Paralelisht me pamjet e banorëve të Astirit, të përlotur para rreshtave të policisë që i ndanin nga shtëpitë e tyre, - tashmë nën pushtetin e fadromës, - ekranet e televizioneve të lajmeve transmetonin eventin e radhës të qeverisë në projektin e saj të “bashkëqeverisjes me qytetarët”. Rama u shfaq aty i buzëqeshur, plot batuta e humor, duke rrëfyer sesi njerëzit kanë gjetur derman, në platformën e ngritur prej tij për të zgjidhur problemet e vetë administratës së tij.
Cinizëm më pervers se ky nuk mund të ketë. Organizimi i një takimi që promovon bashkëqeverisjen midis Kryeministrit dhe qytetarëve, pikërisht në momnetin kur fadromat e tij po iu shkatërrojnë shtëpitë njerëzve të thjeshtë e të pafuqishëm, ndërsa policët e tij kanë gjakosur disa prej tyre me fraktura të rënda, është ironia më therëse që mund të prodhojë një propagandë e mbrapshtë si kjo.
Ekrani i ndarë përgjysëm paraqiste ironikisht kontrastin më të thellë midis dy realiteteve: ai i propagandës qeveritare, ku Edi Rama shfaqet si një bamirës i madh, që i ndihmon njerëzit një e nga një, për probleme që në fakt ua hap administrata e tij, dhe nga ana tjetër, ai i agresorit që iu rrënon atyre të vetmen strehë që kanë mbi krye.
Vetë ironia qeveritare ofron një dialektikë fyese për publikun: Qytetari në ekrane, përballë qytetarit në realitet, qytetari para kameras dhe qytetari poshtë fadromës.
Në qeverinë e piarit, Rama bashkëqeveris me popullin, duke u ekspozuar si i përkujdsur ndaj halleve të njerëzve. Në realitet Rama qeveris me oligarkë e banditë, kundër qytetarëve. Unaza është shembulli më i qartë i shkeljes me këmbë të qytetarit, për interesa korruptive dhe pazare miliona euroshe, të cilat Kryeministri i ndan me një grusht njerëzish, të cilët njihen për biznesmenë, por që të vetmet biznese që kanë, i bëjnë me pushtetin.
Dhuna agresive e shtetit ndaj banorëve të Astirit, ishte demonstrimi më i shëmtuar i degradimit të politikës në forcë. Një shtet që di të veprojë vetëm në mënyrë brutale, me policë me skafandra, që mësyjnë tinëz, në 5 të mëngjesit, duke goditur qytetarët me gaz lotsjellës e shkopa gome, për t’i nxjerrë ata përdhunshëm nga shtëpitë e tyre, tregon se mund të jetë gjithça përveçse shtet.
E vërteta bëhet edhe më e hidhur kur di që, gjithça po ndodh pasi qeverisë i është shkrepur t’iu japë nja 40 milion euro klientëve të saj, për të ndërtuar një rrugë prej 2 kilometrash. E, megjithëse u zbulua se projekti ishte korruptiv dhe se tenderi u fitua nga një kompani fantazëm, me letra false, akoma nuk ka njeri në burg. Përkundrazi, policia ka arrestuar me dhjetra herë banorë protestues, disa prej të cilëve janë ende në proces gjyqësor me akuzën absurde të bllokimit të rrugëve dhe organizimit të protestave të paligjshme. E kjo ndodh pavarësisht se liria për të protestuar është e garantuar me kushtetutë dhe nuk mund të ekzistojë diça e tillë si “protestë e paligjshme”.
Mesazhi është i qartë, shteti është në krah të hajdutit, kundër qytetarit. Ky shtet që i gafurret sot banorëve të thjeshtë të Astirit me muskujt dhe skafandrat e trupave të FNSH-së, është ai që nuk organizon dot një operacion për kapjen e një të forti, dhe nuk ruan dot prokurorët e tij. Ky shtet mbron dhe legjitimon vetëm oligarkët që ndërtojnë blloqe vilash në troje të grabitura në bregdet. Ky shtet është në krahun e horrave.
Leksioni që iu dha sot Sandër Lleshi të gjithë të rinjve, që kanë ndjekur nga ekrani performancën e policisë në thyerje kockash ndaj pencionistëve, është i qartë: Je i dobët, ndaj mbylle gojën dhe nënshtrohu! Kjo është arsyeja përse ky vend ka kohë që pjell vetëm emigrantë dhe horra.