MARK MARKU /Dy ngjarje me të njëjtin personazh kanë shënjuar dje dhe pardje situatën e tensionuar të ditëve të fundit. Personazhi i të dyja ngjarjeve është funksionari i lartë i Policisë, Bert Nushi, ish-drejtor i Policisë së Fierit, aktualisht zv.drejtor i Policisë së Elbasanit.
Në ngjarjen e parë, Nushi shfaqet si personazh në skandalin e përgjimeve të çështjes Alizoti, ku pas përgjimeve të bëra publike nga ish-deputeti Salianji, ai akuzohet hapur se dëgjohet teksa negocion në telefon me Fred Alizotin, që ky i fundit të shkojë në Prokurori për të dëshmuar në çështjen “Babalja”. Publikimi i këtyre bisedave hedh dyshime të forta se kemi të bëjmë një superskandal, ku gjithë struktura shtetërore: Polici e Shtetit, Gjykatë, Prokurori, janë përfshirë në një manipulim masiv dhe të mirëkoordinuar për të vërtetuar një deklaratë të bërë më parë nga Kryeministri Rama se biseda mes Babales dhe Geron Xhafës ishte e gjitha një montim.
Sipas akuzave që mbeten për t’u vërtetuar prej prokurorisë dhe gjykatave, ishdrejtori i Policisë ka rol kyç në gjithë këtë aferë. Të nesërmen, i njëjti personazh shfaqet në një protestë të qytetarëve të Elbasanit, duke dhunuar ish-deputetin Luçiano Boçi, këtë radhë si zv.drejtor i policisë së Elbasanit, ku më së paku duhej të ishte i pezulluar nga detyra, qoftë edhe përkohësisht, dhe të vihej në dispozicion të organeve të drejtësisë për zbardhjen e çështjes së përgjimeve. Rasti është domethënës për rolin që ka marrë Policia e Shtetit në ngjarjet e fundit.
Ndërkohë që Shqipëria është përfshirë në një valë vrasjesh të njëpasnjëshme që kanë tronditur Tiranën, Elbasanin, Shkodrën, Vlorën dhe qytete të tjera, Policia është e përfshirë në dhunimin e qytetarëve pjesëmarrës në protesta. Dhunë krejtësisht joproporcionale: rrahje e qytetarëve pjesëmarrës në protesta, sulm me gaz, dhunim i studentëve, madje edhe i personave me aftësi të kufizuar. Pamje si këto nuk kanë pse të na habisin shumë, pasi e tillë është shfaqur Policia përgjatë gjithë këtyre viteve: e ashpër me qytetarët, e butë dhe e dhembshur me kriminelët.
A nuk i kemi parë sa e sa herë policët nëpër rrugët ku jetojmë t’u sulën me shqelma, shkopinj gome e grushte fshatarëve që shesin sallaturina nëpër rrugicat e Tiranës dhe të butë e duke u kujdesur për parcelat me hashash maleve e fushave të Shqipërisë? Sa e sa herë! Dhe na është thënë: kjo është Policia që duam. Por dhuna që ka ndërmarrë këtë herë ndaj qytetarëve duket se po shkon drejt një përshkallëzimi të ri. Dhe kjo shpjegon më së miri shkarjen e vendit në një lloj autoritarizmi të ri.
Sepse propaganda dhe terrori janë anë të së njëjtës medalje, thotë Hanah Arendt, në librin e saj “Origjina e totalitarizmit”. Gjithë këto ditë nuk kemi parë gjë tjetër veçse fjalimet e përçartura të Kryeministrit Rama, nga njëra anë të mbarsura me urrejtje, sharje, fyerje e kërcënime dhe nga ana tjetër, Policinë e Shtetit që është ndërsyer kundër qytetarëve protestues, duke shkelur në mënyrë të hapur të drejtat elementare të njeriut, si e drejta e protestës, dhe duke shkelur pa pikë droje normat e shtetit të së drejtës. Fabula bëhet e qartë dhe roli i Policisë edhe më i qartë: Policia e Shtetit ka bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe e ka mbështetur atë në kanabizimin e vendit, e cila nga ana e vetë ia ka kthyer borxhin me para dhe vota.
Tashmë që pushteti ndihet i rrezikuar dhe i trembur, Policia merr përsipër trimërimin e pushtetit dhe frikësimin e popullit: me dhunë, me rrahje, me gaz, me arrestime. Nga aktet e deritanishme shihet qartë se Policia e Shtetit jo vetëm po ushtron dhunë, por se përmes provokimeve të shumta po përpiqet ta nxisë edhe palën tjetër që të humbë durimin dhe t’i drejtohet dhunës si kundërpërgjigje, që nuk do të thotë as më shumë e as më pak se provokimi i një konflikti civil, gjë kjo krejt e mundur në kushtet e një shoqërie, ku më shumë armë kanë civilët në përdorim sesa shteti dhe ku shteti bashkë me gjithë potencialin e vet të dhunës mund të shkrihet brenda ditës, siç ka ndodhur jo pak herë në këto vite të tranzicionit.
Duket se Policia e Shtetit pikërisht këtë do: përfshirjen në akte dhune të popullit protestues, sepse kështu mund të ushqehen edhe njëherë topat e zbrazur të propagandës qeveritare. Që Policia e Shtetit po e bën me zell këtë rol, madje me shumë zell, kjo duket ashiqare, mjafton të bësh një krahasim të vogël me mënyrën se si u soll Policia britanike me protestuesit, që hynë dhe u zhveshën në Parlamentin britanik. Aty, protestuesit pa asnjë akt dhune, thjesht u nxorën jashtë nga Parlamenti dhe u përcollën në Polici, ndërkohë që protestuesit shqiptarë para Parlamentit, vetëm se u afrohen pak radhëve të Policisë së Shtetit, trajtohen nga kjo e fundit njësoj si i trajtonte Ali Kimiku, ministri i Sadam Hyseinit kurdët e Irakut.
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.