Në kushtet kur vendi pret një përgjigje për hapjen ose jo të negociatave dhe ku do të marrim presidencën e radhës të OSBE, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur pakënaqësinë për gjendjen aktuale politike, duke nënvizuar se shpreson të ketë një kthesë 180 gradë sa më parë.
Nga Byroja e Asamblesë së BE-së ku ishte i ftuar nderi, kreu i shtetit theksoi se situata duhet të ndryshojë së më parë për hir të rolit që Shqipëria duhet të luajë në rajon dhe më gjerë.
Meta: Do të kisha dashur një gjendje më optimiste politike të vendit tonë, të paraprirë nga një dialog politik i mirëstrukturuar dhe konsensus i përparuar mbi 5 fushat kryesore të reformave. S’e fsheh dot faktin që nuk jam i kënaqur me situatën aktuale, për të cilën shpresoj të marrë një kthesë 180 gradëshe të arsyeshme sa më shpejt të jetë e mundur dhe më mirë herët, se sa më vonë, duke pasur parasysh gjithashtu rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria duhet të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një faktor vendimtar për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta falenderoi gjithashtu mbështetjen e treguar nga Presidenti i organizatës, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm, Greminger, duke thënë se Shqipëria do ta shpërblejë besimin e dhënë prej tyre në kryesimin e rradhës së OSBE-së në vitin 2020.
Sipas Metës, Tirana zyrtare do të angazhohet maksimalisht për të avancuar përpjekjet e OSBE-së për siguri dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës.
Më herët në twitter, sekretari i OSBE, Thomas Greminger postoi një status ku shkruante rreth takimeve me Presidentin Shqiptar.
"Me Presidentin Meta, diskutuan situatën aktuale në Shqipëri dhe se si mund të ndihmojë OSBE-ja. Gjithashtu diskutuam kryesimin e ardhshëm të OSBE-së nga Shqipëria, në mënyrë që të jetë e suksesshme", shkruan Greminger.