Sot në 91-vjetorin e tij të lindjes
Sot është ditëlindja e njërit prej artistëve më të shquar të pikturës shqiptare, një personaliteti që i vjen rrallë këtij vendi, “Mjeshtrit të Madh” Fatmir Haxhiu. Ai u lind, si sot, 91 vjet më parë, më 28 dhjetor 1927 në qytetin e Gjirokastrës, por nuk ishte gjirokastrit, rridhte nga një familje e mesme qytetare patriotike nga qyteti i Përmetit. Në vitin 1930 familja e tij u vendos me banim në Tiranë, ku kaloi gjithë jetën deri në ditët e fundit, më 10 mars 2001. Kreu shkollën fillore në "Shkollën e Kuqe" një nga shkollat e dëgjuara me mësues patriot si Sotir Milto Gura, Sali Morina të cilët qenë të parët që e inkurajuan Fatmirin të vizatonte duke parë dëshirën e tij për t’u bërë piktor. Kreu studimet në shkollën e mesme në Liceun e Tiranës. Nga viti 1941 edhe pse ish rreth të 14 dhjetave merr pjesë në lëvizjen antifashiste dhe në shtator të vitit 1943 del partizan dhe lufton deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1945 Fatmiri shkon për studime ushtarake në Beograd (Jugosllavi) në shkollën "VOJNA UCISHTE", ku për 6 muaj mori njohuri të përgjithshme ushtarake dhe pas ndarjes së degëve ai vazhdon studimet në Zagreb në shkollën e artilerisë "OFICIRSKA SKOLA I VOJNO UCILISTE ZEMALJSKE ARTILJERIJE".
Zagrebi i dha oficerit të ri ndër të tjera edhe shijet e punës estetike, edukative për të bukurën e bashkëkohoren. Aty Fatmiri njihet së pari jo vetëm me harmoninë e arkitekturës së qytetit por edhe me kulturën e larmishme të tij, muzikën, sportet, artet figurative. I etur së brendshmi për të thithur sa më shumë përshtypje, Fatmir Haxhiu vrojtonte me kureshtje gjithçka. Falë natyrës së tij të shkathët si djalosh kryeqytetas, atë e karakterizonte disiplina, vullneti i admirueshëm, karakteri i fortë, energjik e qëndrimi korrekt. Kryen studimet me sukses, dhe në vitin 1948 kthehet në atdhe plot energji, kulturë dhe ëndrra duke mos e braktisur për asnjë moment dëshirën dhe pasionin e tij për pikturën. Ai punonte dhe merrej vazhdimisht me aktivitete artistike sidomos për festat kombëtare, apo ngjarjet e shënuara historike. Në ushtri, artisti i ardhshëm gjeti mjedisin e tij, fillimisht në Regjimentin e Artilerisë në qytetin e Beratit e më pas si zv/shef operativ i Komandës së Artilerisë së Ushtrisë deri në vitin 1956. Për tre vjet nga viti 1956-1959 punoi si pedagog i taktikës së artilerisë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (sot Akademia Ushtarake e Trupave Tokësor "Skënderbej").Gjatë kësaj periudhe ai u dallua për aftësinë organizuese, disiplinën, shpirtin kërkues ndaj vetes, përgatitjen e lartë, korrektësinë dhe seriozitetin në mësimdhënie.
***
Njihet shumë herët që më 1944, me Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli (sot, artistë më në zë të skulpturës e pikturës shqiptare) ku përpunuan formulimin dhe realizimin figurativ të kongresit të Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare. Këta artistë me eksperiencë, së bashku me piktorin Nexhmedin Zajmin, skulptorin Odise Paskali, piktorin Foto Stamo duke parë devotshmërinë, seriozitetin, pasionin, talentin e Fatmir Haxhiut e ndihmuan shumë dhe në përgatitjen teorike pasi panë tek ai shpirtin e gjerë e të ndjeshëm, një piktor që do të radhitej më vonë me dinjitet krehës tyre
Nga mesi i viteve 50, Fatmir Haxhiu u bë promotori dhe krijuesi i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku u pasua edhe nga piktorë e skulptorë të tjerë të rinj, që sapo kishin mbaruar Liceun Artistik të Tiranës. Në vitin 1959 për herë të parë merr pjesë në ekspozitën kombëtare të pikturës, ku vlerësohet me çmimin e dytë, i pari vlerësim ky që i dha forcë dhe e inkurajoi për më tej. Për vite me radhë piktori u aktivizua dhe me vizatime e grafika në revistën"10korriku".Të shumta janë tregimet nga lufta që ai ka ilustruar duke ju shtuar atyre emocion dramatik, si në gazetën "Luftëtari", në organe të tjera të shtypit, të shtëpisë botuese "Naim Frashëri" e tjera.
Edhe pse me punën e talentin e tij ai kishte arritur diçka, dëshira për të vazhduar studimet e larta për pikturë e ngacmonte vazhdimisht. Në vitin 1959 në Institutin e Lartë të Arteve pas përfundimit të konkursit u pranuan të ndjekin studimet 7 studentë nga 70 kandidatë të paraqitur. Njëri prej fituesve qe edhe Fatmiri. Kështu ai fillon studimet të cilat i përfundon me rezultatin shkëlqyeshëm në vitin 1965.
Punimi i tij për diplomën ishte kompozimi me temë nga lufta Na-Çl "Kalimi i Divizionit të Parë në Veri"(200x300)cm. Studentit Haxhiu iu desh të bënte një punë kolosale, ai studioi gjatë lidhur me armatimin e pajisjet, veshjet, zgjedhjen e peizazhit, të gjitha këto për të arritur një shkallë sa më të lartë vërtetësie historike. Në të njëjtën kohë ai mundi të interpretonte artistikisht në vepër heroizmin dhe sakrificën që dallonte heronjtë e luftës. Tabloja e tij e diplomës, është regjistruar në historikun ende të pashkruar të shkollës së lartë të artit, si një ndër arritjet më të shkëlqyera.
Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijimtarisë së artistit.
Edhe pasi u diplomua ai vazhdoi të punojë si kuadër ushtrie, duke kryer detyra me përgjegjësi të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes me gradë deri Nënkolonel.
Krahas funksioneve në ushtri dhe punës në atelie, Fatmiri ka qenë një artist i angazhuar edhe në problemet e drejtimit në strukturat e shoqatat artistike. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nga viti 1966-69 dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj deri në vitin 1991. Gjithashtu ai ka qenë anëtar i komisionit të pikturës pranë Komisionit Shtetëror për Artet Figurative të Shqipërisë, kryetar i komisionit të pikturës pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe anëtar i këshillit artistik të Galerisë Kombëtare të Arteve. Aktiviteti artistik i Fatmir Haxhiut është i ndërthurur edhe me atë pedagogjik, ku ai për vite me radhë ka kontribuar për diplomimin e brezave të rinj të piktorëve me emër. Nga viti 1970-1982 ka qenë pedagog i jashtëm i Institutit të Lartë të Arteve në atelienë e pikturës monumentale për kurset e III-ta dhe të IV-ta. Nga viti 1967 ka ushtruar krijimtarinë e tij duke qenë në profesion të lirë. Në këto katër dekada pune të pa lodhur në fushën e pikturës, ka realizuar një numër të madh veprash në gjininë e kavaletit dhe asaj monumentale. Sot punimet e tij gjenden kudo brenda dhe jashtë vendit. Ato janë ekspozuar apo janë pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Historik Kombëtar, Muzeut Historik të qytetit të Tropojës, Burrelit, Vlorës, Përmetit, si dhe në institucione të tjera social-kulturore. Gjithashtu shtrirja e punimeve jashtë atdheut është e gjerë dhe e admirueshme. Punimet ndodhen në koleksionet private të artdashësve në Itali, Francë, Spanjë, Austri, Greqi, Japoni, Kinë, Rusi, Amerikë, Zvicër, Hungari, Turqi, Jugosllavi, Australi, etj.
Në konkurset kombëtare prej vitit 1966 deri në vitin 1990 ka fituar tre çmime të para, dy çmime të dyta dhe një çmim të tretë. Është laureat i Çmimit të Republikës së shkallës parë me veprën "Skroskë 1944" (206 x 330)cm, si dhe i Çmimit të Republikës së shkallës së tretë për veprën "Me shpatë në dorë"(550 x 450)cm. Shumë vepra të krijimtarisë së tij janë popullarizuar nëpërmjet botimeve në organe të ndryshme të shtypit si në gazetat "Drita", "Zëri popullit", "Puna", "Bashkimi", "Zëri i rinisë", "Luftëtari", në revistat "Albania", "nëntori", "Ylli", "Shqiptarja e Re", "10 korriku", "Në shërbim të popullit", "Rruga e Partisë", në revista ushtarako politike, në kopertina librash, albume, tekste shkollore, kartolina, fletë riprodhimi të veçanta, katalogje ekspozitash, në pulla filatelie shqiptare dhe të huaja, etj.
Me inisiativën e tij, prej datës 17 Tetor deri më 27 të vitit 2000 bëri nje vizitë në krahinën e Kosovës, në Prishtinë e Pejë,ku u takua me punonjës të Galerisë së Atreve,me studentët dhe pedogogët e Fakultetit të Atreve,me punonjësit e Muzeut Historik,Muzeut Etnografik si dhe me personalitete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë mënyr ai tentoi të njihet më afër e më thellë me betejat dhe heroizmat që janë zhvilluar në tërsi me dramën Kosovare.Nga kjo njohje ai do angazhohej të realizonte disa vepra arti të karakterit monumental si"Beteja e Llapit","Heroizmi i Adem Jasharit","Masakrat","Gjenocidi ose Shpërngulja","Beteja e Fushë Kosoves".
Që nga data 10 Mars 2001, në kavaletin e tij të punës ka mbetur zgjidhja kompozicionale në bardh e zi,e punimit të tij të fundit që ishte një porosi e marrë nga Muzeu Historik i Kosovës. Edhe ky është një kompozim monumental, me shumë figura i titulluar nga autori "Beteja e Fushë Kosovës"(250x600)cm.
Fatmir Haxhiu shkoi me një peng të madh, sepse nuk arriti të realizojë, ndoshta ëndrrën e tij të fundit, pikturën murale “Beteja e Fushë Kosovës”. Gjatë vitit 2000 dhe pak kohë para se të shkonte, piktori kishte rrugëtuar për në Kosovë, ku ishte njohur me vendin, ku më 1389 ishte zhvilluar beteja e ballkanasve të bashkuar me ushtrinë otomane.
Kjo dëshmon edhe një herë se Fatmir Haxhiu deri në fund të krijmtarisë së tij, nuk u shkëput nga frymëzimi që i buronte prej historisë së popullit të tij.
Realizimi i këtyre veprave do të plotësonte edhe një nga ëndrat e piktorit.
Çdo vepër e Fatmir Haxhiut është një copë Shqipëri. Çdo vepër është një betejë. Çdo vepër e tij është një fitore. Krijimtaria e tij vërteton se ai kishte energji të mëdha krijuese, pune, besimi, jete, e të ardhmeje.
Rëndësia në tërrësin e veprës së tij qëndron në atë se gjithëkush do të lexojë qartë një pjesë të biografisë së popullit shqiptar.
Për të gjithë këtë aktivitet të gjatë e të suksesshëm artistik, Fatmir Haxhiu është nderuar me titujt e lartë "Piktor i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh i Punës".
Vlerësime dhe Çmime
1997: Dekorohet me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”
1966: Laureat i Çmimit të Republikës së shkallës parë me veprën "Skroskë 1944", GKA, Tiranë
1978: Laureat i Çmimit të Republikës së shkallës së tretë për veprën "Me shpatë në dorë", GKA, Tiranë
1959: Çmimi i dytë për tablonë “Zonja Çurre”
1969: Çmim i tretë për veprën ”Tenda e qypit” (GKA, Tiranë);
1973: Çmimi i dytë për veprën “Në ditët e mësymjes pranverore” (GKA, Tiranë);
1976: Çmimi i parë për veprën “Shpallja e Republikës” (GKA, Tiranë)
1978: Çmimi i parë për veprën “Çajmë rrethime” (GKA, Tiranë).
Flori Slatina