Prec Zogaj: Arrestimi dhe lirimi i Çilit nga gjykata, disave ne segmentin prokurori-polici ju ka shijuar ta shohin me pranga mes disa spaçatorëve të vegjël

Diel, 08 Mars 2020 13:53

Preç Zogaj

Nuk i kam besuar akuzat kundër Henri Çilit kur ‘plasi’ lajmi dhe aq më pak i besoj tani kur në një seancë gjyqësore për masën e sigurisë jemi njohur me përmbajtjen e tyre.

I mbetet gjithnjë gjykatës të japë vendimin përfundimtar. Jam në mënyrë konstante për zbardhjen e çdo dyshimi apo akuze nga Çili që e kam mik dhe kujtdo tjetri.

Kjo nuk më pengon të pohoj me indinjatë të ligjshme se dikujt apo disave në segmentin prokurori-polici u ka shijuar të fotografojnë me pranga në duar mes disa spaçatorëve të vegjël të një province, qoftë edhe për një video njëpërdorimshme, një punëdhënës të madh si Henri Çili, themeluesi dhe pronari i universitetit më të madh në vend, që ka investuar dhe investon si pakkush në fushën delikate të dijes, edukimit, botimeve, letërsisë, gazetarisë, etj.

Kam përshtypjen se dikush ka konfonduar punët e “ndyra” të një studioje të ligjshme avokatie (në fakt profesioni i avokatit është një nga më fisnikët dhe drejtësia përmbushet me trekëndëshin akuzë-mbrojtje-gjykim) me ‘shfaqje të huaja’ të periudhës komuniste, me konceptet dhe praktikat enveriste për drejtësinë pa mbrojtje. Pastaj e kanë marrë në dorë punën zyrtarë dhe shefa të ndryshëm të sistemit, ndoshta me mendimin se ‘për Henrin nuk na thonë gjë’. Por, mund të ketë më shumë se kaq. Do të ndjekim procesin.

Kjo është vepra penale? Kjo është çështja. Të tjerat, me sa kemi parë, janë thjeshtë manifestime të mendimit antikapitalist. Çili siç e kam thënë në reagimin e parë, megjithëse botues dhe figurë e njohur publike, nuk ka marrë e nuk merr përsipër asnjë qindarkë nga burime të tjera veç biznesit të tij.

Asnjë tender, asnjë sponsorizim nga shteti, asgjë. Për të mbuluar sa të jetë e mundshme investimet në fushën e botimeve, çmimeve lektrare dhe promovimit të ideve liberal-demokratike, që në Shqipëri zakonisht janë me humbje, ai me sa shihet, ka mëndur të zgjerojë gamën e bizneseve të ligjshme. Studioja e avokatisë është biznes i ligjshëm. Më e ndershme se sa të dalë duke “lypur” si sekser në tendera dhe benefite nga pushteti apo ajo?

Fjalë e mbajtur në rubrikën “Pikantet e Javës”, në emisionin “Java në RTSH”.

 
Modifikuar më Hënë, 09 Mars 2020 11:27
Login to post comments