- Nga ideja për mbylljen e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, te ideja për themelimin Institutit të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare -
Eden Babani, Bruksel
1
E zgjodha këtë titull, teksa m’ u fanit koha kur na dilnin trutë mbi veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit, që të merrnim një notë sa më të lartë në të ashtuquajturën “lënda e filozofisë”. Në të vërtetë, kur kujton njeriu vitet e rinisë, veç ngazëllehet. Jo se unë nuk ngazëllehem si gjithë bota, por teksa më fanitet ajo kohë, njëherësh më puprriqet mishtë. Ç’ pyet, rini e kaluar nën diktaturë! E, megjithatë, parapëlqeva që titullin ta zgjidhja me ndihmën e fjalorëve të zhubrosur të ish-Institutit të Studimeve të Marksizëm-Leninizmit (lexo: Instituti i Shpëlarjes së Truve!), me shpresë se nostalgjikët e ish-regjimit komunist, ish-sigurimsa ose jo, do të më kuptojnë më mirë. S’u vë faj. Çështje brumosjeje me ideologji të thithur një me qumështin e nënës, çështje mëkatesh prej nga nuk ndahen dot sot e tridhjetë vjet pas groposjes së atij instituti që mori me vete e groposi njëherë e përgjithmonë idetë-slogane që përpunonte. Edhe, nëse ndokush përpiqet të zhvarrosë të vdekurit dhe pastaj fantazmat e tyre t’i veshë me petka demokratike, e siguroj se do të gjendet vetë i pari përballë absurdit. Të vdekurit nuk mund të ngjallen.
Asohere (1904), Lenini replikonte me Roza Luksemburg për ndarjen e Partisë Punëtore Socialdemokrate të Rusisë në bolshevikë e menshevikë. Sigurisht që konteksti historik nuk është i njëjtë as në kohë, as në hapësirë me të sotmin, të cilit i referohet shkrimi im. Por shprehja e Leninit është përvjedhur nëpër botë dhe ka hyrë në shumë gjuhë qysh prej njëqind-e-ca vitesh, për të vënë në dukje regresin, në raport me progresin. Ja sepse, sipas meje, titulli i shkrimit qëndron “top”, sido që ta kthesh, edhe për mua, edhe për këdo qoftë!
Mund të kisha zgjedhur një titull tjetër, fjala vjen, me emrin “karavidhe” a me togfjalëshin “shportë karavidhesh”, ngase karavidhja, me gjashtë a më shumë këmbë, po ta këqyrësh tek ec, lëviz sa para, aq edhe pas ose anash. Pra, edhe një titull kësisoj, “top” do t’i shkonte shkrimit, por druaj se nostalgjikët dhe frymëzuesit e tyre do të ma merrnin për fyerje duke e gjetur veten në shportë, çka nuk do ta dëshiroja assesi.
2
Lexova këto ditë një shkrim, ku hidhej ideja e krijimit të një Instituti të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitet ’90 të shekullit të shkuar, historiografia jonë e ka parë Luftën për çlirim nga këndvështrime të ndryshme, të cilat diku përkojnë njëra me tjetrën, diku ndahen për t’ u takuar në pafundësi (infinit). Së këndejmi, edhe analiza e titulluar “Duhet një Institut për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” (gazeta “Dita”, 4 maj 2019).
Si historian i doktoruar në universitete të njohura, autori i analizës është përpjekur me profesionalizëm të cekë pikat ku bashkohen dhe ku ndahen opinionet e historianëve, teksa sjell historikun e institucioneve të historisë të formuara nga 1945 e këtej dhe teksa përpiqet të gjejë pika takimi mes “historiografisë dhe historisë popullore”.
Mbase gaboj, por si vëzhgues, - pra, si jo historian, - unë e vlerësoj shkrimin këqyrur nga ky këndvështrim. Ama nuk mund të bashkohem me autorin, kur ai hedh prerazi idenë për formimin e një instituti që do të studionte Luftën ashtu të quajtur Nacionalçlirimtare. E para, sepse Lufta, sikundër e pranon edhe vetë autori i hedhjes së idesë, ka pasur elemente të luftës vëllavrasëse, përveç asaj çlirimtare. E dyta, sepse kësaj, sipas meje, i thonë të kthehemi tek organizma shtetërore që dikur kanë shërbyer për shpëlarje trush, si fjala vjen ai instituti i kryesuar nga e shoqja e Diktatorit Hoxha.
Historia nuk shkruhet nëpër institute, çfarëdo qofshin ato. Përkundrazi. Në princip, historinë e shkruajnë historishkruesit, pavarësisht institucioneve, të cilat, për hir të së vërtetës, ekzistojnë kudo në botë, ama pa marrë përsipër të vulosin çka është e vërtetë historike dhe çka jo. Në formë fondacionesh (shtetërore ose jo) ato shërbejnë për të mbledhur dokumentacione, për sistemimin dhe klasifikimin e tyre në arkiva e biblioteka, për t’i vënë ato në dispozicion të procesit pambarimisht të gjatë të historishkruarjes. Me një fjalë, nuk janë laboratorë që nxjerrin produkt të gatshëm, por laboratorë që ofrojnë lëndë të parë, në ndihmë të historishkruesve. Janë këta të fundit që, mirë a keq, bëjnë interpretimet sipas këndvështrimit të tyre. Rrjedha e kohës bën seleksionimet e nevojshme, duke ndarë të vërtetat historike, nga të pavërtetat.
A nuk do të ishte më produktive të krijohej një institut kësisoj, kur në arkivat tona - siç flitet poshtë e lart - kanë futur duart i miri dhe i ligu, kur shumë dokumente janë zhdukur me ndërrimin e situatave politike, me ikjen e njërës palë dhe me ardhjen në pushtet të palës tjetër? S’duhet harruar se përvoja jonë (shqiptare, pra) ka qenë për të ardhur keq (që të mos them e hidhur, zeher), teksa shteti është bërë palë me institucionet e pavarura.
Shembullin e kemi fare të freskët. Kërkesa për mbylljen e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe sulmi ndaj drejtorit, Agron Tufa, sapo instituti në fjalë botoi fakte se një deputet, një diplomat a një tjetërkush nga administrata shtetërore kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Në këto kushte, ç’na mbetet për të thënë më tepër, kur Kryeministri kërcënon Tufën me “hetime parlamentare”, duke u bërë palë me të akuzuarit, të cilët janë në konflikt interesi me detyrat që ushtrojnë? Po të shtojmë këtu edhe amullinë, në të cilën gjendet sot Akademia e Shkencave lidhur reformën e pretenduar ndaj saj nga politikanë që s’kanë asgjë të përbashkët me shkencën, ideja për një institut të ri që “do të studionte historinë e Luftës”, s’është veçse zbythje dy hapa prapa, pa hedhur ende mirë një hap përpara.
Me dashje a pa dashje, ide tilla për institute mbi institute shtojnë mundësinë e ideologjizimit të historisë, në bashkëvajtje me ideologjinë e shumicës qeverisëse. Sot me ideologji komuniste, nesër me ideologji fashiste a neofashiste. Njëherazi, ato frymëzojnë për mbijetesë një grushti nostalgjikësh, mbetur në këtë tranzicioni të gjatë të kalimit nga diktatura, në demokraci, qofshin këta edhe historishkrues.
3
Fonde ka pasur dhe ka. Por, për fat të keq, ato shpeshherë janë bërë rrush e kumbulla nga padija, në rastin më të mirë, ose janë shndërruar qëllimisht në një zinxhir përfitimi me shumë hallka për të dytë, të tretë etj.
Historiani Kastriot Dervishi më thoshte para do kohe se më shumë se tre milionë euro, sipas llogarive të tij, janë investuar për do projekte të panevojshme, disa prej të cilave sot e gjithë ditën kanë mbetur në letër, përfshi këtu edhe projektin për Muzeun e Kampit të Tepelenës, ku nuk është ngulur deri sot as edhe një gozhdë. Më pak sesa tre milionë euro, gjithnjë sipas tij, do të kishin mjaftuar për të ndërtuar godinën e Arkivit të Ministrisë së Brendshme.
Për sa më sipër, nuk duhet harruar se Dervishi, si historian me integritet dhe si ish-drejtor i atij arkivi e njeh problemin në thelb. E njeh së brendshmi edhe emergjencën për të ndrequr diçka ende sa nuk është arritur tek e pandreqshmja. Nuk duhet harruar, gjithashtu, edhe kontributi i tij çmuar për publikimin e dokumenteve të kohës së Luftës dhe asaj të regjimit të diktaturës komuniste, çka do të ishte objekt studimi i institutit të pretenduar.
* * *
Kohë më parë, kam botuar shkrimin “Historinë nuk mund ta rishikojnë falsifikatorët” (Gazeta 55, 12 shtator 2012). Shkrimi lidhej me censurimin e qëllimshëm që ishte bërë një interviste të historianit Tanush Frashri nga vetë e përditshmja që ia kishte kërkuar përmes internetit (Tanushi jeton prej vitesh në Vilah të Austrisë). E përditshmja kishte hequr nga përgjigjja pjesën për Enver Hoxhën. Rastësisht, ishte e njëjta pyetje drejtuar edhe Prof. Kristo Frashrit.
Përgjigjet ishin të ndryshme:
Prof. Kristo Frashri: Që në fillim, po them se thirrja për të rishikuar historinë është krejt pavend... Historinë e shkruajnë historianët në mënyra të ndryshme...”
Tanush Frashri: “...mozaikët e parë kanë nisur të vendosen në panelin e rishikimit të historisë. Nderi... i takon Prof. Dr. Ndreçi Plasarit, që mohoi me guxim veprat e tij të shkruara nën diktaturë...”.
Për mua, këto dy mendime, njëri në kundërshtim me tjetrin, e nxjerrin përfundimisht jashtë loje idenë për themelimin e Institutit të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, aq më tepër që falsifikatorë të tipit Pëllumb Xhufi janë me shumicë nëpër këmbë, të gatshëm për të hyrë në lojë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.