“Sheshi ish-sigurims”, Luan Rama: Ky është falsiteti i Vettingut

Hënë, 28 Janar 2019 18:37

Nga Luan Rama* –

Prej Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, është shpallur një vendim, Vendimi Nr. 12, Datë 22.01.2019, sipas të cilit, del e provuar se njëri prej anëtarëve të KLP ( Këshilli i Lartë i Prokurorisë), i zgjedhur nga radhët e prokurorëve, rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Edhe pse personalisht kam një qasje tjetër në lidhje me qëndrimin ndaj ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, për sa kohë ligji i përjashton ata nga e drejta për t’u përfshirë në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, analizën nuk mund ta bëjmë ndryshe, por vetëm duke iu referuar ligjit.

Dhe ligji e thotë qartë: “Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (Ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 105, germ dh).

Mirëpo, paradoksalisht e në mënyrë groteske, me anë të një deklarate për shtyp, prokurorja që kryen detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, na thotë se “… verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj”.

Vërtetë mendon kështu zonja me mandat të përkohshëm e zgjedhur për të kryer detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm?! Vërtetë nuk e di ajo se ligji ia ndalon një ish-bashkëpunëtori të Sigurimit të Shtetit që të zgjidhet në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë?! Apo bën sikur nuk e di?!

Mbase vërtetë nuk e di. Dhe dua të mendoj se nuk e di. Sepse në të kundërt, nëse e di dhe shprehet se “nuk ishte njëri prej kritereve të parashikuar në ligj”, gjendemi para një rasti skandaloz të shkeljes së ligjit dhe të përpjekjes për ta fshehur atë me injorancën, që jo gjithmonë është aq e pafajshme sa mendohet!

Pavarësisht komenteve e labirinthit të fjalive të deklaratës, që teksa rreken sikur e merr në mbrojtje, në fakt e shet prokurorin që u bë shkak i këtij debati duke ia lënë përgjegjësinë atij, ndërkohë që ligji njeh si autoritet përgjegjës vetëm Prokurorin e Përgjithshëm (neni 109 dhe 297 i Ligjit nr 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”), një gjë evidentohet qartë: integriteti i dyshimtë i reformës në drejtësi dhe falsiteti i procesit të vetingut!

*Zëvendëskryetari i LSI-së

Login to post comments