Nën kujdesin e Presidentit Hashim Thaçi është mbajtur orë përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Aty, kryeministri Ramush Haradinaj tha se taksa e vendosur për Serbinë është e drejtë para Zotit dhe se kritikat për vendin nuk janë nga miqtë ndërkombëtarë, por nga vendasit.
“Ne i kemi vendosë taksë mallrave të Serbisë. Cilës Serbi? Kësaj që ia pamë krimet. Mas 20 vjetëve kemi vendosë taksë. Për 20 vjet i kemi dhënë kohë me u kry do veprime të pakryera. A ka vendim më të drejtë tek Zoti e tek robi se sa me mbrojt të drejtën tënde. Ne vendosëm me bë ushtrinë. Kur e bëmë ushtrinë nuk shkelëm të drejtën ndërkombëtare dhe i dhamë të drejtë vetes me u mbrojt. Nëse ne qëndrojmë te vetja e i tregojmë atij tjetrit se me kë ka punë. Ne duhet me i ndihmu vetes dhe miqve”, tha Haradinaj raporton EO.
Kryeministri ka theksuar se kritikat për taksën po vijnë nga vendi ynë dhe jo nga miqtë ndërkombëtarë. “Nëse vazhdojmë me e forcu Kosovën edhe miqtë kanë me na përkrah. Kritikat që vijnë nuk i kem prej miqve, i kem prej brenda, prej budallakive tona. Serbia po do me u bë anëtare e BE-së, i ka edhe 3 vjet, edhe 3 vjet na mban kështu, e kur vjen 2022 është mirë ne mos me u pajtu me njohje të Serbisë, është mirë edhe ne me i lënë me prit. Ne nuk kemi thënë që do të shkojmë në dialog pa i marr trupat e zhdukur”, ka thënë ai.
“Deri kur po dojnë miqtë tanë me e la vetën dhe me i rëndu shqiptarët. Ne i kemi pranu si miq po nuk bën me i rëndu një popull të vogël. Na vranë e na prenë e tash jepjani edhe një copë toke Serbisë. Le t’ia jep dikush një copë tokë Serbisë nëse guxon dhe do ta shohim se si do të dalë. Unë sa të jem në këtë Qeveri do t’i grahi kësaj pune, edhe nëse më rrëzojmë prapë pas kësaj pune do të jem”, ka përfunduar Haradinaj.