Nga Bujar Nishani
Një lajm i rëndë për shqiptarët u përhap në mbarë botën pak ditë më parë.
Shqipëria, bashkë me shtetet afrikane, Sierra Leone dhe Laosin, kryesuan listën globale të vendeve më të korruptuara në botë.
Sipas Bankës Botërore, që i referohet studimeve të tre viteve të fundit, nga viti 2016 deri në 2019 në vende të ndryshme, shihet se Shqipëria kryeson listën globale të vendeve të korruptuara.
Shqipëria renditet e treta pas Sierra Leones dhe Laosit për korrupsionin.
Në këtë renditje, Shqipëria ishte në mesin e vendeve afrikane, shumica e të cilave ishin në një pozicion mjaft më të mirë.
Madje edhe Bolivia dhe Kolumbia, që janë vende ku dominojë kartelet e drogës dhe krimit janë më mirë se Shqipëria.
Në këtë situatë skandaloze e të pandodhur kurrë më parë, gjatë shumë bisedave të përditëshme që kam me miq e qytetarë ngrihet dyshimi se Edi Rama sajon skenarë artificialë për të shmangur vëmendjen nga drama dhe inkriminimi që i ka bërë shtetit dhe shoqërisë.
Në këtë tym propagande që ju hedh shqiptarëve duket se bën pjesë edhe teatri ku vetë bërtet se ai është i përzgjedhuri i mbështetur nga SHBA dhe BE.
Në këtë tallava karagjozllëku ai hodhi edhe sulmin sharlatanesk ndaj Kryetarit të Opozitës për gjoja lidhje me lobistë pro-rusë.
Imagjinoni tani, organizatori dhe udhëheqësi i protestave kundër antarësimit të Shqipërisë në NATO akuzon një prej promotorëve dhe aktorëve të dorës së parë në bashkëngjitjen e vendit në boshtin transatlantik, si pro-rus !
Jo pa qëllim këtyre akuzave qesharake i bashkëlidhet auto-logoreja e përsëritur e tij se ai qënka mbështetja e SHBA dhe BE në Shqipëri.
Në fakt, teoria se Edi Rama mbështetet nga SHBA dhe BE synon pikërisht të minojë besimin dhe orientimin perëndimor të shqiptarëve.
Autori i minimit të demokracisë, kriminalizimit të shtetit, korrupsionit skandaloz, tentohet të pompohet si imazhi i modelit që kërkon SHBA dhe BE në Shqipëri !
Pyetja është fare e thjeshtë !
Kush është i interesuar të mbajë një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE, në destabilitet permanent, një vend me institucione të dobëta e lehtësisht të kompromentueshme, një vend me shoqëri të varfër që blihet e shitet lehte nga çdokush ?
Padyshim që ky investim nuk mund të jetë i perëndimit por i kundërshtarëve të tyre , i Rusisë !
Për më tepër imazhin e një personazhi të tillë që personifikon korrupsionin, inkriminimin e shtetit, hedhjen në erë të institucioneve e atashojnë me modelin që gjoja e mbështet, e ledhaton e madje dhe e dashuron BE dhe SHBA !
Kush tjetër veç platformës ruse e synon këtë diskretitim të perëndimit në sytë e shqiptarëve ?
Ndaj tymnaja që Edi Rama sponsorizon vetë për veten e tij, se ai është “ylli” i SHBA dhe BE, është veçse një shërbim i plotë ndaj interesave dhe platformës së Rusisë për të diskredituar perëndimin tek shoqëria shqiptare.
Jo pa qëllim kasneci i platformës për diskreditimin e perëndimit tek shqiptarët keqpërdor angazhimin e SHBA dhe BE në reformën në drejtësi !
Partnerët strategjik kërkuan reformë në sistemin e drejtesisë, Edi Rama e manipuloi kërkesën e tyre për të asgjesuar totalisht Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, me qëllimin mafioz për të qeverisur pa kontrollin e pushtetit gjyqësor !
Partnerët kërkuan largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, pushteti manipuloi synimin e tyre duke goditur gjyqtarët që kishin dënuar kriminelët e lidhur me pushtetin dhe qeveritarët e tij të inkriminuar si dhe promovoi e u dha forcë brenda sistemit militantëve të tij të korruptuar që ishin investuar në lirimin nga burgjet të vrasësve seriale dhe kapove të krimit të organizuar që përdoreshin në proçese elektorale nga pushteti.
Partnerët kërkuan ngritjen sa më parë të GJK, Edi Rama manipuloi kërkesën e tyre duke dhunuar për të 100-tën herë Kushtetutën e vendit duke emëruar jo vetëm militantët e tij ekstremist por duke rrëmbyer ditën për diell kompetencat e gjithkujt që i teket.
Dua të kujtoj sot, pas më pak se dy dekada (që nga 1998) se Kushtetuta u hartua dhe miratua po nga këta që sot dekapituan të gjithë pjesën e drejtesisë së kësaj kushtetute e po ndërtojnë një variant të ri për mbrojtjen nga krimet dhe korrupsioni i tyre.
Askush nuk ka harruar atë që, po këta, që po e shqyejnë Kushtetutën dhe shtetin sot, bënë në 1998 me Kushtetutën dhe drejtësinë.
Asgjesuan totalisht atë piramidë që ishte dhe ngritën instrumenta tërësisht të reja të komanduara dhe kontrolluara nga militantët e tyre thellësisht të korruptuar dhe me mendësinë diktatoriale të 45 viteve që kishin shkuar.
Gjithkush kujton se si i ndërprenë mandatin Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, në atë kohë dhe e nxorrën me polici nga zyra duke e zëvendësuar me një deputet të tyre.
Gjithkush kujton se si emëruan me vota politike në krye të Gjykatës së Lartë ministrin e tyre të drejtësisë e më pas një arradhë të tërë militantesh të tyre partiak.
Askush nuk ka harruar se si këta që bërtasin përsëri sot për reformën, krijuan KLD dhe vunë në krye të saj zv/ministrin e tyre.
Të gjitha këto e të tjera, vetë i bënë, si deshën i bënë, për veten e tyre i bënë në 1998.
Pas më pak se dy dekadash, na u kthyen dhe thanë se po ata do na bëjnë një drejtësi të re !
Nisën të krijojnë përsëri instrumenta të reja, po për veten e tyre, po me të njëjtët njerëz e modele, po në shërbim të garancisë për mosndëshkimin e krimeve dhe korrupsionit të tyre.
Pa dyshim, që shërimi i sistemit të drejtësisë vijon të mbetet sfidë e madhe për shtetin tonë.
Duket se do të mbetet për një kohë të gjatë kështu.
Por ai as nuk shërohet dot e as shërimi i tij nuk nis dot, pa asgjesuar krimin në politikë, pa e pastruar politikën nga krimi, pa e rrëzuar politikën e lidhur me krimin, pa e larguar krimin nga qeverisja.
Drejtësia nuk shërohet dot e as funksionon dot pa larguar nga trupi i shtetit grabitqarët e korrupsionit masiv të cilët i gënjen mendja se do të shijnë përsëri siç kanë bërë mbi këtë popull për 75 vjet me rradhë.
SHBA dhe BE mbështesin përparimin e shqiptarëve dhe jo këtë model 75-vjeçar të punistëve shqiptarë.
BE dhe SHBA mbështesin ngritjen e një shteti me institucione të forta dhe profesioniste, jo të mbushura e komanduara nga trafikantë, vrasës, përdhunues e të korruptuar.
SHBA dhe BE mbështesin një ekonomi të lirë, konkuruese që zhvillon, jo konçensione, tendera e qeveri të korruptuar, të vendit të tretë më të korruptuar në botë, bashkë me Sierra Leonen dhe Laosin !
SHBA dhe BE kërkojnë drejtësi të pavarur, me profesionistë, pa korrupsion dhe jo guackë të errët për hajdutët qeveritarë.
Kërkojnë prokurorë e gjyqtarë antikrim dhe jo avokatë dhe çirakë të banditëve të partisë.
Pikërisht për këtë nuk janë asnjë dekikë e për asgjë me Edi Ramën.
E vërteta është se ka një platformë që modelin e Edi Ramës kërkon ta njehësojë dhe identifikojë me SHBA dhe BE.
Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë në këto kohëra të vështira të minimit të prespektivës së tyre.
Eshtë e qartë platforma ruse e njehësimit të identikitit të Edi Ramës me BE dhe SHBA.
Jo se Rusia e ka hallin për të ndihmuar Edi Ramën. Jo aspak !
Qëllimi i asaj platforme është të dëmtojë e diskreditojë imazhin e BE dhe SHBA tek shqiptarët.
Edi Rama është thjesht instrumenti i tyre në këtë rast.
Detyra e tij është e thjeshtë !
Të bërtasi çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, para fytyrës së shqiptarëve ; ....“unë jam SHBA, me mua është BE” ..!
Jo, ai nuk është ! Ata nuk janë me të !
Ai thjesht do të mbetet së shpejti, një vegël pa vlerë e platformës Ruse anti-perëndim në Shqipëri ! 🇦🇱