Nga Gentian Çela
Në Shqipëri duket se ka një institucion që nuk është në duart e Rilindjes, i cili quhet Presidenti i Republikës. Ka disa muaj që ka filluar nga puna një Komision Hetimor parlamentar për këtë gjë dhe pritet një opinion nga Venecia për këtë çështje. E gjithë historia do të duhej të mbyllej në Gjykatën Kushtetuese që nuk është funksionale. Orkestra e shkarkimit i bie të njëjtës melodi, duke thënë se ky President ka shkelur Kushtetutën, ndaj duhet shkarkuar.
Orkestër qesharake, ku harqet i drejton Ulsiu, frymorëve ju bie opozita e re, pianon e ka Gramozi, tam-tamet Balla, kurse dirigjenti është vetë ai Rama. Libreti i shkruar dhe sajuar si mos më keq, por ju duhet edhe një kor i huaj. Kur i mendon të gjithë këta, i bën një pyetje vetes, kjo orkestër bajate ku është me raportin e saj me Kushtetutën e vendit, me ligjin, me të drejtën?! Askund, madje shumë prej tyre janë kapur me presh në duar duke trafikuar votat, me të cilat kanë arritur pushtetin, gjë që ju ka mundësuar të veshin petkun e atij që vendos drejtësinë.
Unë fillimisht besoja se nuk e kanë seriozisht, se do ti bien veglave sa për qejfin e njëshit të tyre, të dirigjentit. Madje ende besoj te kjo, por sepse duket që i kanë dhënë zor në prova dhe pas pushimeve duken me energji të reja. Por kjo do të jetë melodia e turpit të tyre dhe do të mbahen mend gjatë për këtë, natyrisht jo për mirë. Ata po mendojnë se po godasin individin Meta, por në fakt janë duke goditur Presidencën. Tashmë pushteti i ka bërë arsyebjerrë dhe udhëngatërruar.
Megjithatë le të presim e të shohim çfarë janë në gjendje të gatisin. Që nuk do të jetë një melodi, kjo duket, por zhurma që do të prodhojnë duhet të ndotë veshët e partnerëve, të cilët i kanë dhënë mesazhet e mospajtimit. Kjo orkestër vetëm sa thellon krizën politike, duke i dhënë një dimension të ri. Këta plangprishës duhen ndalur, ashtu si edhe i marri që i dirigjon, sepse koha e një partie shtet ka marrë fund. Ajo nuk mund të ndodhë edhe sikur ta çojnë deri në fund sazen e tyre zëçjerrë.