Djegia e mandateve, Europa fitohet në Tiranë

Premte, 08 Mars 2019 13:01

ANDI BUSHATI/ Edhe sot ndërkombëtarët i kanë përplasur opozitës në fytyrë akuzën se po bëhet pengesë për integrimin e vendit. Me gojën e drejtorit të saj për zgjerimin, Christian Danielsson, BE ka përsëritur qëndrimet e ashpra ndaj djegjes së mandateve, duke e quajtur këtë akt një kurth për përparimin e Shqipërisë drejt Europës.

Ky mesazh, tashmë i stërthënë, është pjesë e një pakete që diplomatët perendimorë po i’a përcjellin ish deputetëve, gazetarëve (përfshirë edhe Lapsi.al) dhe opinionbërësve të ndryshëm, duke pretenduar se situata e tanishme do të pengojë hapjen e negociatave të cilat realisht janë shumë pranë.

Këshilla e tyre duket në thelb racionale dhe e ftohtë. Ne e dimë që vendi ka probleme, ne i kemi artikuluar vetë shqetësimet për krimin, drogën, pushtetin e oligarkëve dhe ekonominë pa konkurencë, por duke qenë të ndërgjegjshëm për të gjitha këto, sërish mendojmë se për shqiptarët, është më e mirë rruga që ofron BE, ajo e përmirsimit të ngadaltë, hap pas hapi, nën monitorimin sa më prezent të Brukselit.

Më këtë ofertë sa miqësore dhe po aq kërcënuese ata po vendosin në cep të ringut të gjithëkënd që mbron obsionin e daljes nga parlamenti, duke i akuzuar se janë përgjegjës për arratisjen e Shqipërisë në drejtim të paditur, jashtë mbikqyrjes europiane që siguron hapja e negociatave në qershorin e ardhshëm.

Pa i hyrë anekdodës nëse janë hapur apo jo realisht negociatat, se ne këtu në Tiranë e kemi festuar njëherë caktimin e datës dhe startin e tyre, ka një problem edhe më serioz: A duhet të kompleksohen opozitarët dhe mbështetësit e aksionit të tyre nga tregimi me gisht si delja e zëzë që ka bllokuar rrugën e vendit drejt BE-së?

Përgjigjja është e thjeshtë dhe e prerë: aspak.

Sepse oferta, mbyllni sytë për një çast, kaloni njëherë qershorin dhe pastaj do të keni më tepër garanci se edhe një pushtet autoritar si ai i Ramës kufizohet më shumë, nuk përbën një alternativë.

Europa, sa do më përpara nesh që të jetë, ka treguar edhe brenda saj se nuk i ka instrumentat për të kontrolluar rrëshqitjet antidemokratike edhe të shteteve të saj anëtarë, jo më të atyre që aspirojnë të bëhen një ditë.

Shembujt flagrantë të Viktor Orbanit të Hungari, apo ato të partisë të vëllait të mbetur Kazhinski ne Poloni, dhe ajo e Dragneas në Rumani, janë sinjale të forta që tregojnë se beteja kundër demokracisë iliberale zhvillohet më së pari në terrenin që e ka pjellë. Se për të kuruar simptomat e saj nuk është gjetur ilaçi as brenda 27-shes.

Pra mjafton të përmendim shembujt e mësipërm për të mbërritur në përfundimin e thjeshtë se nuk ka asnjë garanci, që afrimi pas qeshorit me BE, përbën edhe një zgjidhje për krizën aktuale.

Prandaj, friksimi dhe kompleksimi me etiketimin “antieuropian” i të gjithë atyre që po bëjnë betejë me regjimin në Shqipëri, është qesharak. Aq më shumë i tillë ngjan propozimi, për një pakt qetësie deri në verë, pa dhënë garanci se çdo të ndodhë më pas.

Pikërisht për këtë me regjimin e Ramës duhet vazhduar beteja edhe me çmimin e shtrenjtë të pritjes në stacionin e trenit të BE. Sepse duke luftuar me të në Tiranë gjendesh shumë më pranë profilit të europianit ideal, sesa duke iu përshtatur atij që ofrojnë burokratët e Brukselit.

Modifikuar më Premte, 08 Mars 2019 18:34
Login to post comments