Burg për protestuesit e opozitës, PD-LSI: U rikthyen gjyqet politike

Hënë, 25 Mars 2019 11:48

Ish-deputetët e Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe Klevis Balliu dhe ish-deuteti i LSI, Endrit Braimllari, ndoqën seancën gjyqësore ndaj protestuesve të opozitës, që u lanë në burg nga gjykata. Spaho, në një deklaratë për mediat u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që burgos protestues, ndersa shtoi se qytetaret do fitojne, duke e larguar Ramen nga pushteti.

“Për tre të ndaluar u vendos ‘arrest me burg’ pa fakte dhe prova. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë që burgos kur proteston për të drejtat e tua. Qëllimi i prokurorisë dhe gjykatës është të dalë në mbrojtje të mazhorancës me synim se do të trembë protestuesit në protestat e ardhshme që do të organizohen kundër kësaj qeverie dhe Edi Ramës. Por janë të pashpresë në këto përpjekje që bëjnë sepse kur qytetarët përplasen me qeverinë fituesit janë qytetarët. Kështu do të ndodhë edhe me këtë mazhorancë dhe Edi Ramën, i cili shpejt do ta lërë karrigen e pushtetit”, nënvizoi Spaho.

Ndërsa paralajmëroi se protesta do të vijojë, pavarësisht burgosjes së qytetarëve ndërsa nuk la pa akuzuar edhe Gjykatën e Tiranës, që sipas tij është kthyer në ambient të Partisë Socialiste.

“Për Dorian Protoduarin ju them me bindje të plotë që as nuk ka qenë gjatë protestës, ka qenë me një nga kameramanët. Nuk ka qenë fare te pjesa ku pati shtyrje me policinë. Akt i turpshëm politik që i kthen këto gjykata në ambjente të PS, nuk mund të quhen gjykata. Edi Rama i shpalli sot ‘luftë’ Unazës së Re me këtë vendim të turpshëm ndaj Dorian Protoduarit dhe ne ashtu do të përgjigjemi. Do të të ndjekim se je në kafe, se je në restorant, se je në takime dhe protestojmë ndaj teje. Po deshe na fut në burg të gjithëve se edhe po na fute në burg, protesta do të vazhdojë dhe nga burgu. Nuk do të na ndalësh dot”, perfundoi Balliu.

Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Endrit Braimllari deklaroi se me vendimin e sotëm të gjykatës, po rikthehen gjyqet polititike. “Është e qartë se është një ndalim, por dhe gjykim politik. Tanimë kjo është e dukshme jo vetëm për masat e marra sot, por për të gjithë protestuesit. Jetojmë në një vend ku kemi bëjmë me një qeveri, e cila është e kapur totalisht nga krimi i organizuar. Është e kapur totalisht duke vjedhur hapur tek Unaza e Re dhe ndalohen dhe arrestohen protestues, të cilët protestojnë për shtëpitë e tyre, pronën e tyre, dhe sot janë të lirë Edi Rama, Damian Gjiknuri, Afrim Qendro që kërkonin t’i prishnin shtëpinë Dorjanit dhe banorëve të tjerë të Unazës së Re për të gllabëruar 40 milion euro.

Keni parë vetëm 2 ditë më parë një përgjim zyrtar të Prokurorisë shqiptare, ku drejtori i policisë së Qarkut të Fierit komunikon me kriminelë ordiner në telefon dhe i thotë se do të sjellë dhe para. Ai është ende i lirë, Dorjani sot është në burg. Pra ky është morali i kësaj qeverie dhe ky është morali që sot Edi Rama ka përpara shqiptarëve. Ka totalisht një sistem drejtësie të kapur nga Edi Rama. Ka totalisht një presion që ushtrohet nga kjo qeveri, por nuk do të ndalë Edi Rama me gjithë bandën e tij protestat popullore”,- tha Braimllari.

Login to post comments