Thënie si klithma

Tuesday, 10 September 2019 14:21

NGA QEMAL SAKAJEVA

Shtëpitë

Mësuesi i matematikës në pension - Gori Mërkuri -  ka shtëpi fare të thjeshtë buzë kënetës,   në fshatin Karavasta të Lushnjës. Ky shok qysh nga adoleshenca  e hershme, gjatë një bisede të zakonshme në telefon pak javë më parë, tha se e kishte brengë që nuk pati asnjë fotografi  nga koha e nxënësit në shkollën shtatëvjeçare të Remasit, madje as edhe një për be deri në atë moshë.

Por rastisi të qe e thjeshtë për mua. Gjeta fotografinë e vetme të asaj kohe,  kur kishin dalë gjithë nxënësit e shkollës në një shkrepje të përbashkët me një aparat sovjetik “Smena”, nga fotografisti siç thirrej atëherë,  i ardhur prej qytetit. Me përpunim kompjuterik te foto “Kumi” në Tiranë, ajo fotografi e vogël  u zmadhua mjaftueshëm, dhe gjatë një udhëtimi asaj ane, ia çova Gorit një kopje të futur në kornizë. Ai mbeti i habitur nga kjo befasi. Pas një bisede rreth atyre viteve, kur dolëm përjashtë për t’u larguar me makinën e të birit, në anën e majtë të shtëpisë  së tij vura re një vilë trikatëshe,  e rrethuar me pemë  mes  kopshtit, me arkitekturë të bukur dhe e lyer në ngjyrë qumështi.

-Gori, para pesë viteve kur isha tek ti, nuk mbaj mend të qe ndërtuar kjo shtëpi.

Ai ktheu kryet andej.

-E bukur  ta shohësh, por brenda nuk ka asgjë. Aty nuk rron asnjeri!- tha.

-Pse?!

-Eshtë e një të mërguari në Itali. Erdhi, ndërtoi, iku. Po mos u çudit. Si kjo është edhe ajo shtëpia në anën tjetër. E shikon? Edhe ajo tjetra matanë dellit, po si kjo është, bosh fare. O huuu, në Karavasta ka shumë shtëpi të zbrazura, pa jetë,  si kjo.

Dhe heshti.

Por pastaj lëshoi një pyetje për udhëkryqin tonë:

-Hë, cila është gabim, shtëpia në Itali apo kjo në Karavasta?

Mërzitja

Kur u kthyem në Babunjë, rastisi të rrinim me bujkun M.S. Ai  është punëtor i pashoq. Aq punëmadh sa që veç gjumin e ka pushim.

-Si dole? A prodhove? A shite? A fitove?

“Kallashnikovit” të pyetjeve iu përgjigj në mohim duke tundur  kryet disa herë radhazi.

-Jam shumë i mërzitur, tha.

-Nuk të shkoi mbarë?

-Mbolla 9000 bimë me lulelakër, lakër dhe brokoli. I hodha tokës vetëm pleh organik. I kreva të gjitha shërbimet. Bimët u rritën si s’ka më mirë. Por prodhimin e hëngri lopa.

-Ti i mbolle për njerëzit apo për lopën?

-I mbolla për njerëzit  që të merrja pak fitim për vete. Por në treg nuk kishte fare çmim. Hiç fare, po të them. Nuk ia vlente t’i transportoje deri në tregun e Divjakës. Mendova të prisja, dhe prita ca. Asgjë nuk ndodhi për mirë.  Nuk nxora as lekët e shpenzuara. I preva bimët dhe ia hadha lopës në  grazhd. Pyes e askush nuk përgjigjet: Përse po punoj?!

Të kënaqurit

Në të hyrë të fshatit Dërmenas të Fierit, në anën e majtë të rrugës kur shkon për në Apolloni, një fshatar aty po mbyllte katin e dytë të shtëpisë: instalime elektike e hidraulike, suvatime, pllaka, dyer e dritare. Për shumë vjet, ai kat vetëm me kulm e tjegulla mbuluar, nga pamundësia për ta përfunduar, kishte shërbyer  si strehë për  bufat e natës. Grupit të vogël të ustallarëve u duhej diçka që u mungonte, ndaj njëri prej tyre shkoi të një shesh ku tregtoheshin materiale ndërtimi. Kur u afrua te pllakat e mermerit, pasi i përshëndeti dy punëtorët aty, pyeti:

-A keni ndopak punë?

Njëri iu kthye:

-Ne të mermerit për qivure dhe ata të arkivoleve prej druri kemi punë. 

Nostalgjiku

Shoferi i dha shpejtësi autobusit të mbushur përgjysëm,  duke shpresuar të mblidhte udhëtarë përgjatë rrugës Fier - Tiranë. Me të marrë kah  Ura e Mbrostarit, drejtuesi i mjetit  u kujtua të gjente një stacion radioje. Pasi u dha një emision i shkurtër lajmesh dhe ca reklama, folësi njoftoi për të dëgjuar këngën me çifteli “Moj Parti ta lumsha synin”. Mbi pesëdhjetëvjeçarët në autobus dëgjuan heshturazi, por me vëmendje, sepse ajo këngë që i thurte lavde Partisë së Punës, qe fort mirë e njohur për ta, ndaj disa aty menduan se stacioni i radios ndoshta po luante me nostalgjinë. Mirëpo vërtetë kënga kishte atë melodi me çifteli, por disa vargje të tekstit ishin ndryshuar enkas: “Anembanë ushton jehona/ Populli ynë do tallona”, dhe më tej, “Anembanë kriminela hajduta/ S’jemi trima, jemi m...” duke e përsëritur fjalën e pistë dy herë si refren. Teksti i këngës ishte tjetërsuar me qëllim vënien në tehun e kritikës të politikanëve, mosreagimin e njerëzve dhe  shigjetimin e mungesës së kurajës vetjake e kolektive.

Pasi  përfundoi kënga, diku nga mesi i autobusit, u dëgjua zëri qortues i një burri:

- Pse e lejon shteti  ndryshimin e këngës së krijuar nga dikush tjetër e në kohë tjetër, dhe e  mbush me fjalë të fëlliqura? O po këtu nuk ka shtet!

Disa kthyen kryet për të parë nostalgjikun.

Login to post comments