Institucionet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithnjë e më shumë janë të shqetësuara për situatën në Ballkanin Perëndimor, ndërhyrjen ruse dhe situatën e demokracisë.
Për këtë arsye edhe organizimi nga Senati në SHBA i forumit me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia” ishte një ndër aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit në tërësi përsa i përket ruajtjes së aleancës me SHBA-të dhe mbrojtjes së rajonit nga fuqitë e tjera që duan ta destabilizojnë.
Duhet nënvizuar se në drejtim të ruajtjes së prioritetit nga ana e politikës amerikane për rajonin tonë Senati luan një rol të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.
Në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, senatorët amerikanë zgjodhën të kishin të ftuar nderi edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Prania e tij aty ishte një moment të cilin senatorët e konsideronin kyç për sa i përket informimit mbi atë që po ndodh dhe masave që duhen marrë në rajonin tonë në këtë periudhë shumë delikate.
Tezat e prezantuara nga Presidenti Meta u vlerësuan shumë nga senati amerikan pasi shpalosnin qëndrimin mbarëkombëtar të shqiptarëve dhe shteteve tona në drejtim të aleancës me SHBA-të por edhe rolin tepër të madh që kombi ynë ka luajtur për implementimin e politikave amerikane dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Presidenti dha disa mesazhe që qëndrojnë mbi çdo gjë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për aleatët tanë.
“Marrëveshja Kosovë-Serbi, të ketë garant SHBA dhe BE” ishte thirrja e Presidentit Meta e cila u mirëprit dhe u duartrokit nga senatorët.
Por edhe qëndrimi i Presidentit mbi ndryshimin e kufijve, që sipas tij në Ballkan duhet të përfshijnë vetëm zgjerimin e Bashkimit Evropian në këtë rajon.
“Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë katalizator jetik për të zgjeruar kufijtë e NATO dhe Bashkimit Europian, pasi ato mbeten bazat e stabilitetit dhe begatisë në Ballkanin Perëndimor.
Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit evropian”, theksoi fort Presidenti Meta ndërsa mori përgëzimet e të pranishmëve për qartësinë dhe largpamësinë e vizionit të tij për një Ballkan në paqe e harmoni në rrugën e tij drejt familjes evropiane.
Presidenti shpalosi në fjalën e tij në Uashington vlerat më të mëdha të shqiptarëve si komb dhe besnikërinë e kombi tonë ndaj aleancës historike dhe jetike për ne me SHBA-të.
/55news.al/