Ndodhën tre ngjarje rresht që më detyruan të shkruaj këto rradhë.
1-Gruaja më tha se Golja, djali i Nestit u bë drejtor spitali. Po konkursi zhvillohet javën që vjen, i thashë. Pika konkursit, ma priti ajo.
2- Nipi sa erdhi nga Londra më mori në celular. E njeh Taulant Ballën, më pyeti. Pse kaq poshtë ka rënë daja yt, e qesëndisa. Më duhet se ai të rregullon fët e fët në punë, tha e ma mbylli.
3-Ndërkohë hodha sytë në TV e pashë Albert Dervishin, i veshur polic dhe fliste për rregull, për ulje krimesh, për...
O grua, bërtita. Ky a pinte kafe te lokali poshtë pallatit e nuk qe i veshur polic, e pyeta. Berti zhvishet e vishet çdo katër vjet, qeshi ajo.
E kemi bërë shtetin si parkingu i Fredit. Ata që i ka shokë e miq i lejon të fusin makinën. Të tjerët sorrollaten nëpër lagje me shpresë se do kapin ndonjë vend ku të “flerë” vetura e tyre.
Administrata shqiptare mbase unike në glob. Gëlojnë në zyra veç militantët e fituesve. Si ata që zbritën nga malet dhe flakërinë në rrugë e burgje krejt intelektualët e shquar. Sot të merr frika kur halli të çon në zyrat e shtetit. Veç sorrollatjes të shohin nga duart. Kudo të fanepsen njerëz tesera, ose farefis fuksionarësh. Madje jo pa humor punonjësit e një ministrie kërkuan të shkartisen me ata të ministrisë përballë nga që ishin të gjithë kushërinj mes tyre.
Vendi para reformës në drejtësi kërkonte reformën e zyrtarëve, dinjitetin dhe profesionalitetin e tyre. Që partiaku pa shkollë e pa kulturë ta shihte me dylbi karriken e drejtorit a të një nëpunësi të thjeshtë.
Ndaj nuk do çuditemi ndonjë ditë kur si himn të administratës të këndohet:” Në ato maja rripa-rripa/njëherë ma...”