Qëndrimin tim personal dhe linjën editoriale të SYRI.net kurrë nuk e kam parë si luftë personale me personin Edi Rama, por me Kryeministrin Rama dhe modelin e tij të qeverisjes.
Si rrjedhojë, asnjëherë nuk të jam përgjigjur personalisht, dhe i kam qëndruar larg sulmeve nën-brez.
Nuk e kam marrë personale as kur detyrove pronarin e një televizioni modest të mbyllte emisionin tim ‘Fakt’ duke më nxjerrë në rrugë të madhe. Madje, thelle-thellë të kam falënderuar, sepse ishte ajo ndërhyrje brutale e Kryeministrit kundër gazetarëve kundërshtarë (si mua u ndodhi edhe shume emisioneve dhe gazetarëve), që më detyroi të hapja portalin SYRI.net.
Sot, falë qeverisjes tënde, SYRI.net ka një audience prej 450-500 mijë vizitorë në ditë, më shumë se të gjitha mediat e qeverisë sëbashku. Në aspektin profesional, edhe për ketë të falënderoj.
Shfaqjen e shëmtuar dje në sheshin Nënë Tereza e kam ndjekur nga larg dhe pa nerv. Thjeshtë kisha një kureshtje profesionale për të parë spektaklin e kalimit të pronësisë së Partisë Socialiste nga Edi Rama tek Erion Veliaj.
Duke e ditur se spektakli i sotshëm nuk ishte hapja e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale (pasi nuk do të ketë zgjedhje lokale), por ‘de facto’ kalimi i stafetës nga Rama tek Veliaj, më tepër prisja të shihja se si do të ishte pikënisja e Erion Velisë si lider i Partisë Socialiste. Por, jo! Sot e kishe me mua, dhe kolegët e mi.
Klithmat e pushtetit ndaj mediave që nuk janë me të dhe ndaj meje personalisht në anti-mitingun e Rilindjes i marr si një kompliment të madh profesional, dhe si motivim për të vazhduar më tej.
Por, nuk mund të rri pa t’i thënë dy fjalë ty si Edi Ramë.
‘Selamin’ që më dërgove para 7000 fytyrave të vrara e të sjella me forcë në atë shfaqje të shëmtuar, po ta kthej me ‘Selam’ përmes 500,000 lexuesve të SYRI.net. Nuk të jam përgjigjur as kur më ke dërguar sekserët e tu për të më blere.
As nuk të jam përgjigjur kur më ke kërcënuar haptazi e midis rreshtave, nëpërmjet shqiptarëve apo të huajve nën avujt e nxehtë të alkoolit në zyrën tënde. Por një gjë po të them: As nuk më blen. As nuk më shantazhon. E, as nuk më ndalon dot.
Duke qenë se kam zgjedhur të merrem me ty jo personalisht, por publikisht dhe politikisht, po të them gjithashtu se je i pashprese. Dhe nuk ta ka fajin askush. As kundërshtarët politikë. As kundërshtarët brenda partisë tënde. As kundërshtarët mediatikë. As të brendshmit e as të jashtmit.
Nëse të ka djegur se kam informuar publikun për shëndetin e Kryeministrit të vendit, unë e shoh si detyrim profesional të medias, jo vetëm këtu, por kudo në botë.
Vetëm diktatorët kanë problem bërjen publike të problemeve shëndetësore, sepse sundimin e tyre e ndërtojnë mbi frikën, dhe të qenit i sëmurë i bën vulnerabël. Ndoshta ti ke frikë të përmendin sëmundjen, se sëmundja të kujton vdekjen, por ky është problem psikik i yti.
Nuk kam zgjedhur të informoj publikun në lidhje me atë se kush të ka shoqëruar, kush të ka pritur në aeroport dhe me çfarë makine, sa kohë të është dashur për të mbërritur nga aeroporti në spital, dhe kush të ka shërbyer nga stafi mjekësor. Jo se nuk përbën skup mediatik, por se kam ruajtur një etikë profesionale për tu përqendruar vetëm në ato elemente që I shërbejnë publikut. Madje, as nuk të kam përmendur sëmundje të tjera, që janë më të rënda se katër stenta venozë, sepse janë gjëra tepër privatë dhe të vetë-shkaktuara.
Ne të dy e dimë se ti ke prekur fundin tënd. Po ashtu dimë se nga sot ti nuk je më kryetar I Partisë Socialiste, por Erion Veliaj. Dimë edhe se me shfaqjen e sotshme të përdhunoi duke të detyruar t’ia kalosh Partinë me spektakël.
Dimë edhe gjëra të tjera.
Dimë që grupi parlamentar të është ndarë në dysh. Se deputetet, disa prej ministrave, drejtorët, e shefat e policisë po vrapojnë për të gjetur pronar të ri brenda dhe jashtë partisë. A nuk janë minjtë që e ndjejnë të parët tërmetin?
Dimë që je i marrë peng nga krimi, dhe nuk të lenë të largohesh.
Dimë se lidhjet e tua me krimin janë të hershme, shumë më të hershme se para se ti futeshe politikës.
Dimë që ke probleme financiare ne Singapor e Hong Kong. Dhe se preferon të punosh me femra. Po ashtu, nga Delaware në New Jork.
Dimë se je futur në pazare territoresh dhe se të kanë kërcënuar edhe fizikisht.
Dimë se ka një duzinë shërbimesh që të njohin me dhëmbë e dhëmballë, dhe ti e di këtë.
Dimë edhe që po kërkon marrëveshje. Jo me shqiptarët, por me të huajt. Marrëveshje, jo për zgjidhje politike, por për vete. Marrëveshje që nuk po e gjen në Europë, e po shikon larg në lindje.
Dimë se do të urresh veten kur të mësosh se ata që ti sot mban më afër, bash ata po të shesin. Më shumë akoma do të shesin kur të mos jesh më.
Dimë se pa përjashtim të gjithë ata që po të rrinë afër, nuk e kanë prej idealizmit apo lidhjes shpirtërore me ty, por prej interesit, dhe kur të vijë momenti që tua kesh nevojën, nuk do të jenë aty për ty.
Dimë që nuk do të ikësh pa bërë dëm. Nuk e Dimë sa dëm do bësh. Këtë vetëm ti e di.
Dimë edhe se frikacaku dhe i ligu është më i rrezikshëm se trimi dhe i forti.
Por, si përfundim një këshillë politike dhe personale po ta jap: ke futur 37,000 kryefamiljarë në burg për rrymën elektrike, ke vjedhur miliarda dollarë me oligarkët e tu, ke marrë me dhunë prona, e ke rrafshuar qindra shtëpi, ke shkatërruar jetë, ke blerë e je shitur, dhe ja ku jemi.
Gjej një zgjidhje së pari për vendin, e së dyti për veten!
Sa për mua, po të them se këtu me ke!