Protesta-marshim e opozitës përveç një demonstrimi ‘forcës së numrave’, u shoqërua dje dhe me një interpretim artistik.
Poezia e Flutura Açkës ka rrëqethur turmën, pas interpretimit që iu bë në publik nga Taulanda Jupi, përfaqësuese e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.
Poetja disa ditë më parë ka shprehur mbështetjen e saj për protestuesit e opozitës, duke i dedikuar në vargje mendimin e saj.
SHIKO VIDEON
Poezie e Flutura Açkes rrenqeth turmen ne protesten e opozites on Vidnews.
Teksti i poezisë së Flutura Açkës
Nën gaz Tirana e pagaz
Ti shkel mbi ta me thundër,
me sarkazmë,
me hekurbeton,
me oxazepine i verbon,
me taftatë e grave të mira të vendit tim,
që të dinë të mirë,
e t’duartrokasin me pahir,
përgatit qefinë.
Me helm ua ngjyen natën,
në shijen e darkës ua tret t’idhtën nikotinë,
me të fundmet grahma të durimit,
thur haluçinimet e tua në cyber space,
me tënden rutinë.
Me rruazat e syve të fëmijëve,
që diell ëndërrojnë,
thur zinxhirë të rinj errësire,
një të re plojë.
T’mbyllta duken dritaret,
ajri i natës vika era përzhimë,
a i ndien,
apo s’ta ndjen?
Me marka kollaresh të shndritshme,
var shpresën e tyre çdo ditë,
nuk harron t’u veshësh,
xhaketa dalëboje batutash,
trupin ua e kafshon çdo mbrëmje,
me fjalor ngjyrëeurope,
me zhargon rrugërie qesëndis,
me huqin e kumarit me djajtë,
n’short ua e hedh përditë atdhedashurinë.
Ti llapaqeni shik i pleqënisë,
që kohët moderne parlament i thanë,
ashtu, me ëndrrën perverse të përjetësisë divine,
si faraonët mbi Nil, masturbon mbi Lanë.
Ti tani je qenie pa liri,
cub, që nga fermenti i luksit qelbesh bërsi.
Me farë djalli, ti farë djali,
gjithë ditën e lume loz me tënden rraketake,
dhe ngjyen me britma makinën e memories së Atdheut,
të lodhur nga plagët n’fytyrë e n’shpinë.
Në gjah ke dalë,
mes parkut fantazmë të kullave të tua,
me pemë betoni të zëna në kurthin e dhunës,
aty, zagarët e tu nën orgazma kimike,
t’i lëpijnë të lumtur lustrinat e luksit,
pushtetin tënd prej rëre,
dehjen diabolike.
Me ç’materie të prishur,
mbushur silikoni i kafkës tënde,
ku sheh ëndrra sulltanësh në fronë,
që veç thyejnë e shqyejnë,
tymosin e zhbëjnë,
thërrmojnë e ngjyejnë,
helmojnë e fyejnë,
shpëlajnë e lyejnë,
durimin tonë.
Trembur, zhveshur kujtese qyteti,
mbulohet me petka të hidhura ëndrrash,
por ti s’e sheh,
shpejt nata në ufëm do pëlcasë:
Zot, Ajme!
Ku je?