Rama asgjëson sigurinë kombëtare

Tuesday, 09 Prill 2019 18:33

Grabitja e rreth 10 milionëve euro në brendësi të Rinasit ka goditur rëndë sigurinë kombëtare. Ngjarja është e përsëritur dhe tregoi se premtimet dhe deklaratat mburravece për masat e shtuara në këtë aeroport ishin vetëm propagandë e radhës e Ramës. Ishin si në të gjitha ngjarjet kur qeveria mundohet t’u hedhë hi syve shqiptarëve për gjoja reagim të menjëhershëm. 

Me ngjarjen e sotme siguria kombëtare është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër, sepse u pushtua aeroporti, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e Shqipërisë dhe e NATO-s.


Po t’i shtojmë edhe faktin se nga Rinasi , 2-3 orë më vonë do të largohej edhe zyrtari i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, masat nga ana e policisë duhet të ishin më të larta. Policia u gjend e papërgatitur edhe në një kohë kur përballja me terrorizmin mbetet një nga sfidat më kryesore dhe më të vështira që shoqëritë e lira dhe demokratike kanë sot.


Grabitësit hynë me lehtësinë më të madhe brenda rrethimit të Rinasit, mësohet se ngjarja ndodhi brenda 5 minutave. Ata ishin të pajisur me armatimet më të rënda si edhe municione luftarake, granata dhe dinamit.
Ngjarja ka ndodhur kur 160 pasagjerë kishin hipur në avionin Tiranë-Vienë, avion i cili mbante edhe shumën e parave të grabitura.

Për shkak të pranisë së një numri të madh të njerëzve kjo ngjarje mund të konsiderohet edhe një akt terrorist.  Akte të tilla kriminale janë përsëritur frikshëm në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është një nyje me rëndësi strategjike kombëtare, sepse nëpërmjet kësaj rruge lidhen të gjitha aktivitetet ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe ato të turizmit.
Rënia e Rinasit, institucionit me rëndësi të veçantë, nuk është një rast i lokalizuar në Shqipëri. Në 6 vite të qeverisjes Rama, Shqipëria e ka humbur sigurinë kombëtare duke nisur që me shitjen e vendit nëpërmjet PPP-ve dhe për të vazhduar me shndërrimin e vendit në një hambar të kanabisit, shndërrimin e Shqipërisë në një traget droge apo asgjësimin e punës së policisë të cilës i ka zhvendosur fokusin nga Krimi e banda te protestuesit./ Redaksionale

Modifikuar më E mërkurë, 10 Prill 2019 09:02
Login to post comments