Nga Ilir Nikolla
Tashmë edhe më fanatikët e mazhorancës socialiste e kanë kuptuar se protesta e 16 shkurtit nuk është një protestë e zakonshme politike. Vetë Taulant Balla në intervistën e fundit televizive ishte përpjekur ta çonte diskursin pikërisht atje ku i dhemb më shumë shefit të tij, tek pjesëmarrja në protestë, dhe kërcënoi publikisht se do të kishte ndëshkime të rrepta për këdo që do të shkaktonte dëme, qoftë në institucionet shtetërore, qoftë edhe një xham i një biznesi privat. Qëllimi është i qartë, shkurajimi i pjesëmarrësve dhe përpjekja për ta delegjitimuar aksionin politik të 16 shkurtit, për shkak të mosarritjes së numrit kritik të pjesëmarrësve.
Sa duhet të jetë ky numër kritik, që njëfarësoj demokracie direkte të zbatohet atë ditë në shesh dhe t’u jepet mesazhi të interesuarve se kryeministri i vendit është shkarkuar, jo veç se është kapur gafil duke vjedhur mandatet që i duheshin në 2017-n, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Dibër e gjetkë, por edhe se gjatë këtij viti është kapur gafil edhe duke keqqeverisur e vjedhur ditën për diell taksat e shqiptarëve për t’ua dhënë 4-5 miqve të tij? Duket se duhet të jetë një numër pambarimisht i madh, por në fakt s’ka pse të jetë edhe aq. Sipas raportit të Komisionit Evropian, në 2017-n, 20 % e shqiptarëve e shitën votën e tyre, e rrjedhimisht, 28 mandate deputetësh janë të paligjshme. Një mazhorancë që kthehet sa hap e mbyll sytë pa legjitimitet. Po të kemi parasysh, se formalisht, mazhoranca e Edi Ramës ka veç 7-8 numra mbi shumicën relative, rreth 7-80 mijë veta në shesh janë referendumi më i mirë që mund të shndërrohet në kuvendin e një demokracie direkte dhe rrjedhimisht të japë verdiktin e rrëzimit të kryeministrit uzurpator.
Duke vënë bast paraprakisht (jam i sigurt) se më 16 shkurt, ky numër protestuesish do të jetë në shesh, duhet verifikuar edhe një shumicë tjetër e heshtur, për të cilën nuk kemi informacion nëse atë ditë do të zbresë në shesh, por ka gjasa se po. Prania në bulevard me 16 shkurt është një rast i mirë për të dhënë një leksion se shqiptarët e duan demokracinë dhe kur verifikohet sëmundja e tmerrshme e oligarkisë, një sëmundje që kap shpesh demokracitë e pakonsoliduara (dhe ne na ka prekur rëndë, për shkak edhe të predispozitës së Ramës për ta përdorur oligarkinë si armë politike), e kemi ilaçin e demokracisë direkte. E kemi të trashëguar nga odat e burrave e nga mbledhjet në kuvende. Shembuj ka plot që i japin legjitimitet demokracisë direkte të sheshit dhe bathët janë që me 16 shkurt do të verifikohet një referendum i madh anti-Rama. Përpjekja për të shkurajuar protestuesit deri më tani ka rezultuar e vakët dhe jam kurioz të di a do të mund të luajë Edi Rama shurdhin edhe me 16 shkurt. Ai s’mund të thotë para dhjetëra mijë protestuesve se është thjesht një protestë politike. Ky stad ka kaluar. Protestat politike e patën kohën kur kërkohej transarencë për zgjedhjet e 2017-s, kur kërkohej hetim për dosjen 339 apo kur kërkohej që dy narko-ministrat e brendshëm të shkonin atje ku e kishin vendin.
Kërkesat për transparencë morën përgjigjen karikatureske të kryeministrit se ai po organizonte një e-qeveri me qytetarët, se hallet do i zgjidhte me peticione online, etj, etj. Roli i shurdhit u luajt sa kohë parlamenti ishte shndërruar në bunker, për shkak të drogimit me 20 % mandate të vjedhura. Tani ka ardhur koha e demokracisë direkte dhe me kalimin e masës kritike të protestuesve, që sipas sociologëve s’duhet të jetë më shumë sesa masa e votuesve që përcaktojnë shumicën relative në parlament, i duhet hapur rruga prishjes së “status-quo”-së (largimit të kryeministrit) dhe gjetjes së zgjidhjes politike.
Përndryshe, nëse Edi Ramës nuk i pëlqen demokracia direkte e sheshit, i sugjeroj të lexojë “Teknikat e Grushtit të Shtetit”, e Curzio Malapartes, i cili ka shkruar një libër të tërë për të renditur të gjitha mënyrat që mund të përdoren, që jo 200 mijë vetë, por vetëm 200 veta (le të jenë nga Mamurrasi apo Labëria, s’ka rëndësi prejardhja) të rrëzojnë një qeveri dhe një regjim.