Një hashtag për të ruajtur përditshmërinë e revoltës

Diel, 17 Mars 2019 14:58

Nga Ilir Nikolla

Edi Rama nuk është se është i shurdhër, as se është i verbër. Pamja në panik në Berat e gjetkë dhe sjellja skizofrenike ndaj vartësve pse nuk i sjellin mjaftueshëm vartës në ecejaket e tij ilegale nëpër Shqipëri e tregon këtë.
Pra, ai i ka marrë mesazhet e protestës së 16 marsit. Por këto mesazhe ai i përkthen me thëniet në dukje krejt pa lidhje me realitetin si “ata s’kanë ç’t’i bëjnë qeverisë time, por juve ju lënë pa para” ose “qeverisë sime s’i preket asnjë fije floku, por shqiptarëve do t’i shkaktojnë krizë ekonomike”.
Dy probleme të rënda për çdo shqiptar nuk ia vlejnë të vënë në shqetësim kryeministrin Edi Rama. Imagjinoni çfarë përgjegjshmërie për postin publik dhe çfarë shantazhimi që u bën kryeministri shtetasve që ta mbajnë në detyrë megjithë bëmat e gjëmat që po bën përditë.
Dje dëgjova me sy të çmeritur që një deputete shumë e rëndësishme e Partisë Socialiste, kur u pyet për përdorimin shproporcional të gazit lotsjellës, pa iu dridhur qerpiku tha se protestuesit duhet të na e dinë për nder, pasi në atë protestë ishte e nevojshme edhe përdorimi i armëve të zjarrit. Një tjetër deputet recitoi pjesën e vjetër se ne s’kemi ndërmend ta lëshojmë pushtetin deri në vitin 2021. M’u kujtua një tjetër partizan i “status-quo” i cili i kapur gafil, deklaron se i ka duart akullore të pastra apo një tjetër që për 20 milionë euro që po shkonin në drejtim të paditur, justifikohet “ma hodhën, por ku qëndron problemi këtu”.
Pas 16 marsit, asnjë thirrje për ruajtjen e normalitetit s’duhet të përkrahet. Të rrimë pa bërë asgjë është njësoj si të shohim harbimin e Erion Veliajt ditën e 17 marsit e të bëjmë sikur nuk e dimë fatin tragjik të Ardit Gjoklajt. Të durojmë edhe më tej, do të thotë që t’i japim shansin Edi Ramës të na thotë “çfarë problemi ka” edhe kur t’i shtyjë zgjedhjet e 2021-it, pasi ashtu i kanë dalë disa punë e s’është ende gati për ofertën e re për shqiptarët. Të rrimë pa bërë asgjë është njësoj si të pranojmë fatin që të na rikthehen vizat, pasi hëpërhë në Shqipëri gjallojnë disa struktura kriminale, të cilat duhet të rrinë brenda karantinës Shqipëri e të mos përhapen metastazat edhe në BE.
Hapi permanent i të mosbërit asgjë është të qëndrojmë gjithmonë të irrituar me këtë qeveri që mendon vetëm si tua marrë taksat qytetarëve e tua japë familjarëve e klientëve të vet. Erion Veliaj që ishte sot gjithë kohën në panik, se mos ndonjë mbështetës i opozitës a ndonjë i ri i dilte përballë (siç i doli në fakt) është prova se një revolte permanente nuk i bën ballë askush.
Kjo është sfida, si të përqafojmë hashtagun revoltë përditshme.

Modifikuar më Hënë, 18 Mars 2019 09:58
Login to post comments