Presidenti Donald Trump i shtoi detaje të reja doktrinës së tij politike "Amerika e Para" në vitin 2018, me politika që synuan shkundjen e institucioneve të ngritura pas Luftës së Dytë Botërore. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” për çështjet e diplomacisë, Cindy Saine, hedh një vështrim rreth asaj se si po ndryshon politika e jashtme amerikane nën administratën Trump.
Kur Mike Pompeo mori detyrën e sekretarit të Shtetit në muajin maj, pas shkarkimit të Rex Tillerson-it, ai premtoi të ndihmojë agjencinë të rifitojë sigurinë si dhe të formësojë politikën e jashtme të presidentit Trump "Amerika e para".
Në një linjë me këtë, në një fjalim përpara një publiku thellësisht dyshues evropian, zoti Pompeo tha se rendi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore kishte "tradhëtuar si amerikanët ashtu edhe ata".
"Kur traktatet nuk zbatohen, duhet të ballafaqohemi me shkelësit. Traktatet duhet të ndreqen ose të prishen.” tha ai.
Në funksion të këtij qëllimi, Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit Trump u larguan nga marrëveshja bërthamore me Iranin si dhe marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike. Presidenti iu vu pas dhe një numri zyrtarësh të lartë. Për disa analistë, zoti Trump po rikrijon një ekip më të bashkuar, në mbështetje të platformës së tij.
"Aktualisht pas dy vitesh ai rrethohet me besnikë, me njerëz që janë të përkushtuar për të zbatuar vizionin e tij," thotë Celia Belin e Institutit Brookings.
Takimi i nivelit të lartë mes presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor qershorin e kaluar, nuk ka dhënë ende rezultate konkrete.
"Ndërsa ajo që rezultoi nga ato bisedime nuk dha shumë, nga pikëpamja e thelbit, në vetvete fakti që këto bisedime u zhvilluan, ishte një arritje mjaft e madhe" thotë Luke Coffey i “The Heritage Foundation”.
Por zoti Trump u kritikua ashpër lidhur me takimin e tij të muajit korrik me Presidentin rus Vladimir Putin. Takimi u pa nga shumë si miratim i qëndrimit të zotit Putin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
"Pa dyshim do ta përshkruaja takimin e Presidentit Trump me Presidentin Putin në Helsinki si pikën më të ulët të politikës së jashtme, jo vetëm përgjatë këtij viti, por të administratës Trump deri më tani".
Vrasja e gazetarit të Washington Post-it Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll tronditi komunitetin ndërkombëtar javët e fundit. Por ndërsa e dënoi vrasjen, zoti Trump tha se do të vazhdojë të qëndrojë me një aleat të rëndësishëm sikurse Arabia Saudite. Për disa analistë ky qëndrim dërgon mesazh të gabuar tek qeverisjet autoritare në mbarë botën.
"Ai e tha qartë se interesat ekonomikë kanë më shumë rëndësi sesa vlerat morale" Celia Belin, Instituti Brookings.
Sa i takon Kinës, vëzhguesit po përgatiten për një konflikt të mundshëm vitin që vjen ndërsa dy vendet kanë mosmarrëveshje lidhur me tregtinë, detin e Kinës së Jugut dhe sigurinë kibernetike./ Zeri i Amerikes