Shah rus

Tuesday, 03 September 2019 17:04

Nga Qemal SAKAJEVA

Loja e shahut përfshihet në sporte, por ka diçka domethënëse nga thellësia e intelektit, arti ushtarak dhe lufta: dy kundërshtarë vendosen përballë, me formacione rreshtuar sipas hirarkisë, që nga mbreti e mbretëresha, deri te oficerët, ushtarët, kavaleria dhe fortesat, dhe ndeshen për jetë aq vdekje mes tyre në kuadratin e ndarë në katrorë. Gjatë shekullit të kaluar, dy superfuqitë e botës -SHBA dhe Bashkimi Sovjetik- u vunë përballë në gjithçka, por binin në sy sidomos në tri fusha: ballafaqim gjigand i dy ideologjive dhe dy rendeve shoqërore  (doli fitues sistemi me rendimentin më të lartë -  kapitalizmi); gara e çmendur e armatimit bërthamor si strategji për fitore  që u emërtua Luftë e Ftohtë  (doli fitues SHBA dhe Perëndimi në saj të teknologjisë më të përkryer); dhe sportet, ndër të cilët loja e shahut brenda një salle ndiqej si përplasje e madhe mes dy blloqeve, kulmi i të cilave u shënua në vitin 1972, në atë që u quajt Takimi i Shekullit, i zhvilluar në Rejkjavik të Islandës ndërmjet shahistit gjeni, amerikanit  Bobi Fisher (Robert (Bobby) Fischer) dhe shahistit makineri,  sovjetikut Boris Spaski. Bashkimi Sovjetik kishte shahistë shumë të mëdhenj. Ndoshta po aq të mëdhenj i kishte dhe SHBA. Por amerikani Bobi Fisher e mundi Boris Spaskin, fitoi titullin kampion bote  duke thyer për herë të parë dominimin sovjetik në lojën e shahut.

Pas shpërbërjes së  “Perandorisë të së keqes”, siç e pati përcaktuar Bashkimin Sovjetik  presidenti Ronald Regan, në fjalimin e  famshëm të 8 marsit 1983, Rusia  u gjend  e mundur në ideologji, e mbetur pas në ekonomi,  e tkurrur në territor (prapëseprapë me sipërfaqe të pamatë prej 16 995 800 kilometra katrorë - pa Krimenë), e përgjysmuar në popullsi dhe në vështirësi të zhvillimit modern. Kurse Perëndimi  u vetëndje triumfator, me zhvillim të lartë teknologjik , mirëqënie të pakrahasueshme,  ndikim të gjithanshëm  deri në ish-republika të Bashkimit Sovjetik, duke mbërritur në kufi me Rusinë, nëpërmjet shtetesh  si Ukraina, tri vendet balltike, Gjeorgjia dhe republika të tjera, madje edhe vendi i qendrës së Traktatit të Varshavës - Polonia, u bë një anëtar i fuqishëm i NATO-s.

E tërhequr dëshpërimisht në zhguallin e vet, Rusisë kjo iu duk poshtrim më shumë se sa humbje dhe  iu deshën shumë vite të përmendej e të përpunonte strategjinë e vet, por pa kryer diçka domethënëse në zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe të fuqizimit ekonomik  të vendit.  E gjithë çfarë bën Rusia nën pushtetin e fuqishëm e të zgjatur të Vladimir Putin ngjan me lojën e shahut: nuk ka përshtatje të një ideologjie siç komunizmi qe tharmi i bashkimit dhe fuqisë së dikurshme, por politikën e ruse e dikton nacionalizmi, të qenit popull i madh numerikisht dhe zotërimi i hapësirave të  pafund; përcaktimi i Kremlinit se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik qe tragjedia më e madhe e shekullit të kaluar, se nuk duhej të ishte lejuar të ndodhte dhe, pa u thënë asnjë deklaratë e drejtpërdrejt, si qëllim shihet korrigjimi i çfarë  duhet korrigjuar deri atje ku e kanë ngulur “Gozhdën e Nastradinit”, domethënë sipas pikëpamjes politike të shpallur që, “Rusi është kudo ku frymojnë kumunitete ruse”. Kjo, në mënyrë figurative, përbën skakierën e lojës së shahut për Rusinë, për të fituar terren e territore përmes ripushtimesh me forcë.  Dhe Moska  kreu dy lëvizje të guximshme, duke e shpërfillur Perëndimin në mënyrën më  cinike, i cili gjendej  nën euforinë e fitores, madje duket se ende nuk ka dalë nga ai përjetim, përderisa forca politike perëndimore e mbështesin dhe e adhurojnë presidentin Putinin dhe Rusinë.

Lëvizja e parë e shahut rus është veprimi pushtues ushtarak - marrja e Osetisë së Jugut dhe Abhazisë në Gjeorgji  për pesë ditë; aneksimi i gadishullit të Krimesë përmes  rrethimit ushtarak  dhe shpallja territor rus për një javë; mbështetja me armë dhe ushtarakë e luftimeve disavjeçare në Ukraninën  lindore, urdhëri i firmosur nga Putin për njohjen e dokumentave të rusëve të dy republikave të vetëshpallura, të  Donjeckut dhe Luhanskut;  vendosja e raketave bërthamore në territorin “ishullor tokësor” të Kaliningradit, krejt afër zemrës së Bashkimit Europian, ngjitur me kufijtë polakë, pranë tri vendeve balltike dhe përballë Suedisë e Finlandës; dhe veprimet  ushtarako-detare për ta zgjeruar Rusinë deri në Arktik.

Lëvizja e dytë  e shahut rus është futja e frikës së luftës ndër popuj të Perëndimit, përmes kërcënimit  dhe mundësisë së përdorimit të armëve bërthamore; dërgimit të skuadriljeve të avionëve të shpejtë luftarakë mbi qiejt e Europës Perëndimore; inkursioneve të nëndetëseve bërthamore nëpër detra pranë brigjeve europiane;  prova e fuqisë përballë Perëndimit në luftën e Sirisë; deklarimeve se, po të dojë Rusia, e pushton Ukranën sa hap e mbyll sytë;  apo përhapja e lajmeve në media se Rusia mund t’i pushtojë vendet e Bashkimit Europian për 48 orë, duke  i shoqëruar këto me propagandë militariste në Sputniknews, që pastaj botohen e transmetohen anekënd botës, çuditërisht ndoshta më shumë se kudo në mediat e Shqipërisë.

Popujt europianë, pas mbi  74 vite në paqë, me mirëqënie domethënëse dhe begati të panjohur kurrë më parë, ende në gjysmë të udhës për të krijuar Bashkimin Europian si një projekt të  jashtëzakonshëm tanimë në pikëpyetje, gjenden  papritur e të papërgatitur përballë dy situatave të rënda, të paparashikura nga perëndimi euro-amerikan: vërshimi i papërmbajtur i emigrantëve në numra milionësh nga jugu dhe lindja e kontinentit  të vjetër dhe kërcënimi rus për t’u zgjeruar deri në kufijtë e dikurshëm të ish-Bashkimit Sovjetik, vija e kuqe e të cilit janë shpallur Gjeorgjia dhe Ukraina, por në heshtje ndoshta edhe tri vendet balltike, pavarësisht se ato janë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Në këtë shah rus - lojë e rrezikshme politiko-ushtarake e kohës sonë - gjithë bota sheh qartësisht se, “Mjeshtri i Madh” (po të huazojmë titullin më të lartë në shah) që i kreu të dy lëvizjet,  është presidenti Vladimir Putin. Përballë tij dhe Rusisë ende nuk shihet të ketë një Mjeshtër të Madh perëndimor, domethënë një Bobby Ficsher,  për të kryer lëvizjen e parë, të paktën për ta mbajtur  lojën e rrezikshme në remi, pavarësisht sanksioneve të ndërmarra ndaj Rusisë, një numri ushtarësh dhe teknike luftarake vendosur së voni në shtetet balltike dhe Poloni, nga NATO, prej të cilave Moskës as që nuk ia ndjen. 

Modifikuar më E Enjte, 05 September 2019 12:33
Login to post comments