Nga Qemal Sakajeva
Waltraud Tunger - Bejko qe gjermane. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, vendlindja e saj Chemnitz mbeti në Gjermaninë Lindore (RDGJ = DDR) - Republika Demokratike e Gjermanisë. Pas shkollës së mesme, të kryer në qytetin e saj, kishte studiuar në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), në Universitetin Lomonosov të Moskës (Московский государственный университет имени М. В. Ломоносова - Universiteti shtetëror i Moskës, me emrin M. V. Lomonosov (Михаи́л (Михáйло) Васи́льевич Ломоно́сов, 1711-1765). Fiks më 3 shtator 1959, vetëm dy ditë pasi kishte filluar viti shkollor, e hipur në biçikletë grarishte Diamant, Made in DDR - Prodhuar në Republikën Demokratike Gjermane - u paraqit në Teknikumin Bujqësor të Fierit si profesore e gjuhës ruse.
Waltraud ishte femra e tretë në qytetin e Fierit, që ngiste biçikletën. E dyta qe profesorja e sapomartuar dhe energjike Naxhie Cakrani, që vinte në shkollë me një biçikletë meshkujsh. Nxënësi më i rritur në moshë, Kolë Nikçi, një shqiptar i emigruar nga Gucia, profesore Naxhies ia vuri emrin Akcinja, personazh kryesor në filmin sovjetik Doni i qetë (Тихий Дон), ekranizuar sipas romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Mihail Aleksandroviç Shollohov (Михаи́л Алекса́ндрович Шо́лохов, 1905 - 1984), i lauruar me Çmimin Nobel për letërsi në vitin 1965. Në film, rolin e Akcinjës e luante mjeshtërisht artistja Elena Bistrickaja, të cilës profesorja i ngjante fort në fytyrë, trup dhe sidomos në gjallëri. Por, siç thuhej, e para femër që kishte ngarë biçikletën në qytetin e Fierit ishte Leonora Kaleshi, profesorja e historisë dhe e gjeografisë.
Waltraud Tunger sapo ishte martuar me Ilmi Bejkon, profesor i ekonomisë në Teknikum, një djalë simpatik nga fshatrat e thella të Skraparit, edhe ai me studime të kryera në Universitetin Lomonosov. Profesorja qe fat për ne që mësonim rusisht, sepse ajo nuk dinte asnjë fjalë shqip, dhe në punë sillej me disiplinë gjermane. Ajo nuk ma shqiptonte emrin saktë. Por edhe asaj ia kishin thirrur emrin në tri mënyra. Në Gjermani thirrej siç ia kishin vënë prindërit - Waltraud. Në Moskë ia rusifikuan - Valja. Në Fier ia shqiptarizuan - Vala.
Waltraud iu përshtat shoqërisë shqiptare në mënyrë të përkryer. Udhëtoi pa kurrfarë ngurimi në fshatin e të shoqit, thellë maleve mes Skraparit dhe Përmetit, hipur mbi samar në shpinë të kalit monopateve dhe pa e habitur tek shihej gruri në lëmë me patkonjtë e thundrave të kuajve. Por edhe duroi vuajtjet si grua e huaj, duke u endur me të shoqin në Fier, Tiranë, Kukës e Krujë. Ajo u bë një nuse kaluar shqiptares. Kurse vjehrri dhe vjehrra kurrë nuk ia përmendën që, një djalë i tyre qe vrarë në luftë nga një gjerman. Ata jetuan me të, pleqëruan me të, dhanë shpirt në duart e saj.
Waltraud përktheu nga shqipja në gjermanisht disa tituj të autorëve në zë të kohës. Me profesore Waltraud kam pasur tri komunikime të fundit. Kur nga Kukësi u afrua në qytetin e Krujës, shkova enkas ta takoja në shtëpi dhe e gjeta mbi makinën e shkrimit tek përkthente në gjermanisht një libër të Prof. Aleks Buda. Duke biseduar për shumëçka më la pa fjalë kur tha “e kam harruar rusishten, nuk mund të flas më rusisht”. Mbeta i habitur. E gjitha kjo, siç duket, ngaqë ajo ishte gjuhë e huaj për të (ndoshta, si gjermane, jo aq e papëlyeshme!), por mbase nga mospërdorimi për mbi 30 vjet. Më 1989 botova në gazetën Bashkimi shkrimin me titull Mësuesit, ku shtjelloja mendime për Waltraud Tunger - Bejko. Ajo, e prekur nga kjo dhe kurajoja për të shkruar për një grua të huaj, erdhi në redaksi bashkë me të shoqin, Ilmiun, të më jepnin një kafe dhe të shprehnin mirënjohjen.
Pas ndryshimeve të sistemit, Waltraud u kthye familjarisht në Gjermani, në pjesën perëndimore, në Gelsenkirchen të Rinit. Në vitin 2000 botoi në shqip librin Çapitjet e mia nëpër Shqipëri, për atdheun e dytë, siç e quan vet, me 37 vite të jetuara. Me ta lexuar i postova një letër si dhe librin tim Armatosja e politikës, botuar në fillim të vitit 1998. Përgjigja e saj ishte shumë mbresëlënëse, sidomos kur tregonte se librin e saj e kishte shkruar në gjermanisht, më pas e përktheu vet në shqip, ndërsa titullin Çapitjet e mia nëpër Shqipëri ia kishte këshilluar bashkëshorti. Libri i botuar në qershor të vitit 2000 në Shqipëri, në variantin gjermanisht u pajis me 80 shënime sqaruese për lexuesin gjerman, dhe më 2003 u botua në Gjermani me titullin Albanien - Mein Liben (Shqipëria - Jeta ime).