FITIM ZEKTHI*
Në Europë dhe vende të tjera të botës ka kohë që ka një rikthim të diskutimeve mbi marksizmin dhe komunizmin. Shumë parti po u japin ngjyra shumë komuniste programeve dhe gjuhës së tyre etj. Ka një gjallërim të këtyre diskutimeve dhe popullarizimit të këtyre ideve sidomos pas krizës së madhe financiare të vitit 2008, një krizë e cila pati pasoja gati kudo, pasoja që ende vijojnë në forma të ndryshme. Krahas autorëve marksistë, që flasin për nevojën e një rendi të ri ekonomik dhe politik, që flasin për rënie të kapitalizmit dhe rrënim të demokracisë, që i shohin idetë komuniste si më të mirat për shoqërinë, edhe shumë parti politike në Europë dhe vende të tjera po i brendësojnë këto terma. Kështu, Partia Laburiste, e drejtuar nga Jeremy Corbyn, është zhvendosur më majtas sesa ajo më parë; ishkomunistët e Die Linke në Gjermani janë rritur; në Itali, Lëvizja “Pesë Yjet”, që ka një frymëzim pak a shumë marksist, është partia e parë; në SHBA, kandidati demokrat, Bernie Sanders, është zhvendosur shumë më majtas sesa ka qenë dekadat e fundit Partia Demokrate; në Francë ka fuqizim të ngjyrave marksiste të Jean Luc Melenchon dhe të tjerëve në spektrin e së majtës etj
Sigurisht, edhe në Shqipëri ka njerëz që janë pranë këtyre qëndrimeve, ka grupime të rinjsh apo grupime të reja që nisin si OJF, që vijnë nga OJF-të të cilat rimarrin këto ide me ngjyrime komuniste apo marksiste, që vijnë nga Europa apo SHBA, por më shqetësues duket se është një lloj rikthimi tjetër i komunizmit.
Shqipëria, e cila ka vuajtur nga një diktaturë e tmerrshme komuniste, nga një regjim që ushtroi gjenocid mbi kundërshtarët, që hapi kampe përqendrimi, që terrorizoi me anë të Sigurimit të Shtetit për dekada popullin, nuk mund të joshet nga idetë komuniste, nuk mund të shohë tek ato asnjë zgjidhje, nuk mund të ketë asgjë që vendi ynë nuk di mbi komunizmin.
Megjithatë, duket se vendi dhe populli ka rënë në kllapi dhe nuk arrin të kuptojë se, qetësisht, në vend po ndodh një formë tjetër e rikthimit të komunizmit, ndryshe nga sa ai po shfaqet në vende të tjera. Në Shqipëri po normalizohet rikthimi në detyra të larta i njerëzve të regjimit komunist, madje i njerëzve që vinin nga strukturat më kriminale të tij, nga Sigurimi i Shtetit, nga Hetuesia dhe nga Ministria e Brendshme.
Shkrimtari i njohur, një nga prozatorët më të mirë të letërsisë shqipe, Agron Tufa, i cili ishte drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit, u detyrua të largohet nga vendi si pasojë e kërcënimeve që mori vazhdimisht nga njerëz të lidhur me regjimin e vjetër komunist apo edhe me “regjimin” e ri. Përpos shumë e shumë të vërtetash të mëdha që ka thënë Instituti i Krimeve të Komunizmit, përpos shumë të vërtetash që ka thënë Agron Tufa, ai kohët e fundit denoncoi me emra ngritjen në detyra të larta të njerëzve që vinin nga regjimi i vjetër komunist. Një nga këta njerëz që denoncoi Agron Tufa ishte edhe kryetari i Prokurorisë së Posaçme SPAK, që është sot ndoshta zyrtari më i rëndësishëm në Shqipëri dhe “shpresa” e vetme se diçka mund të lëvizë për mirë. Agron Tufa botoi një dokument që tregonte se kryetari i SPAK-ut ka qenë hetues i kohës së komunizmit dhe ka dënuar dy të rinj në vitin 1990 se donin të arratiseshin nga Shqipëria.
Si rasti i kryetarit të SPAK-ut, Arben Kraja, ka shumë e shumë të tjerë. Është kryetari i KED-it, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, që ka qenë gjithashtu hetues i regjimit komunist. Është anëtarja e KLP-së, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Nurihan Seiti, që ka qenë prokurore e regjimit komunist. Është Bujar Sheshi, anëtar i KLP-së që ka qenë hetues i regjimit komunist. Është Fatmira Luli, anëtare e KLD-së, Këshilli i Lartë Gjyqësor, ish-gjyqtare e regjimit komunist. Këto janë vetëm disa emërime apo ngritje në detyrë kohët e fundit në organet më jetike të jetës së vendit. Nuk po përmendim këtu ata që janë familjarë drejtuesish të lartë të regjimit komunist familjarë njerëzish të lidhur me krimet e regjimit të djeshëm.
Ka gati 7 vite që vijon një proces i tillë instalimi apo riinstalimi. Ish- oficerë sigurimi, ish-drejtues degësh të brendshme, drejtues komitetesh partie gjenden kudo në Polici, në shërbim informativ dhe administratën e lartë. Në mënyrë gati mizore, qeveria e Kryeministrit Rama emëroi në shator të vitit 2013 zëvendësministër të Brendshëm, dikë që ka qenë zëvendësministër i Brendshëm në kohën e regjimit komunist. Pra, 24 vite më pas ai rikthehet po në atë detyrë. Kjo qasje vazhdoi dhe paralelisht me këto emërime nisën festimet me portrete të Enver Hoxhës. Edhe nxënësit në një shkollë të Përmetit në vitin 2014 nderonin me grusht në prani të mësueses dhe drejtuesve në 5 maj. Ministrja e Arsimit, Kryeministri dhe të tjerët, kurrë nuk kanë folur dhe kurrë nuk i kanë dënuar këto akte që janë shfaqur çdo vit. Gjithashtu ka pasur dekorime të funksionarëve të lartë të komunizmit. Pak ditë më parë u dekorua nga Bashkia Dibër edhe Haxhi Lleshi. Kryetarët e Bashkive në Berat, Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Gramsh, Fier nuk lënë idiotësi me ‘krijim batalioni” apo me “krijim çete” pa bërë festime, pa trumbetuar “trimërinë e rrallë” në luftë të veteranëve dhe pa shfaqjen e portreteve të Enverit.
Presidenti Reagan u shpreh në vitin 1961 (nuk ishte zgjedhur ende president) se “liria është vetëm një brez larg zhdukjes. Ne nuk ua përcjellim atë fëmijëve tanë përmes venave të gjakut. Për të duhet të luftohet, ajo duhet mbrojtur dhe përcjellë brezit tjetër, në mënyrë që edhe ai të bëjë të njëjtën gjë”. Shqipëria, sigurisht që nuk zhvilloi kurrë një proces të qartë dekomunistizimi, nuk u penguan të ushtronin detyra të larta shtetërore njerëz të lidhur me krimet e komunizmit, njerëz që vinin nga ish-Sigurimi i Shtetit dhe organet e dhunës.
Megjithatë, në vitet 1992-1997 u bë një ligj. Kishte një atmosferë të fortë kundër kësaj kategorie njerëzish. Ishte e pamundur që të shihej si normale që një hetues i regjimit komunist të mbante detyrë të lartë shtetërore. Edhe kur kishte raste të tilla, dihet që askush nuk e shihte si normale apo që kjo të kthehej në normë
Pas vitit 1997 pati një rehabilitim të plotë, pati rikthim të këtyre njerëzve kudo në institucione, por kurrë kjo gjë nuk u pranua si normale në shoqëri, madje kishte një komision që drejtohej nga Nafiz Bezhani, i cili verifikonte figurat (qoftë edhe sa për sy e faqe).
Partia Socialiste, e drejtuar nga Fatos Nano, dallohej për një dominim nga njerëz të majtë, zyrtarë, intelektualë apo funksionarë periferikë të Partisë së Punës, por nuk dukej se kishte ndonjë dominim të madh të familjeve të larta të regjimit komunist apo të njerëzve që vinin nga ish Sigurimi i Shtetit apo nga Hetuesia.
Ardhja e PD-së në pushtet në 2005 nuk mundi ta ndryshojë gjendjen, megjithë përpjekjet dhe një ligji lustracioni të miratuar nga qeveria Berisha, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gjërat ishin konsoliduar, kishte mjaftueshëm njerëz të Partisë Socialiste, disa prej tyre njerëz të lidhur me regjimin komunist dhe me ishSigurimin e Shtetit, të cilët nuk lejonin më një ligj lustracioni.
Qeveria Rama apo Partia Socialiste e Ramës ndryshonte thuajse në mënyrë paradigmatike me atë të qeverisë dhe Partisë Socialiste-Nano dikur. Në qoftë se partia e drejtuar nga Nano dominohej nga njerëz që vinin nga bota intelektuale ose njerëz që vinin nga periferia e Partisë së Punës, si profesorët Meidani, Hajdaraga, Lakrori, Islami, Meksi, apo intelektualët që kishin qenë në periferi të Partisë së Punës, si Dokle, Bufi, Angjeli etj.,(përjashtim bënte vetëm Ruçi, i cili ishte thjesht një aparatçik, ndoshta dorëzani i Partisë së Punës), Partia e drejtuar nga Rama u largua ngadalë nga kjo kategori dhe shkoi drejt njerëzve të lidhur ose që vinin nga familje më në zemër të regjimit komunist. Paralelisht, edhe njerëzit që vinin nga strukturat kriminale të hetimit dhe Sigurimit të Shtetit u afruan pak më shumë.
Në terma ideologjikë, Partia Socialiste e drejtuar nga Rama largohej nga socialdemokracia, bëhej më pak e majtë dhe shkonte drejt social-liberizmit, ndërsa në njerëz ajo bëhej shumë më enveriste. Duket si paradoks, por ndoshta ky largim nga e majta socialdemokrate (të paktën në gjuhë, sepse në thelb kurrë nuk ka ndryshuar asgjë) ishte një mënyrë më e mirë për të shkuar drejt grupimit në kupolën e partisë së njerëzve, që ishin shumë më afër me nomenklaturën dhe me strukturat kriminale të regjimit.
Kështu që, gjatë tetë viteve në opozitë, PS-ja e Ramës e konsolidoi këtë qasje të re duke u zbrazur gati plotësisht nga ishprofesorët që e drejtonin dikur PS-në dhe duke shkuar te njerëz të familjeve të lidhura drejtpërdrejt me regjimin komunist.
Në mënyrë diabolike, qeveria Rama filloi një proces gjoja të kujtimit të viktimave të komunizmit, duke ndërtuar ambiente ku estetizohej diktatura dhe krimet e saj. Një nga mënyrat më të mira për ta normalizuar një krim është estetizimi i krimit, thotë Alan Charls Kors i Universitetit të Pennsylvania-s . Njerëzit do ta shohin të shkuarën si vepër arti, si objekt estetik, si vëzhgim i lirë kureshtar dhe nuk do të hyjnë kurrë në thelbin e asaj që ajo ka qenë. Estetizimi bën neutralizimin moral të krimit dhe të qëndrimit të shoqërisë ndaj autorëve të krimeve.
Në të vërtetë, kjo gjë ndodh. Njerëzit, nxënësit, pensionistët dhe kushdo shkon në këto ambiente, nuk del prej tyre me ndjenjën e neverisë për krimet, nuk del prej tyre me ndjenjën e vetëdijes së thellë se shpirtra njerëzorë janë masakruar dhe se këto krime kanë autorë, të cilët i detyrohen një falje kombit dhe i detyrohen largim nga drejtimi i vendit. Kështu u bënë disa bunkerë, u bë “Shtëpia me gjethe”, të cilët janë saktësisht “estetizim i krimit”.
Si në rastin e “paradoksit” të zhvendosjes nga socialdemokracia dhe afrimit në drejtimin e partisë të njerëzve të familjeve të nomenklaturës dhe të strukturave kriminale të regjimit, edhe këtu kemi shfaqjen e një “paradoksi” tjetër. Ndërtohen ambiente, bunkerë që kujtojnë viktimat (gjë që Nano nuk e bëri) për të treguar se kemi të bëjmë me një parti antikomuniste dhe ndërkohë partinë e drejtojnë njerëz që vijnë nga nomenklatura dhe lidhjet me strukturat kriminale të saj.
Kjo taktikë u ndoq edhe me ngritjen e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Ky autoritet nuk ka qëllim që t’u tregojë shqiptarëve njerëzit që vijnë nga ish-Sigurimi i Shtetit, që janë deputetë, ministra, zëvendësministra, drejtorë në Polici, drejtorë në SHISH, gjyqtarë dhe prokurorë etj., përkundrazi, ky Autoritet ka për qëllim të krijojë “paradoksin”, pra të tregojë se Partia Socialiste është më antikomuniste sesa ajo e Nanos dhe ndërkohë, njerëzit e nomenklaturës drejtojnë dhe njerëz të ishSigurimit të Shtetit janë kudo në institucione.
Përballë fakteve shoqëria duket e heshtur, media dhe opinionistët duken pa fjalë. PS dhe Rama ia kanë dalë ta bëjnë normale atë që dikur mund të ndodhte, ka ndodhur, por nuk ka qenë kurrë e pranuar si normale. Duke u normalizuar kthimi apo rikthimi i njerëzve të lidhur me këto struktura kriminale okulte, vendi bie pa kuptuar në një skllavëri të plotë ekonomike dhe politike.
Eduard Herman thotë se shumica e regjimeve totalitare nuk bëjnë dot pa normalizimin e asaj që quhet e pamendueshme ose që dikur ishte e pamendueshme. Kjo bëhet duke e ndarë procesin në pjesë, duke e shkëputur secilën pjesë nga gjykimi moral. Siç ndodh për shembull me mbytjen e hebrenjve në dhomat e gazit apo me masakrat në kampet e komunizmit. Njëri i dërgon në tren, një tjetër drejton trenin, një tjetër i pret, një tjetër i çon në korridor, një tjetër i fut në një dhomë, një tjetër shtyp butonin e gazit, një tjetër tërheq trupin etj., etj., dhe kështu procesi normalizohet dhe askush nuk e sheh këtë si një llahtari dhe krim të urryer. Edhe me rikthimin masiv të ishsigurimsave, ish-hetuesve dhe të njerëzve të kupolës së Partisë së Punës, kjo gjë ka ndodhur.
Milan Kundera thotë se lufta ndaj pushtetit është një luftë e kujtesës mbi harresën. Në qoftë se nuk ka luftë të kujtesës me harresën, në qoftë se nuk ka luftë për të mbajtur mend përkundër harrimit, atëherë nuk ka luftë kundër asnjë pushteti. Atëherë jemi thjesht skllevër. Nuk është fare habi që një ditë Edi Rama apo Erion Veliaj, po të mundin, do të thërrasin njerëzit të prishin xhamitë dhe kishat apo të demaskojnë armiqtë e partisë dhe të popullit. Qëndrimet antifetare të Ramës janë të njohura dhe thirrjet për të demaskuar opozitën si pengesë në “ndërtimin e vendit” gati janë normalizuar.
Nuk është çudi që një ditë Rama dhe Veliaj të dalin dhe të thonë se prona duhet të jetë e gjitha shtetërore, apo se Partia Socialiste ka “rolin udhëheqës” e vetme. Kur u miratua në Parlament dekreti i Presidentit Meta për ministrin e Jashtëm (Edi Rama), Kryeministri Rama tha tekstualisht: “Sa të jetë PS-ja, nuk do të vijë kurrë në pushtet PD-ja”.
Ajo që ka thënë Presidenti Reagan, se liria është vetëm një brez larg zhdukjes, përshkruan plotësisht gjendjen në vendin tonë.
*Pedagog, Shkenca Politike