Rrjeti britanik BBC ka përgatitur një reportazh të gjatë për muxhahedinët iranianë, të vendosur në Tiranë prej kohësh.
Ashtu si në një tjetër reportazh të publikuar nga ‘Guardian’, qëllimi i shkrimit është për të zbuluar nëse muxhahedinët e MEK janë një kult, që kufizon anëtarët edhe nga fantazitë seksuale.
Pasi interviston disa disidentë të këtij grupimi, që vazhdojnë të jetojnë në Tiranë në pamundësi për të lënë vendin, BBC pyet një burim diplomatik, që thotë se MEK është një grup unik kulturor- por jo një kult.
Në mbështetje të grupit janë investuar amerikanët, që jo vetëm vendosën t’i sjellin në Shqipëri, por edhe kanë dërguar zyrtarë të nivelit të lartë në Tiranë për të shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen opozitare iraniane. Mes tyre është edhe avokati personal i presidentit amerikan, Rudy Giuliani.
Lideri i opozitës, Lulzim Basha, që ishte në qeveri kur u mor vendimi për pranimin e iranianëve, thotë se “ne u ofruam strehë prej sulmeve dhe abuzimeve dhe mundësinë për të nisur një jetë normale në një vend ku nuk ngacmohen, sulmohen apo brutalizohen”.
Por duket se socialistët në pushtet, kanë nisur të kenë rezerva.
Një burim i nivelit të lartë në Partinë Socialiste tha se është i shqetësuar se burimet e inteligjencës nuk kanë kapacitet e nevojshme për të monitoruar më shumë se 2500 anëtarë të MEK, të cilët kanë trajnim ushtarak.
“Asnjë njeri me tru nuk do i pranonte këtu,” tha burimi.