I vendosur me shpatulla pas murit nga revolta dhe protestat e shqiptarëve apo edhe nga opozita shqiptare Rama ka bërë sot përpëlitjet e fundit për të shpëtuar veten dhe sektin që drejton.
Ai ka vendosur që të ndryshojë pothuajse të tërë kabinetin qeveritar. Por me një analizë të thjeshtë, duke u bazuar te emrat, por edhe te njeriu që i drejton i cili do të jetë serish kryetari i bandës së Rilindjes, absolutisht që nuk shmanget rënia e Ramës dhe mazhorancës së tij
Vënia e Braçes si zëvendëskryeministër është një shembull mjaft i qartë i këtij arnimi komik, sepse vetëm Braçe nuk mund të quhet një reflektim. Është e qartë për të gjithë që Braçe gjithnjë ka qenë një noter i vjedhjeve të Ramës. Për të gjitha koncesionet ai ka qenë një ushtar i bindur i Ramës.
Si asnjëherë më parë, Komisioni i Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilin Braçe e ka drejtuar, jo vetëm që nuk ka qenë oponent ndaj vjedhjeve të Rilindësve, por ai ka bërë atë që nuk duhej, ka ligjëruar vjedhjet. E këtë e ka bërë Erion Brace, madje me servilizmin e shpifur të tij. Është përplasur me opozitarët duke bërë jo të “zgjedhurin”, por kamikazin politik, mjaft që projekt-vjedhjet e qeverisë të kalonin për të marrë votën e ushtarëve të tjerë në parlament.
Ky emërim i Braçes bëhet edhe më shumë i zi, kur merr parasysh lidhjet e këtij njeriu me bandën e Lushnjës. Të mos harrojmë edhe akuzat e rënda që thonë se Erion Braçe se e ka shndërruar Divjakën në strofull të trafiqeve, vrasjeve dhe korrupsionit.
Ndërkohë që nga ana tjetër me këto ndryshime të Ramës në qeverisje, edhe nëse kishte një fije serioziteti në kabinetin e mëparshëm tanimë nuk ekziston më. Qeveria është kthyer në një NGO të mirëfilltë. Rama është përpjekur të vendosë femra me zero eksperiencë dhe fuqi politike, vetëm e vetëm që t’i ketë nën urdhrat e tij sa herë që të dojë, që t’i binden në çdo aferë apo vjedhje të ardhshme.
Ndaj ky arnim që Rama i ka bërë sot Qeverisë së tij nuk është asgjë më shumë se sa thjesht një arnim komik, që nuk do të sjellë asgjë më shumë sesa degjenerimin e mëtejshëm dhe rënien e sigurt.