Njësia e Inteligjencës Ekonomike pranë revistës së njohur ‘The Economist’ publikoi Indeksin e Demokracisë. Shqipëria vazhdon të mbetet një regjim hibrid, ndërkohë që vendi ka humbur pikë në këtë indeks.
Shqipëria merr 5.89 pikë nga 10 në total, duke u renditur në vendin e 79 dhe duke humbur tre vende në renditje. Ky është niveli më i ulët i renditjes së Shqipërisë që nga viti 2014, duke provuar edhe njëherë se rënia e vendit ka qenë e vazhdueshme që kur socialistët e Edi Ramës morën pushtetin.
Shqipëria konsiderohet më pak demokratike se Ukraina, Maqedonia e Veriut, Hong Kongu dhe Serbia, raporton Exit.al.
Një regjim hibrid është ai vend që është një hap mbi regjimet autoritare, poshtë demokracisë me të meta dhe demokracisë së plotë.
Përcaktimi regjim hibrid bëhet për ato vende ku zgjedhjet kanë parregullsi thelbësore dhe ku presioni i qeverisë mbi opozitën është i zakonshëm.
Korrupsioni është shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit është i dobët. Gjyqësori nuk është i pavarur dhe media është nën presion.