Komiteti i Monitorimit të Asmblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me të ashtuquajturën “paketë antishpifje” të propozuar nga qeveria shqiptare e të kritikuar gjerësisht, jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë por dhe organizata ndërkombëtare të gazetarëve si dhe nga institucione ndërkombëtare.
Shqipëria është ndër vendet anëtare që ende ndodhet nën vëzhgim dhe misioni i fundit në tetor të vitit të kaluar, i dy relatorëve për Shqipërinë, e pati çështjen e ndryshimeve në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, një nga temat kryesore të takimeve që pati në Tiranë.
Vendimi për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias erdhi në një moment kur parlamenti ka nisur shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Ilir Meta, i cili i ktheu pas ndryshimet e miratuara në fund të muajit dhjetor, ndërsa shumica nga ana e saj po këmbëngul t’i kalojë ato sërish pa i prekur.
“Dekretet e Presidentit të Republikës mbrojnë një status quo, ku shpifja ndaj personit ka triumfuar gjërësisht dhe ku dezinformimi publik është kthyer në normë jetese për shumë aktorë online, ndërsa bashkëpunimi ynë me OSBE dhe Këshillin e Europës ka synuar dhe do të synojë mbrojtjen e fjalës së lirë e të integritetit njerëzor nga shpifja si edhe të vetë publikut nga dezinformimi”, shkruajti sot në Facebook, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, duke deklaruar se “ne do t’i rrëzojmë dekretet e Presidentit”.
Zoti Balla shkruan më tej se”do të vijojmë bashkëpunimin me çdo organizatë brenda e jashtë vendit, për çdo përmirësim të mundshëm të legjislacionit “anti-shpifje” në të ardhmen. Ne jemi në kontakt dhe i falenderojmë kolegët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që ia kaluan Komisionit të Venecias tekstin, dhe mezi presim ta permirësojmë më tej ligjin me sugjerimet e vyera të Komisionit të Venecias”.
Mbetet i paqartë nxitimi i shumicës për të kaluar me urgjencë këtë paketë, në një kohë kur dhe nga institucionet ndërkombëtare është theksuar se kthimi pas i ndryshimeve ligjore nga presidenti Meta duhet të shfrytëzohet si një mundësi për të bërë përmirësime.
Përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin, Harlem Desir, bëri të qartë javën e shkuar, përmes një deklarate, se “asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit”, duke theksuar se shpresonte se”rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Zoti Desir u shpreh gjithashtu se ishte “i gatshëm të punoj me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjeseve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar”. Më herët kryeministri dhe përfaqësuesë të lartë të shumicës kishin këmbëngulur se varianti i votuar në parlament kishte part miratimin “100 përqind” të OSBE-së.
Të martën ndërkohë, dhe Komisioni europian ju përmbajt qëndrimit të vet kritik. “Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen trajtuar sërish. Faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, deklaroi zëdhënësja Ana Pisonero, duke shtuar se “ne mbështesim rekomandimet e Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetëregullimit. Por ne e mbështesim rekomandimin për ta kufizuar rregullimin vetëm për shërbimet e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë së mediave në vend. Pra, ne mbështesim të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”.
Presidenti Meta e ktheu pas ligjin “Për mediat audiovizive”, pasi sipas tij, bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit, bie në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim, si dhe nuk është në harmoni me standartet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Presidenti Meta tha se miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtëpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias. Sipas tij, hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë. Ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike” Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave. /VOA