Urdhri i prerë pas Apollo 11, më 20 korrik 1969: Asnjë fjalë për fluturimet kozmike, sepse “glorifikojmë imperializmin amerikan”
Nga Qemal SAKAJEVA
Janë të pakta ato vdekje që, si në emërues të parbashkët, prekin zemrat e të gjithëve. Astronauti amerikan Neil Armstrong, ky Njeri i Hënës, që Hëna edhe mund të ishte bërë varr i tij, por që ndërroi jetë vetëm në moshën 82-vjeçare, më 25 korrik 2012, padyshim mbetet fytyra që na shpërfaqet sa herë çojmë kryet kah kupa qiellore dhe vështrimi rrok satelitin tonë. Ne, tokësorët e tjerë, kush me tepri e kush më i përmbajtur, ndodh edhe të vetëlavdërohemi, për ku kemi shkuar e për ç’kemi parë. Kurse, Armstrong, heroi i madh i shkencës, legjendë e guximit njerëzor, pas kthimit në Tokë e deri në fund të jetës, mbeti aq modest sa që, misionin e jashtëzakonshëm e shndërroi në thjeshtësi të qytetarit gati të padukshëm, çka shpesh na ka shtyrë të pyesnim: Ku gjëndet Armstrong? Pse rri larg ekraneve, të cilat mbushen edhe mërzitshëm nga të tjerë, që nuk thonë gjë por duan të duken, për të treguar se janë?
Pas lëshimit në hapësirë të Sputnik 1, dhe fluturimit të kozmonautit Juri Gagarin, Bashkim Sovjetik u vendos një hap përpara amerikanëve. Kjo, në Shqipëri, u interpretua thekshëm si epërsi e ideologjisë marksiste- leniniste dhe sistemit socialist mbi ideologjinë borgjeze dhe sistemin kapitalist. Ato minuta, kur Gagarin rrotullohej përreth Tokës, në shkolla shqiptare nxënësit u nxorrën përjashta, të vështronin qiellin, a thua se, me këtë, kishte ngjarë si nëpër dollitë e marksistëve fanatikë: ”Komunizëm gjithë Bota!” Por, gjatë Luftës së Ftohtë, gara e nxehtë e armatimeve mes SHBA dhe BRSS, formën më paqësore e shprehu në fluturimet kozmike. Satelitët e ndritshëm shquheshin qiellit, sidomos netëve të verës diku në fshatra të terrtë, ashtu përzjerë me prushin e yjeve, dhe në dallim me ta, duke lëvizur në ngutje përreth Tokës. Kjo i pati rrëmbyer mendjet e kureshtarëve dhe të atyre që dëgjonin në fshehtësi radiot e huaja, që kundrimin e lirë të Gjithësisë, ta shndërronin në zakon, edhe pse nuk dinin rreth përparimit gjigant të shkencës, me raketa e astronautë, teknologji të lartë e aftësitë të pazakonta, thuajse përtej njerëzores. Por, 20 korriku i vitit 1969, kur Neil Armstrong, i pari njeri që vuri këmbën në truallin e Hënës, kur Buzz (Eduard) Aldrin e pasoi vetëm 18 minuta më vonë, ndërsa Michael Collins sillej i vetmuar përqark trupit qiellor, domosdo edhe nga ana e padukshme e saj, në pritje për t’i marrë të dy kolegët e së bashku të ktheheshin në Tokë, amerikanët e përmbysën në mënyrë spektakolare avantazhin sovjetik, dolën në krye asisoj sa bota mbajti frymën.
Por nuk pati një porosi të dytë për shkollat shqiptare, që t’i nxirrnin nxënësit e studentët përjashta, të vështronin kah Hëna, sepse mbi truallin e saj çapitej amerikani Armstrong, njeriu i parë nga Toka. Gjithësesi pati një urdhëresë. Pas Apollo 11, pas njeriut të parë në Hënë, pas lajmit gojor se, Armstrong me të zbritur në Tokë kishte kërkuar së pari të shkonte në Kishë - Shqipëria komuniste u përfshi “në garën e kozmosit”, në mënyrën më të marrë. Nëse amerikanët e sovjetikët lëshonin raketa e nisnin njerëz në hapësirë, komunizmi shqiptar që kishte dy armiq - Amerikën dhe Fenë - ndërmorri diçka të atillë sa brezave të mëpasëm nuk do t’ua rrokë truri: ndërsa zbritja në Hënë u përjetua si habia më madhështore njerëzore, ndalimi shqiptar qe marrëzia ideologjike më e padëgjuar. Pas Apollo 11, kryeredaktorët e gazetave dhe revistave, u thirrën në ndërtesën hijerëndë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sidomos ato që botonin lajme dhe shkrime nga fusha e shkencës. Ata, me t’u kthyer nëpër zyra, i mblodhën përgjegjësit dhe gazetarët, që të përcillnin urdhrin. Ashtu pati bërë dhe kryeredaktori i gazetës “Zëri i rinisë”, me prirje kurajoze brenda politikës së botimit, për të dhënë diçka të re. Por, atë ditë, edhe ai ndjehej i ndaluar dhe komunikoi shkurt: ”Me porosi të drejtpërdrejt të shokut Enver, nuk do të botohen më lajme për fluturimet kozmike dhe për arritje të tjera të shkencës, sepse duke i propaganduar ato, ne glorifikojmë imperializmin amerikan”. Vetëm aq qe komunikimi i urdhërit të prerë, madje duke përdorur fjalën e shprehur nga vetë Diktatori- glorifikojmë, dhe jo fjalët shqipe, mburrim apo lavdërojmë.
Asnjë lajm nuk pipëtiu më për Apollo-t që pasuan, kush ishin zbritësit e tjerë në Hënë, përveç shurdhimit me zhurmën e revolucionit tekniko-shkencor shqiptar, prodhimit të karrocerisë së autobuzit, sajimit të një pajisjeje që kursente benzinë te kamionët, a thua se inxhinierët dhe konstruktorët e makinave moderne ishin të pazotë, se plugoheshin lartësitë e mëdha të maleve për të mbjellë patate dhe gjëma e luftës së klasave, të zezën e së cilës ideologjia e zbardhte me propagandë si të qe paqë. Shqipëria fitoi garën e ndalimit të lajmit: siç qe e vetme në botë për ndalimin e fesë, e vetme në botë u bë edhe me censurën e lajmeve për fluturimet kozmike. Apollo-t shkonin në Hënë e ktheheshin në Tokë, por lajmet për to as nuk ceknin në “Planetin Shqipëri”, veç rrëshqisnin tërthorazi, përmes radiove të huaja. Kloni kufitar tokësor kapte dhe i përdhoste viktimat që përpiqeshin të iknin, kloni i censurës qe po aq i pranishëm dhe me pasoja dramatike.
Apollo 11 në Hënë, më 20 korrik 1969, dhe vdekja e Armstrong më 25 korrik 2012, gjithmonë do t’ua kujtojnë shqiptarëve urdhrin e ndalimit të Diktatorit, që i nxiti fanatikët deri edhe të thurnin lajmin-thashethem: Armstrong nuk ka zbritur vërtetë në Hënë, ajo që shohim është sorollatje e tij nëpër laboratoret e sofisitikuara amerikane.
Hiri i eshtrave të Neil Armstrong, këtij Heroi të Njerëzimit, është shpërndarë në Oqeanin Atlantik.