Lordi Browne i Ladyton - Kontribute/
Zotërinjtë e mi, unë tërheq vëmendjen Tuaj për hyrjen time në Regjistrin e Interesave të Lordëve, veçanërisht për kryesimin tim të Rrjetit Evropian të Lidershipit. Falënderoj baroneshën fisnike, zonjën Helic, për sigurimin e këtij debati, për Mocionin dhe për fjalimin e saj të hapjes, të cilin ajo e mbajti me kaq pasion dhe njohuri të dukshme. Ajo ka gjeneruar tashmë pyetje të mjaftueshme për Ministrin në mënyrë që t’i shpenzojë 20 minutat e tij në përgjigjen ndaj tyre; ata janë pyetje interesante dhe sfiduese. Unë jam mirënjohës ndaj saj për informacionin që ka ndarë me mua. Nuk e bëj këtë fjalim në asnjë mënyrë për t’ju sugjeruar se kam ndonjë ekspertizë mbi Ballkanin perëndimor, por kam një interes të madh për këtë debat, sikurse do të rikthehem në të pas pak.
Unë jam dakord tërësisht me fjalët e tributit të të ndjerit Lord Ashdown. Ai kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me Tony Blair, i cili ishte Kryeministër kur unë u zgjodha për herë të parë në Parlament. Ndonëse ishte shumë pranë kolegëve të mi të Partisë Laburiste, atëherë nuk kisha privilegjin që të kisha qenë në Parlament prej shumë kohësh dhe të vendosja atë marrëdhënie me të. Më vjen keq që nuk arrita ta njoh ashtu siç do të më kish pëlqyer. Duke pas lexuar dhe dëgjuar shumë tribute për të kohët e fundit, unë kam në mendjen time - nga leximi im dhe nga vlerësimi i të tjerëve për të - një njeri me energji të shkëlqyera, guxim, besnikëri, bujari dhe përgjegjshmëri. Pra, jam i lumtur që ndaj fjalët e Baroneshës fisnike për tributin ndaj tij dhe, gjithashtu, shpresoj që politika jonë afatgjatë në raport me Ballkanin Perëndimor, do të jetë një monument për kontributin e tij në stabilitetin e rajonit. Ai nuk meriton aspak më pak.
E kalova këtë mëngjes me Lordin fisnik Ricketts, në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes, duke kontribuuar në një kurs për strategjinë dhe strategji-bërjen. Ishte një kurs për zyrtarët ushtarakë ndërkombëtarë që përfshinte, për çudi, një oficer nga Bosnja dhe Hercegovina. Ndër të tjera, na u kërkua të shpjegonim se si në atë fushë të strategjisë, nga përvojat tona, kushtet kontradiktore që rrethojnë vendimet strategjike mund t’i mbijetojnë politikës së brendshme. Kjo është një sfidë e rëndësishme, ku ka konkurrencë të brendshme për burime kundër politikës së jashtme, vendosjen ushtarake, përdorimin e burimeve për komb-ndërtimin, apo çfarëdo qoftë.
Nga njohuria ime për pasojat e një Ballkani Perëndimor të destabilizuar - çështjet që Baronesha fisnike identifikoi, lidhur me armët, drogën, trafikimin e njerëzve dhe pastrimin e parave - është tepër e lehtë për t'ua shpjeguar njerëzve të Mbretërisë së Bashkuar pse kjo duhet të jetë një prioritet për ne. Ky problem vjen në kufijtë tanë dhe në komunitetet tona. Është dukshmërisht atje, jo vetëm në pjesët në hije të komuniteteve tona në qytete, por, deri në një farë mase, edhe në qytetin e Londrës dhe bizneset e këtij vendi. Ajo minon mënyrën tonë të jetesës dhe më shumë për ato arsye egoiste se sa për të tjerat, ne kemi një detyrë kolektive për t'u angazhuar dhe siguruar që popujt e Ballkanit Perëndimor mund të lirohen nga kjo tirani, ngado që t’u vijë.
E vendosa emrin tim për të folur mbi këtë debat sepse në prag të samitit të Londrës, mbajtur më 27 dhe 28 qershor të vitit të kaluar, Rrjeti Evropian i Lidershipit, të cilin unë e kryesoj, realizoi një tryezë të rrumbullakët këtu në Dhomën e Lordëve, nën bashkë-kryesinë time, një anëtar i Rrjetit Evropian të Lidershipit dhe ish Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu. Ai ishte Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në të njëjtën kohë kur unë isha Sekretar Shteti për Mbrojtjen këtu në Mbretërinë e Bashkuar dhe - krejtësisht në mënyrë rastësore - në atë moment Shqipëria aderoi në NATO. Prandaj, në mendjen e tij, unë asociohem me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjë që është e rëndësishme dhe për të cilën ai ndihet shumë krenar. Ne kemi mbajtur një kontakt të ngushtë dhe diskutimi i kësaj tryeze të rrumbullakët ishte i frymëzuar prej tij. Unë bashkë-kryesova me të dhe mund t’ju them, Zotërinj fisnikë, që vizitorët tanë që morën pjesë në atë mbledhje, e cila mblodhi së bashku ish-zyrtarë që shërbenin nga shumica e vendeve të Ballkanit, ambasadorë dhe përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ashtu sikurse dhe parlamentarë britanikë, u kënaqën të gjithë që ishin këtu në Dhomën e Lordëve. Vërejta se ky mjedis i detyroi ata të angazhoheshin me njëri-tjetrin në një mënyrë të tillë që dyshoj se do të kish qenë më e vështirë për ta në panele të tjera. Unë marr pjesë në shumë takime multilaterale dhe euro-atlantike në çështjet e sigurisë. Një angazhim i tillë mes parlamentarëve, kur përfshihen anëtarë të Parlamentit tonë, është motivues për një numër të konsiderueshëm të vizitorëve tanë dhe ne duhet të bëjmë shumë më tepër. Ne duhet ta përdorim këtë fuqi të butë (soft power) shumë më gjerësisht për drejtimin e agjendës sonë të politikës së jashtme.
Të gjithë pjesëmarrësit në atë tryezë ranë dakord se zakonet dhe kultura lokale dhe vlerat e përbashkëta e bashkuan rajonin shumë më tepër sesa çështjet që i veçonin njerëzit dhe vendet e tyre. Disa folës, gjithashtu, theksuan shpresën se historia e tyre nuk do të përcaktojë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe pamjen e atij rajoni, i cili, vëzhguan ata, është përmirësuar ndjeshëm gjatë 12 muajve të fundit pavarësisht nga sfidat e dukshme që Baronesha fisnike tregoi qartë dhe i di mirë - ndoshta më mirë se shumica prej nesh në këtë Dhomë. Gjatë diskutimit, prezantuesit gjithashtu theksuan edhe dy qëllimet kryesore për rajonin. Nuk mendoj se do të habisë ndokënd nëse ju them se ata ishin të anëtarësuar në NATO dhe BE dhe të integruar plotësisht në komunitetin Euro-atlantik. Ata argumentojnë se kjo do të shërbejë si një forcë detyruese jo vetëm midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës, por midis shteteve të rajonit dhe do të ndihmonte në kapërcimin e polarizimit të brendshëm.
Ndërsa roli dhe kontributi i BE-së u vlerësua nga pjesëmarrësit, disa prej tyre shprehën gjithashtu shqetësimet e tyre se Bashkimi Evropian mund të zgjedhë t’i trajtojë projektet e integrimit më shumë si një set kutish për t’u “tick-uar”, sesa për një qëllim që duhet ndjekur. Sfida kryesore që ata identifikuan kishte të bënte me mungesën e lidershipit dhe kapacitetit në Bruksel për ndryshime thelbësore. Ata thanë se nëse partnerët mund ose nuk do të ofronin stimuj më të mirë për udhëheqësit politikë në rajon, të zgjedhurit në vendet e anëtarësimit dhe para-anëtarësimit mund të arrinin në populizëm dhe të ofronin zgjidhje më radikale për shqetësimet e tyre. Ndikimi në rritje i Rusisë dhe Turqisë u përmend në disa detaje si një nënprodukt i mungesës së drejtimit strategjik evropian dhe energjisë në operacionet e përditshme me Ballkanin Perëndimor. Gjithkush e pranoi mjedisin e vështirë në të cilin BE duhet të adresojë dhe të shqyrtojë shqetësimet e qytetarëve të vet dhe të atyre që synojnë të jenë qytetarë të saj. Megjithatë, është përmendur gjithashtu se, “komuniteti Euro-atlantik duhet të mbushë vakumin” e drejtimit dhe vizionit politik, përndryshe “do ta bëjnë të tjerët”.
Ky është një citat i drejtpërdrejtë.
Nga ky samit rezultoi një numër pikash veprimi. Unë do të ndaj vetëm ato që kanë të bëjnë me sigurinë, e cila është fokusi i këtij debati. Lojtarët e jashtëm janë qartazi një shqetësim i rëndësishëm për rajonin dhe përfaqësuesit e saj. Folësit e panë shumicën e aktorëve të jashtëm si thjesht ndjekës të interesave të tyre kombëtare, në dëm të atyre të rajonit. Feja, e cila është thellësisht e përhapur në këto shoqëri, po manipulohet dhe potenciali për përhapjen e ekstremizmit po rritet. Vendet rajonale duhet të rrisin elasticitetin e tyre kombëtar. Europa dhe partnerët anembanë Atlantikut kanë një rol në këtë, veçanërisht në lidhje me ndarjen e mësimeve të nxjerra dhe praktikave më të mira.
Kthimi i luftëtarëve të huaj është një tjetër kërcënim. Ndarja e të dhënave të inteligjencës, madje edhe në nivel rajonal, mund të përmirësojë ndjeshëm operacionet aktuale, por rajoni ndoshta ka diçka për t’i mësuar pjesës tjetër të Evropës rreth de-radikalizimit dhe riintegrimit të njerëzve në komunitete. Kështu, do të ishte e dobishme të krijohej në rajon një akademi për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Ka edhe mësime pozitive dhe negative që mund të nxirren nga përvoja e stabilizimit.
Së fundmi, NATO-ja shihet si aktore me një rol stabilizues për të luajtur. Disa ekspertë sugjeruan se ajo duhet t’i ofrojë menjëherë anëtarësimin Maqedonisë - edhe pse kjo ka ecur përpara - një plan veprimi për anëtarësim Bosnje-Hercegovinës dhe pjesëmarrjen në Partneritetin për Paqe Kosovës. Duhet gjithashtu të konsiderojë krijimin e një forumi rajonal të Partneritetit për Paqe, ku vendet mund të ndajnë përvojat dhe praktikat më të mira.
Por që atëherë, natyrisht, takimi ka mbaruar. Në pritje të këtij debati kam lexuar përmbledhjen e raportit të atij samiti dhe është krejtësisht e qartë për mua se Britania e Madhe u konsiderua njëzëri si një aktor i rëndësishëm në ambiciet që këto vende kanë. Të gjithë donin të shihnin Mbretërinë e Bashkuar të mbronte këtë trajektore dhe prisnin me padurim që ajo të vazhdonte të mbështeste anëtarësimin në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Unë e kuptoj se qeveria konfirmoi në samitin e Londrës se ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pas Brexit. U kërshërova nga disa fjalë interesante në atë përmbledhje. Në mënyrë domethënëse, është identifikuar rreziku se “mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar në rajon do të reduktohet nëse ajo nuk është më e përfshirë në procesin e pranimit në BE".
Samiti i bëri thirrje qeverisë “për të shpjeguar vizionin e saj për një rol të pavarur të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, për të sqaruar atë që dëshiron të arrijë në rajon dhe për të shpjeguar se si planifikon të arrijë atje ... ta shtyjë Samitin të miratojë një set të fuqishëm angazhimesh që mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë në Ballkanin Perëndimor "
Shkurtimisht, duket se ende nuk e kemi ezauruar përgjigjen e pyetjes se si Mbretëria e Bashkuar synon të vazhdojë të luajë rolin e saj kur të mos jetë më anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo është pyetja ime më e rëndësishme për Ministrin.
Në përmbledhje lexova me interes fjalimin e dhënë nga ambasadori Kemp në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Nëntor, i cili u botua në faqen e internetit të Zyrës së Jashtme dhe Komonuelthit. Unë përgëzoj Qeverinë për ndjekjen e një sërë angazhimesh të rëndësishme, veçanërisht ato për sigurinë. Këto mund të lexohen në faqen e internetit; nuk kam ndërmend t'i lexoj. Por duket se janë vetëm një fillim, në vend të diçkaje që duhej të nxirrte përfundimin se stabiliteti dhe siguria janë jetike për këto vende. Ndërkohë që unë e përgëzoj Qeverinë për hapat që ka ndërmarrë, ka ende sfida domethënëse dhe këto, sikurse thashë më herët në fjalën time, do të kenë një efekt të rëndësishëm në sigurinë e qëndrueshme të qytetarëve tanë këtu në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është një ambicie kolektive dhe shpresoj që të bëhet më shumë.