AGRON GJEKMARKAJ
Intervista e Ramush Haradi najt pas samitit të Berlinit ishte dëshmia më e fundit që konfirmon shprehjen se shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes! E në këtë rast, por në asnjë rast nuk e kemi fjalën për bujqit dhe barinjtë, për mësuesit e këngëtarët a të tjera kategori kësodore! Jo, jo, bëhet fjalë për udhëheqësit tanë politikë, për ata të Shqipërisë dhe Kosovës! Rrëfimi i Ramush Haradinajt e më pas i konfirmuar nga të tjerë, e nxirrte atë si personazh të tradhtuar në një skenë, ku, as më pak e as më shumë, po flitej për kufijtë e Kosovës dhe të ardhmen e saj! A do të mbeteshin ata siç i duan shqiptarët, pra, siç janë aktualisht, domethënë ashtu si edhe shumica e aleatëve perëndimorë apo siç i do Vuçiç e Serbia?! Fatmirësisht, Merkel e Macron e varrosën këtë ide që e kthente Ballkanin përsëri në fuçi baruti në kurriz të integritetit dhe pavarësisë së Kosovës! Të kujtohet në të tilla rrethana shprehja e famshme e Faik Konicës e thënë për Shqipërinë, e cila vlen edhe për Kosovën se atë e krijuan idealistët, e ruajtën rastet dhe mund ta vrasin politikanët! Ideja e ndryshimit të kufijve ishte një mundësi për ta vrarë Kosovën! Dy syresh prej muajsh i kishin në dorë kamat, a nga papërgjegjshmëria apo nga të tjera yshtje, koha do flasë e nuk do vonojë!
Gjithë sa pati protagonistët e vet! Mbi të gjithë Presidentin serb, i cili e ka pranuar me dhimbje dështimin e tij! Ai ka punuar për interesat e veta me ngulm dhe me një farë suksesi! E pabesueshme duket, por ia doli që të shndërrojë në partizan të kësaj kauze edhe Presidentin Hashim Thaçi e Kryeministrin Edi Rama! Do të mbetet enigmë e madhe, e cila me kalimin e viteve do të mistifikohet kjo përfshirje e tyre në këtë aferë kaq të rëndë, e cila u refuzua nga Europa e bashkuar! Prekja e kufijve, shkëmbimi i territoreve, si një vijë ndarëse ka përcaktuar qysh tani protagonistët e vet në të dyja anët e veta! Dyshja Berisha-Haradinaj me atë ThaçiRama, të cilët nuk janë sot në një pozicion aspak të lakmueshëm, përsa i përket çështjes kombëtare se tanimë ajo është e tillë në çdo kuptim! Sali Berisha, i cili vokacionin për Kosovën e ka të hershëm e të demonstruar nëpërmjet shumë faktesh e ngjarjesh me intuitë, ishte i pari dhe më këmbëngulësi që denoncoi rrezikun e madh që kanosej nëse kjo ndodhte, duke ia shtuar vetes kudo simpatitë andej e këtej kufirit! Berisha, në këtë pikë, dukej i gatshëm të sakrifikonte shumë, edhe në plan personal, edhe në raport me zëra të ndryshëm nga SHBA, të cilët nuk e prisnin nyjën gordiane, duke folur me nënkuptime! Nga ana tjetër, Rama dhe Thaçi u përpoqën që këta zëra t’i tërhiqnin nga vetja për arsye personale që lidhej me pushtetin dhe karrierën e tyre! Në këtë kontekst, ata dalin shumë ligsht në këtë histori! Nuk jemi të sigurtë se pas 40 vitesh nuk do i radhisin pas Enver Hoxhës kur të flitet për Kosovën në tekste! Ata, nëse nuk duan të mbeten në pozitat e tradhtisë, duhet ta sqarojnë pozicionin e tyre! Po ashtu, Ramush Haradinaj, me stoicizëm të pazakontë (sepse politikanët shqiptarë nuk kanë bërë ndaj të huajve kurrë një qëndresë parimore), ia doli gjithashtu të bëhej penguesi tjetër me peshë i skenarit ogurzi të prishjes së hartës, që doli nga lufta e NATO-s dhe që mundësoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Këmbëngulja e tij për taksën, në dukje e verbët, në fakt, është logjike e racionale! Ajo mbetet akti më i fortë që një qeveri kosovare ka bërë për të mbrojtur shtetin e vet! Frutet e saj pozitive u gjetën edhe në vitrinën e Berlinit! Sapo shqiptarët kaluan një rrezik të madh! Do të ishte naivitet i pafalshëm nëse nuk e vënë gishtin mbi ata që i çuan drejt tij! Nëse nuk mësohet nga gabimet, e keqja përsëritet! Zakonisht, ne e kemi zët të mësuarit dhe ndaj na përsëriten! Jemi ndarë e copëtuar, jemi tradhtuar e përsëri na përsëritet mundësia për të ribërë të njëjtat faje a tradhti! Si me luftën dhe diktaturën, si me dekomunistizimin e munguar, ku çdo gjë e mbulojmë me kapakun e interesave të personave që na sundojnë! Nuk do ta kemi gjithmonë Merkelin të na dalë zot dhe të na ruajë nga ata që tokën shqiptare e shohin si bahçen me kumbulla e fiq të lënë trashëgim nga mixha! Po Sali Berisha dhe Ramush Haradinaj u treguan shqiptarë të mirë! Do duhej ta thoshim edhe për Thaçin e Ramën, por s’e themi dot!
Është bërë Shqipëria dhe Kosova, janë bërë edhe shqiptarët, por ende jo udhëheqësit e tyre! Fati, bashkë me dy të tjerë, qe ushtria jonë në kufi me Serbinë kësaj here.