Formula gjermane për zgjidhjen e krizës/ Qeveri tranzitore me specialistë, në 30 qershor s’mund…

E Enjte, 25 Prill 2019 21:07

Partitë politike shqiptare duhet të ulen dhe të dalin mbi interesat partiake për Shqipërinë. Është ky apeli i Martin Henze, këshilltari ekonomik i CDU-së në një intervistë për News24.

Ai jep dhe një formulë zgjidhjeje për krizën, krijimin e një qeveri tranzitore me specialistë të të gjithave fushave, por që ndryshe nga 2017 të krijojë besim te të gjitha palët.

“Partitë politike të jenë më përgjegjshme dhe të mos mendojnë vetëm për interesat e tyre partiake por dhe për interesat e Shqipërisë. Ka shumë zgjidhje që mund të adaptohen, besoj se partitë duhet të gjejnë zgjidhje. Një alternativë mund të ishte një qeveri tranzitore me ekspertë të fushave në mënyrë që të ngjallin besim tek të gjitha palët. Nëse në 2017 nuk ishte formati i duhur, të gjendet një format tjetër.” -deklaron Henze.

Martin Henze po ashtu shprehet se nëse zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor në këto kushte, ato sipas tij, nuk mund të jenë të lira dhe me standarde.

“Në qoftë se në fund të qershorit do të ketë zgjedhje në Shqipëri dhe nuk është e sigurt që këto do jenë të lira dhe demokratike. Nëse nuk arrihen disa standarde nuk mund të quhen zgjedhje demokratike.”- tha ai

Martin Henze vë theksin gjithashtu edhe në funksionimin e gjykatës kushtetuese dhe të lartë të cilat sipas tij janë element i rëndësishëm në një sistem demokratik.

Modifikuar më Premte, 26 Prill 2019 10:47
Login to post comments