Një apel për Adi Krastën

Hënë, 09 Mars 2020 16:23

Adi Krasta është një figurë që në të gjithën e tij, reklamon atë që njihet si historia moderne e medias shqiptare mes mikrofonit dhe kufjes në radio e mandej fytyra idilike e gypit katodik që me kohën u transformuar në plazmë.

Të dalësh në ekran, të komunikosh në radio, të komunikosh në publik duke ruajtur të njëjtën staturë të pacënueshme të profesionalizmit, të gjithë përfaqësimit të publikut që i drejtohesh. Të jesh gazetar, moderator, artist i fjalës në të njëjtën kohë Adi Krasta e ka në atë lëkurën e tij thatime që nuk rrudhet e nuk plaket që prej ditës kur ai u shpërfaq para shqiptarëve në transmetimi i parë televiziv ‘Letërsia dhe reflekset e saj në art’.

Që prej asaj kohe Adi Krasta ka rrugëtuar përmes një shtegu të guximshëm të kumtimit të mesazhit publik, për ti ofruar shqiptarëve letërsinë, baletin, artin, muzikën, garën e talenteve, e sëfundmi atë që është më e rëndësishmja vetëdijen qytetare.

Atë vetëdije që përmes presionit, pushteti uzurpues, zvetënues e banditesk po mundohet dita-ditës ta shkelë, ta përbuzë e derisa ta mbysë!

Por Adi Krasta nuk pajtohet.

Dy netë më parë, thatimi më i dashur i ekranit të shqiptarëve u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar duke shënuar si rrallë herë praninë e një figure publike jo domosdoshmërisht aktor i një shfaqje regjisoriale të punuar prej muajsh për një publik artdashës.

Hë’ë! Krasta ishte pardje një-njeriu-shfaqje i një kumti më të madh. Ishte demantuesi i një maskarade të orkestruar me regji dhe skenar pushtetin zaptues e monstruoz që për 5 aspra i është turrur me drapër e çekan të paktës ndërtesë pro-perëndimore të ansamblit arkitekturor ‘Scanderbeg’ që ish mbreti ynë projektoi për Tiranën moderne.

Qëndresës gati dy-vjeçare të artistëve të pablerë e jo në shitje që refuzojnë planin ogurzi rokadës Teatër Kombëtar për torrë, nuk mund ti mungonte oficeri goxha-burrë Krasta. Dhe kur kauza thërret, Adi gjithmonë përgjigjet. Në çdo kohë, përballë çdo pushteti e gjithmonë për të njëjtin publik…, qytetarët shqiptarë. ‘…sepse Teatri Kombëtar është atdheu’-thirri Krasta në fund të monologut të tij.

Një ‘atdhe-televiziv’ për Adi Krastën

Adi Krasta foli parmbrëmë për nocionin më abstrakt dhe kuptimplotë që një popoull pajtohet në çdo kohë me marrëveshje fjale e zemre! Atdheu…! Por nëse i hedhim një shikim të thjeshtë kohës dhe hapësirës në raport me Krastën dhe ‘atdheun’ e tij që është televizioni, shohim që toka e tij ku i ka rënë koka e diç më pak flokët nuk ia mundëson prej më shumë se një viti një vend pikërisht atij. ‘O tempora, o mores’-psherëtihet në latinisht.

Televizioni shqiptar rezervon orare të ‘kohës së parë’ për lloj lloj rrëmbythje anti-televizive, për gjithëfarë trupash pa mënd e gjokse e bythë e që s’kanë bythë të thonë asgjë, e që në të njëjtën kohë kanë zëvendësuar Krastën, ‘malin e ekranit’ me djerrina pa bereqet e identitet. Pse kjo qenka Shqipëria? Pse këtu mbërritëm ne në rrugëtimin 29 vjeçar gjoja drejt demokracisë? Mesa duket PO!... Por le të lëmë llafet e të flasim për punën.

I dashur Adi!

Ne që po të shkruajmë, jemi një grup gazetarësh të cilët kemi vendosur të hapim një ekran të ri televiziv që është pagëzuar SYRI TV.

Ne ndoshta nuk kemi paratë që meriton për të hapur gojën e për rrjedhur që aty mendjen tënde që ta duam e ta vlerësojmë.

Por ama ne pretendojmë dhe do të punojmë fort e të mundësojmë që tij të kesh ‘atdheun’ tënd televiziv. Këtu në Shqipëri, aty ku ti e meriton. Jo se nuk e duam Kosovën, por mendojmë se ti më shumë se kurrë duhesh sot në Shqipëri.

Në atë Shqipërinë ku kur ti flet, dikush atje shumë lartë apogjeun që po shkërmoqet, acarohet, djersitet, bjerret, neuronet e kontaminuara me aksh stuperfacent e braktisin më shpejt. Sepse ne besojme se në varfërinë e tejskajshme televizive që ka pllakosur këtë tokë, ne nuk e kemi luksin që të mos e kemi Adi Krastën në ekran.

SYRI TV mundet ta bëjë këtë. SYRI TV duhet ta bëjë këtë…, SYRI TV do ta bëjë këtë.

E pikërisht sot ne po të adresojmë një thirrje publike nën vellon e një propozimi me ‘unazën e besnikërisë’ së angazhimit tonë, të vetmen që mund të të ofrojmë e te vetmen që kemi në dispozicion, ‘FJALËN E LIRË’!

Adi Krasta, a do të na bashkohesh NE?!....

Login to post comments