Pelegrinazh në Beograd

Tuesday, 23 July 2019 17:10

Nga Qemal SAKAJEVA

Ndoshta, brenda një viti, do të shënohen dy caqe kulmore të pelegrinazhit politik në Beograd.

I pari ka ndodhur më 17 janar 2019. Presidenti Vladimir Putin ishte për vizitë në Serbi, ku u prit me nderimet më të mëdha. Për të mos e veçuar më shumë se sa duhet vizitën e kreut të Rusisë, duhet thënë se kjo nuk ishte e para, por bëhen disa, dhe ai gjithmonë është gjendur në shtëpinë e vet.

I dyti ende nuk ka ndodhur. Sipas ministrit të jashtëm  Ivica Daçiç, në programin  Ditari të 16 korrikut në RTS 1, u tha se dikur nga fundi i vitit, Presidenti Donald Tramp do të vizitojë Serbinë. Kjo as u pohua dhe as u mohua nga Departamenti i Shtetit. Nëse do të ndodhë, rehabilitimi i Serbisë ngjitet në nivel sipëror dhe paskëtaj arroganca politike e Beogradit pritet të jetë fare e pamaskuar.

Po të kompletohet viti serb me këto dy vizita, nanurisja që Beogradi  do t’u përcjellë disa vendeve nëpër botë, do t’i përgjumë edhe më ndaj gjenocidit kundër shqiptarëve, ato do të përdoren edhe më shumë si dy argumente për synime të deklaruara, që nuk përbëjnë  strategji politike, por janë propagandë e llojit jugosllav, e mirënjohur dhe pëlqyer dikur në Perëndim: Serbia mëton të jetë politikisht titiste dhe ushtarakisht neutrale?!

Ndërmjet këtyre dy vizitave (e dyta ende nuk dihet), drejt Beogradit ka pasur një pelegrinazh të dendur. Duke vështruar nga tani e pas, bëhen disa: më 18 korrik 2019 ishte për vizitë amerikani Tod Walters, Komandant Suprem i NATO, që ka qenë gjeneral i Forcave Ajrore të SHBA;  më 15 korrik 2019 shkoi Emmanuel Macron, i pari president francez që shkel në tokën serbe që prej luftës në Kosovë; më 3 korrik 2019 ishte për vizitë Eliot Engëll, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan;  më 6 tetor 2018 ishte për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Jens Stoltenberg, i cili mori pjesë në “Serbia 2018”, në Mlladenovac afër Beogradit, në hapjen e ushtrimeve të përbashkëta për emergjencë civile organizuar bashkërisht nga NATO, Qendra Europiane për koordinimin e aktiviteteve dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë; më 25 prill 2018 ishte për vizitë Donald Tusk, Presidenti i Këshillit të Europës; ndërsa më 26 shkurt 2018 shkoi Presidenti i Komisionit Europan, Jean-Claud Juncker.

Vështirë që ndonjë kryeqytet tjetër ballkanik  të jetë vizituar nga  figurat më të rëndësishme zyrtare të Perëndimit, me një shpeshtësi të pazakontë, njëri-pas tjetrit ngjeshur në kohë duke përcjellë të njëjtat mesazhe, të formuluara në mënyra të ndryshme. Të gjithë kanë folur edhe  për marrëdhëniet Serbi- Kosovë, domosdoshmërinë për një zgjidhje përfundimtare mes dy shteteve. Mirëpo, ka dhe dallime ndërmjet tyre. Presidenti Aleksandar Vuçiç,  në prani të Vladimir Putin, foli troç duke i bërë Perëndimit presion të drejtpërdrejtë se, “Pa Rusinë dhe për shkak të fuqisë së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB, është e  qartë se nuk do të ketë zgjidhje” për Kosovën. Eliot Engëll u prit me sjellje diplomatike të akullt. Nënkryetari i parlamentit Vladimir Mariankoviç tha: “Po, është lobisti më ekstrem....” për shqiptarët, por “... le të përpiqemi t’i bindim lobistët e ndryshëm mbi qëndrimet tona”. Kurse Stoltenberg, duke dëgjuar pikëpamjen serbe, “e përse na duhet NATO?!”, tha se “NATO dëshiron që Aleanca dhe Beogradi të shohin drejt së ardhmes”. Ndërsa Komandati Suprem i NATO-s, Walters i dha politikës së Beogradi një shpërblim kur përcaktoi se  “Serbia po nxit paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Kurse luksemburgasit  Juncker dhe polakut Tusk i mbahen mend thënie  të ndryshme. Presidenti i Komisionit Europian Juncker bëri me dije në Beograd se “... ne nuk mund të pranojmë vende në BE që nuk kanë zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale mes tyre. Ne nuk mund të importojmë mosmarrëveshje dypalëshe”. Por Tusk ishte i papërmbajtur në mendim dhe pa kurrfarë mase në elozhe, aq sa politikën serbe e ngriti “te retë e bardha” duke i lënë gojëhapur në Beograd: ”Në politikë, ju jeni aq kreativë sa Nikola Tesla ishte në shkencë dhe Novak Gjokoviç është në tenis, duke shtuar këtu edhe vallëzimin kolo”. Por Presidenti Macron  tingëlloi i hidhur, kur u tha se  Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinjë që kanë të ardhmen në Europë.  Pavarësisht se kjo thënie u censurua në mediat serbe, Vuç nuk e heq shpresën te mbështetja e Parisit, i cili tha  se “I kërkova Francës që të na ndihmojë në rrugën tonë europiane dhe në zgjidhjen e krizës së Kosovës”.

Sidoqoftë, ky pelegrinazh i nivelit më të epërm, i shoqëruar me deklarata politike e qëndrime diplomatike, ka dy synime. E para, tërheqjen e Serbisë kah Perëndimi, për balancim të ndikimit rus, por  me një pasiguri  të madhe, sepse Serbia e ka Rusinë për gjithçka, ndërsa Bashkimin Europian e llogarit si “ Klub për përfitim”. Ndërmjet katër faktorëve, ka dhe ndryshime: Rusia ndiehet e sigurtë në aleancë me Serbinë, historikisht dhe për të ardhmen; ndaj Perëndimit, Serbia  mundohet të aktrojë Titon në kohët e sotme; Bashkimi Europian ka sjellje politike iluzore ndaj Beogradit;  SHBA i përcjell Serbisë mesazhin “të ecim përpara”, por edhe i thotë “mjaft më”.  E dyta, përmbyllja e marrëdhënieve Serbi- Kosovë. Zgjidhja nuk ka ardhur, por ndër shqiptarë, të cilët vuajtën luftën më çnjerëzore dhe kanë kryer kompromise gjigante, përjetohet me dramacitet padrejtësia duke u  kërkuar çfarë nuk mundet dhe nuk është e drejtë.

Gjithë ky pelegrinazh i shumëfishtë fsheh diçka që përceptohet me dyshim nga shqiptarët. Por kryeministri Ramush Haradinaj, në letrën e dorëheqjes pas ftesës për të shkuar në intervistim në dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit, bëri publike atë që politika dhe diplomacia e mbështjell me terma hermetikë kur tha: “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika...”

Të jenë dhe dy rastësi ?!  1. Ramush Haradinaj, pavarësisht se është gjetur i pafajshëm dy herë nga Tribunali i Hagës, thirret për së treti atje, po në Hagë, vetëm pak javë para takimit të Parisit, për  rifillimin e bisedimeve Serbi - Kosovë. A mos Haradinaj u llogarit i papërshtatshëm për bisedime dhe arritjen e marrëveshjes?! 2. Ministri i jashtëm Ivica Daçiç, njeriu shumë i afërt në pushtet me Sllobodan Millosheviç në kohën e masakrës dhe genocidit në Kosovë  (e ka idhull dhe e mbron fort edhe sot e kësaj dite), u dërgua nga Beogradi për vizitë në Uashington dhe, atë ditë që Ramush Haradinaj dha dorëheqje, ai  pati takim me John Bolton, këshilltar për Sigurinë Kombëtare i SHBA, i cili tha se “asnjëra palë nuk fiton nga status - quo. Koha për të vepruar për të dyja palët është tani”. Ndërsa Daçiç, në programin në serbisht të Zërit të Amerikës, deklaroi: problemi është në Prishtinë!

Gjatë shpalljes së dorëheqjes, Ramush Haradinaj u pa të përlotej. Kundërshtarët nxituan të thoshin se ai “qau për veten e tij”. Por ato pika lotësh rridhnin nga droja për fatin e mundshëm të Kosovës. Haradinaj është njeri që ka kaluar nëpër sprova të rënda dhe ka dhënë prova të mëdha. Ka 20 vjet që Kosova, në të drejtën e vetë, përballet padrejtësisht me sulme, pengesa, provokime, bllokime, madje edhe me shpërfillje e fyerje si shtet. Bota e fuqishme rri gojë mbyllur për Krimen e aneksuar nga Rusia me forcë, kurse ndaj Kosovës zhurmimi serb dhe botëror është i pamatë. Edhe në kohët moderne, të fortët merren me më të dobëtin si mujsharë. Domethënë asgjë e re: kjo është historia e njerëzimit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...