Nga Qemal SAKAJEVA
Asokohe, kooperativa bujqësore e Fiersemanit, në Lushnjë, e kishte qendrën në fshatin Fierseman. Në oborrin e gjerë rrethuar me gardh, mes fare pak ndërtimesh të thjeshta, mu në mes gjendej një ngrehinë dydhomëshe. Edhe pse ndërtim i hershëm, qe me tulla, çimento e taracë. Kjo pronë e rrëmbyer familjes së bejlerëve Gjinallarë, u përshtat për mbulancë. Banorët, në shumicë dërrmuese, janë vendas - myslimanë e ortodoksë. Pakica qenë të ardhur: çobenjtë, që sot u thërrasin edhe vllehë, qenë sidomos në Gradishtë; 37 familje kosovare ishin vendosur në kodrat e Babunjës së Re, duke krijuar aty, një fshat nga e para, në vitin 1927; Gungasi, me plot vendas, kishte një lagje të mjerë, me një numër familjesh rome, emigruar nga Kosova; çame ishte një familje, ajo e Sejdinëve, në Babunjë të Re. Familja e dytë çame nuk erdhi vet. Atë nuk e solli përdhunshëm e për tërë natën, aty nga viti 1961, as Greqia, as Jugosllavia, por Partia. Sapo kishte ndodhur goditja politike, thuajse asgjësuese, e disa familjeve të njohura çame - Sejko, Demi dhe Resuli. Të internuarit e sapoardhur në Fierseman qenë pinjollë të Resulëve. Ndër ta ishte një djalë adoleshent i hajthëm, të cilit ia shquaje trishtimin në fytyrë dhe vështrimin e shpërndarë, nga që e keqja e madhe kishte goditur deri tragjikisht.
Si vatër kulture qe njëra dhomë e ndërtesës me tri dhoma tek tullë. Përgjegjës ishte caktuar H. Ç., një djalë nga Babunja e Vjetër, i cili ishte disi liberal. Në një kënd, përballë bibliotekës, gjendej radio sovjetike “Rodina” (Atdheu), me elementë gjysmëpërçues. Ajo qe si shartim teknologjik, sepse një pjesë bënte radion mbi tavolinë, pjesa tjetër ishte llambë me vajguri me rrethore fletësh ngjyrë argjendi varur në tavan, që përveçse ndriçonte, energjinë termike e kthente në energji elektrike, me të cilën ushqente mjaftueshëm pjesën radio, e prodhuar për humbëtira, ku nuk ishte kryer elektrifikimi. Dikur u blenë edhe dy kuti shahu, lojë për të cilën fshatarët thoshin se ishte shpikur në Bashkimin Sovjetik. Atëherë, çdo shpikje e madhe apo e vogël propagandohej se shpikeshin në BRSS. Ata që nisën të luajnë së pari me to, i përshtatën për lojën që quhej damë, nga që pak kush dinte të luante shah.
Një ditë vere, me plot droje, u fut në vatrën e kulturës djali adoleshent i familjes së Resulëve, e sapo internuar. Dhe rastisi që, në tavolinën e shahut, u ulën përballë, djali i sekretarit të partisë, nxënës në vit të dytë të shkollës së mesme, dhe djali i internuar me shkollë të ndërprerë. Vendasi zgjodhi gurët e bardhë. Të internuarit i mbetën të zinjtë. Vendasi dinte një sërë lëvizjesh, por pa i përvetësuar rregullat e shahut. I ardhuri i njihte rregullat e lojës, por i kufizoheshin lëvizjet. Kokoroshi i sekretarit sillej trimosh. I internuari rrinte i vetkontrolluar. Vendasi kishte disa mbështetës pas krahëve. I internuari ishte i vetëm. Herë pas here i shfaqej te supi përgjegjësi i vatrës së kulturës, për t’ia zmbrapsur turrin djalit të sekretarit, duke i thënë, “jo, nuk lëvizet ashtu”, “jo, s’mund ta hash gurin kështu”. Dhe, loja e parë e Resulit, qysh nga ardhja në internim, sidoqoftë shkoi në fund: në fushë mbetën dy mbretërit, i bardhi dhe i ziu. E, kur mbreti i bardhë u gjend afër të ziut, djali i sekretarit e goditi mbretin e zi në fundin e drunjtë, e nxori jashtë skakierës, dhe tha: “Fitova unë!” Djali i internuar i hapi sytë i habitur. Dhe foli qetësisht: “Jo, loja është remi, domethënë barazim. Në lojën e shahut mbreti nuk e ha dot mbretin”. Djali i sekretarit iu kthye me zë të ngritur: “Unë e kam radhën e lëvizjes dhe mbreti im e kullufit mbretin tënd”.
Resuli vështroi fytyrat përreth. Asnjëri nuk foli përveç përgjegjësit të vatrës se kulturës, që mëtoi ta ndante në paqë: “Loja doli barazim”, tha ai. Por djali i sekretarit kundërshtoi përsëri: “Nuk doli barazim. Unë e hëngra mbretin tënd”.
Pinjolli i familjes çame të Resulëve u ngrit pa fjalë, kapërceu derën dhe doli përjashta, duke u vetëndjerë trefish i dënuar: politikisht, si origjinë, dhe në shah.