë bërë atë një fqinj të tolerueshëm".
Fonte tha se në shekullin e fundit, "nacionalistët ishin në thelb njerëz që konsideroheshin patriotë, Winston Churchill në Britani, por edhe Gandi, i cili iu kundërvu Churchillit, në Indi. Ata të dy u quajtën nacionalistë, pasi ata po vendosnin përpara vendet e tyre."
Sipas Fontes, këta udhëheqës të respektuar dhe të tjerë si Charles de Gaulle, Franklin Roosevelt dhe Margaret Thatcher janë konsideruar nacionalistë demokratë, një term ky i përdorur shpesh në vend të "patriotë".
Fonte i referohet përgjigjes së Presidentit kur e pyetën nëse Trump ishte nacionalist. "Ai tha: ‘E dua vendin dhe po e vë përpara.’ "Përkufizimi që ai dha është i njëjtë me atë të patriotizmit".
FOTO: Duke folur në eventin e Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë së Paqësorit në 2017, Presidenti Trump premtoi se “Ne do të respektojmë pavarësinë dhe sovranitetin tuaj.”
A është sovraniteti i njëjtë me izolacionizmin?
Vetëqeverisja e pavarur nuk do të thotë izolim apo largim nga bashkëpunimi i rëndësishëm me kombet e tjera.
Administrata Trump ka punuar në mënyrë të vazhdueshme me partnerë tregtarë si Meksika, Kanadaja dhe vende anembanë Afrikës për të ndërtuar marrëdhënie ekonomike të lira, të drejta dhe reciproke.
SHBA ka bashkëpunuar, gjithashtu, me vende të tjera në botë për të rritur sigurinë globale, duke prishur komplote terroriste dhe duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër rrjeteve terroriste. SHBA kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në NATO dhe inkurajon partnerët e saj sovranë që të rrisin kontributin e tyre në Aleancë.
Ndërsa SHBA do të vazhdojë të punojë me kombet e tjera për të përmbushur qëllimet e saj, kjo punë do të zhvillohet midis shteteve sovrane të sigurta brenda kufijve të tyre. "Ideja e “të paturit një gardh” për të cilin nuk dëshiron të flasësh me fqinjit e tu, është qesharake", tha Bromund.
"Ne besojmë," tha presidenti, "se kur kombet respektojnë të drejtat e fqinjëve të tyre dhe mbrojnë interesat e popullit të tyre, ata mund të punojnë sëbashku për të garantuar sigurinë, prosperitetin dhe paqen".
(marrë nga profili fb te Ambasades Amerikane Tirane)