Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, në një takim në Romë me Presidentin e Dhomës së Deputetëve në parlamentin italian, Roberto Fico, takim pas të cilit patën edhe një konferencë të përbashkët shtypi, konfirmoi qëndrimin e mëhershëm të Austrisë për të mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Sa i përket projektit të paqes për të cilin punon Evropa, ai nuk mund të përmbushet nëse nuk bëjnë pjesë në të edhe vendet e Evropës Juglindore, kështu që mendoj se është e rëndësishme edhe aty të ndërmarrim diçka, e dua të them që ne jemi në të njëjtën gjatësi vale. Në fakt, si unë, si president i parlamentit austriak, ashtu edhe presidenti i dhomës italiane të deputetëve, do të vizitojmë Shqipërinë për ta bërë të qartë rëndësinë e këtij vendi”, deklaroi Sobotka nga Italia.
Më herët, z. Sobotka ishte shprehur se bllokimi i negociatave për procesin e anëtarësimit dëmtonte perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe besueshmërinë e vetë Bashkimit Evropian.