Dje paradite, me disa miq gazetarë, njerëz gazmorë e pa komplekse, po kundroja, gati nga maja e Dajtit, pamjen e Tiranës që shtrihej para nesh dhe, krejt natyrshëm, fjala “panoramë” nisi të përdorej shpesh e më shpesh.
Kuptohet përse: Vërtet që panorama në fjalë ishte mbresëlënëse, sepse lartësia e relievit dhe pastërtia e ajrit pas shirave të javës e nxirrnin atë edhe më shumë në pah. Befas, ngaqë më pëlqen jashtë mase të luaj me fjalët – këtë pasion timin lexueset e lexuesit e kësaj rubrike të përjavshme, por aspak të përvajshme, e dinë fort mirë – në mendjen time “panorama”, thjesht si fjalë, Ramorama sigurisht, u nda në dy pjesë dhe mua më erdhi vërtet keq që midis nesh nuk kishim një njeri të gjinisë mashkullore që të quhej Pano Rama dhe me të cilin mund të bënim humor duke futur në lojë edhe vetë zotin Edi Rama, Kryeministrin tonë të nderuar, i cili, herë pas here, ende luan me fjalët, sidomos kur i drejtohet zotit Lulzim Basha, kryetarit po aq të nderuar të opozitës së sotme në Shqipërinë tonë de-de, mok-mok, kra-kra, tik-tike.
Mirëpo, teksa uleshim pas rreth dy orësh të drekonin në një restorant fort tërheqës, fati na rezervoi një të papritur tejet të këndshme: Kryekamerieri quhej pikërisht Pano dhe, aty për aty, ne e pagëzuam njëzëri Pano Rama!
Nga Edmond Tupja
Ndërsa vazhdonim të sodisnim panoramën, por kryesisht edhe me ndihmën e verës, pa e kuptuar as vetë, kaluam te politika shqiptare dhe, në mënyrë të pashmangshme, pikërisht te zoti Edi Rama, aq sa, në një moment të caktuar, ndërhyra për t’u thënë miqve të mi të mos ia përmendnim më, të paktën për disa minuta, emrin e sidomos mbiemrin Kryeministrit tonë të nderuar, sepse me siguri do ta mbyste lemza, por ata, me çapkënëri, ia nisën këngës së Agim Krajkës: “Ik moj lemzë se mbarova…”
Më tej, pasi e morëm veten nga të qeshurit, njëri prej nesh u hodh e tha: “ Ja ç’do të thotë të jesh i lirë! Po bëjmë shaka me emrin e mbiemrin e zotit Kryeministër, por asgjë nuk po na ndodh sepse panorama dhe Pano Rama na kanë nxjerrë jashtë kazanit ku na fut herë pas here zoti Kryeministër! Imagjinoni ç’do të na kishin bërë në kohën e diktaturës sikur të luanim me emrin e mbiemrin e diktatorit, duke e quajtur atë Enver Rama, sikur të kishim thënë, për shembull, se enverama është panorama më e bukur e Tiranës, e Shqipërisë, e Ballkanit, e Europës dhe e mbarës botës!”
Pastaj, dikush tjetër nga ne e mori fjalën për t’i qarë hallin, me njëfarë humori të zi, popullit spanjoll për vuajtjet dhe tmerret e kohës së diktatorit Franko dhe duke sajuar emrin frankorama; mandej, një i tretë e vazhdoi humorin e zi duke ia qarë hallin popullit italian që vuajti aq shumë nën zgjedhën e Duçes, duke sajuar emrin duçerama; i katërti na kujtoi gjëmën jo vetëm të popullit gjerman, por edhe të gati gjithë popujve të tjerë të Europës, kur shqiptoi emrin hitlerama; i pesti vijoi me emrin stalinorama duke përmendur gulagun e llahtarshëm të Siberisë dhe, së fundi, unë shtova emrin maorama, duke iu referuar diktaturës komuniste në Kinë.
Befas, ne heshtëm të gjithë, ndonëse lista e diktatoramave me siguri mund të zgjatej pambarimisht. Heshtëm sepse u shfaq Pano Rama që hapi televizorin e sallës dhe, me një gjysmë buzëqeshje enigmatike, tha: “Vë bast që Edi Rama do të na nderojë me praninë e tij të çmuar!” Ne vështruam njëritjetrin dhe ngritëm supet pa hapur gojën për disa sekonda deri diku të sikletshme.
Ndërkaq, për fat, nisi emisioni i lajmeve: Aty për aty, ashtu siç sapo e kishte parathënë kryekamerieri, ekranin e televizorit e zaptoi zemërgjerësisht zoti Kryeministër dhe gjithë miqtë e mi gazetarë, pa pasur nevojë për dirigjent, u ngritën njëherësh për të deklaruar në kor: “Ç’mrekulli panorama e Tiranës krenare, por edhe më mrekulli ramorama mbarëshqiptare!”