Barku që i polli ende nuk është shterpëzuar

E Enjte, 23 May 2019 18:57

Është ironike se si një thënie e shkrimtarit Bertolt Brecht e cituar për egërsinë naziste të Luftës së Dytë Botërore në rrethana sigurisht të tjera, vlen mbi egërsinë që e majta, bolshevizmi dhe gjithë derivatet e tij të shekujve 20 dhe 21, ushtroi në pjesën më të madhe të Evropës.
Tentuan me synimin për tu shtrirë dhe në SHBA. Ia dolën në disa vende të Amerikës Latine. Sigurisht kjo është një temë e gjerë, që historia hap pas hapi po e nxjerr të vërtetën e përgjakshme dhe kriminale të bolshevizimit dhe derivateve të tij. Historia ka dëshmitarët e saj, ka gjenitë e saj, që për pasojë lënë dëshmitë dhe pas leximit të librave të gjenive, kupton se të tillë i bën fakti që dinë të parashikojnë kohërat dhe fatet që vijnë. Kur dëgjon sot për disa fondacione private, për disa bilionerë, për çështjet se si ndërhynë dhe zgjidhin të ashtuquajtur konflikte, kriza apo “ndihmojnë në ngritjen e demokracive të reja”, nuk mund të të mos shkojë ndër mend libri i madh i SEAN McMEEKIN “Milioneri i Kuq”. Një libër ky i jashtëzakonshëm për Willi Mynzenberg i quajtur me të drejtë Cari i propagandës sekrete të Moskës në Perëndim. Kupton rrjetin e miliardave që iu dhanë në dispozicion Mynzenberg për të kontaminuar intelektualët, elitat në perëndim dhe shoqëritë perëndimore me idetë e bolshevizmit.
Pasi lexon librin e ke shumë të qartë se kush ishte në të vërtet Lenini, çfarë bëri ky njeri në Gjermani, si ishte e vërteta e Klara Cetkin, e Roza Luksemburg, kupton falangat e rekrutuara anembanë perëndimit nga Lenini dhe e dashura e tij gjermane.
Kupton dhe zbërthen se ajo rrjetë merimange ajo filozofi, ato fonde tashmë të shumëfishuara, ajo skemë funksionon fatkeqësisht dhe në shekullin e 21. Stalini dhe stalizinimi, bolshevizmi nuk do të vijnë më me mustaqe nga Siberia në këtë shekull të ri, vjen me pamje dhe fytyra të tjera , “moderne” të përshtatshme për shekullin e 21. Por dhe pse skenarët modernizohen pak, filozofia dhe strategjia është po ajo. Madje tani më e rrezikshme sepse nën mungesën e gulagëve realë, fizikë, nën mungesën e kampeve të punës, nën mungesën e lirisë me pranga dhe zinxhirë policie sekrete kanë ardhur elementë të rinjë të heqjes së lirisë nëpërmjet varfërisë, destabilizimit, zhvlerësimit të monedhës, varfërimit të kombeve ne funksion të një njeriu apo fondacioni, rrënimit dhe falimentit të bankave në funksion të një njeriu dhe fondacioni, shkëmbim territoresh ne zona të nxehta etnike duke përdorur elementë me një stil tashmë të shekullit të 21, por që prape është stil i sofistikuar i Mynzenberg.
Nuk është e vështirtë të kuptosh se nga vijnë teoritë për dy standarde për demokracinë , kur standardet janë një dhe të vetëm. Demokracia fillon me votën e lirë, por ka pasardhës të Mynzenberg që na shpjegojnë që në këtë shekull të 21 na u dashkan shkelur standardet demokratike për hir të një stabiliteti, se mund të shkelet sovraniteti i një vendi për hir të një fondacioni privat dhe tashmë nuk përgatiten skuadrilje pushkatimi ndaj intelektualëve dhe kundërshtarëve të regjimit në muret e lyer me gjakun e viktimave. Tani përgatiten reforma dhe strategji për të zotëruar trurin e njeriut me mediat e blera me miliona, përgatiten skuadrilje reformash për të të hequr lirinë dhe gëzimin e jetës duke të lënë më gjysëm dollari në ditë. Përgatiten skuadrilje në formë sektesh të udhëhequr nga një autokrate, qoftë ky narkoman, qoftë pseudoanarkistë, le të jetë nga të gjithë ngjyrat e ylberit, mjafton që skuadrilja e pushkatimit me në krye këtë lloj arkitipi, të zhduke hap pas hapi çdo gjë të lirë, çdo ide barazie, çdo themel që përbën një shtet demokratik, dhe shoqëria të dridhet sërish nën thundrën e një grushti njerëzish që nuk kanë uniformën e Stalinit, por brekushe moderne dhe kravata me ngjyrën e ylberit.
Bertold Brehti ishte gjeni në zhanrin e tij, por ku sheh librin dhe dokumentet, ishte njeri në xhepin e Mynzenberg. Sot Mynzenberg patjetër që ka, dhe shihet ne radikalizimin e filozofisë së tij në institucione të rëndësishme europiane dhe në zëra matanë Atlantikut.
Shkaktojnë sërish jo pak dëme që ne në Shqipëri i ndjejmë dhe kemi nisur ti lexojmë qartë. Tashmë vlen për strategjitë e së majtës nën fondet e Mynzenberg të rinj të thuhet serish shprehja gjeniale e Bertolt Brecht: “Kurrë nuk duhet harruar se barku që i polli ende nuk është shterpëzuar”

 

 

Modifikuar më Premte, 24 May 2019 12:01
Login to post comments