Më shumë se 28 vizita në Ankara, një emision i stisur në Itali tek Bruno Vespa, me Athinën zyrtare marrëdhëniet janë zero, ndonjë vizitë e fshehtë në Trikalla për ndonjë takim inkonjito dhe pjesa tjetër e agjendës është Fuga dhe Tao Balla. Atlantikun ka kohë që nuk e kalon, ndërsa aktet e fundit, deklaratat e fundit nga Gjermania tregojnë që i kanë hequr vizën. Dhe në Samitin e fundit në Berlin, që shkoi për ti prishur punë Kosovës, ia morën adidass-et e bardhë dhe i veshëm këpucë të kuqe.
Kurrë dhe asnjëherë diplomacia shqiptare nuk ka qenë në këtë derexhe se sa me këtë kryeministër dhe çunakun e Batonit, medemek ministër. Diplomaci molusqesh, e zvenitur, pa asnjë rol aktiv me partnerët real strategjik të Shqipërisë. Por 28 herë tek Erdogani dhe gjysma e tyre janë zhvilluar pasi Erdogan kundërshtoi Shtete e Bashkuara dhe bleu sistemin raketor mbrojtës nga Rusia. Për votimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, nuk ndoqi linjën e partneritetit strategjik me SHBA, por votoi kundër saj. Votoi kundër linjës së Presidentit Trump dhe ndoqi pik për pik udhëzimet e Erdoganit për këtë çështje, Njeriu më i izoluar sot kërkon të zhbëjë atë vokacion që shqiptarët kanë të natyrshëm dhe që nuk ua mëson dot asnjë ambasador apo guvernator.
Partneriteti strategjik i Shqipërisë është me Shtetet e Bashkuara të Amerikës , i Ramës është me Erdoganin. E theksojmë me Erdoganin sepse Turqia e vërtetë mike e shqiptarëve ka pasur Presidentë të cilët i kanë qëndruar me korrektësi siç e di natyra e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe jo me terma folklorikë vëllai i madh, vëllai i vogël.
Ky kryeministër me çitjanet e tij le të rendi drejt Anadollit me Erdoganin sepse Shqipëria e ka përcaktuar qartë dhe do të ndjekë udhën e saj euro-atlantike./ Redaksionale 55news.al