Na trego planin tënd Ramë; je kryeministër, jo `gjyshi` që tremb me Gogolin!

E Enjte, 19 Mars 2020 15:22
Nga Poli Hoxha  
 
 
Kryeministri Edi Rama, ashtu siç ka bërë gjithë këto ditë, u shfaq sërish në disa studio televizive si një avion që hedh fletushka sensibilizuese nga ajri.

E dëgjova me vëmendje dhe të them të drejtën, më pëlqeu kur këmbëngulte për ndërgjegjësimin që duhet të ketë çdo shqiptarë; jemi të gjithë në rrezik jete pa përjashtim moshe, pushteti e pasurie. I qetë, lutës e përgjërues deri në momentin kur e pyesnin;

Çfarë plani konkret financiar ke për këtë situatë; a vlen dhe do ta shqyrtosh atë të opozitës; a do ti rishikosh koncesionet e shumta në këto kohë lufte, siç e thua edhe vetë se jemi?

Dhe ky është momenti, kur Rama shpërthen më keq se ç`bëri virusi në Whan. Shpërfytyrohet, fyen opozitën e bën për një qindarkë Enin `e shkretë`, për pyetjet-hall që ajo i përcillte nga populli. Pastaj nxjerr nga xhepi një tufë me letra, të mbushura plot me shënime.

Mendova se më në fund nxori `Planin`, dhe do të na i përplaste në fytyrë. Por jo, kishte me vete një listë të gjatë me koncesionet e tij. Pasi mori një pamje gjynahqari, i lexoi një nga një:

`Hë Rakipllar, do ti që të operohen shqiptarët prapë me sharra të ndryshkura si në kohën e partizanëve; do ti që të mbushet Shqipëria me male me plehra; do ti që të mos ketë shkolla të reja në Tiranë...?!`.

Pastaj nja 10-15 minuta u morr me të vetmin koncesion të “lig”, i cili ishte bërë që në kohën kur opozita e sotme qeveriste. Por kur Eni Vasili, (të cilës si duket nga `kujdesi i tepruar` në këto kohë flame i ishte fikur zhdërvjelltësia e zakonshme, që pa ju futur Rama në studio), i kujtoi se jemi “në luftë” jo me opozitën, por me virusin; se ai është kryeministër e duhet të sqarojë shqiptarët se çfarë plani ka (nëse ka) përtej; `Ndalohet qarkullimi...`, ai transformohet.

Turfullon dhe kërcënon...por ta kalojmë, sepse nuk ka ndonjë gjë të re në këtë sjellje të Edi Ramës. E reja është se as kjo pandemi që po riformaton gjithë botën dhe mendjen njerëzore, nuk paska gjasa që të ndryshojë kryeministrin tonë. Dhe ky ishte shansi i fundit dhe rasti më ekstrem për të reflektuar, ndaj të gjithë që keni pasur dilema kthjellohuni sepse ai është i programuar, vetëm për të bërë atë që ka bërë që kur kapi pushtet...    

Prandaj vazhdon avazin, duke refuzuar që të bëjë transparencën dhe gjendjen reale për kapacitetet që ka qeveria e tij për të përballuar një situatë në rast agravimi të epidemisë në vendin tonë. Të bëjë në fund të fundit, atë që po bëjnë të gjithë vendet e botës në këtë kohë; të pasuar a të varfër qofshin.

Shqiptarët ende nuk e dinë, se sa teste kemi fuqi që të realizojmë tani e në rast shpërthimi më të madh; sa personel mjekësor, sa shtretër, sa respiratorë, sa kostume mbrojtës, sa spitale në vend mund të konvertohen në shërbim të situatës, etj, etj.

Shqiptarëve nuk u thuhet, se sa e ka limitin në financa dhe resurse të tjera vendi ynë, për ti vërë në dispozicion të një skenari edhe pak më të keq se ky që kemi tani.

Sepse nëse përsëritet “Italia shqiptare”, Zot na ruaj!

Ajo që kryeministri këmbëngul me të drejtë është rruga e masave drastike të vetë-mbylljes së popullatës në shtëpi, me synim këputjen e zinxhirit të infeksionit dhe uljen sa më shumë të rrezikut që sistemi ynë shëndetësor të kalojë në kolaps. Fakti është, se askush nuk i ka dalë kundër për këtë.

Këto masa ekstreme dhe penalitete të forta janë mirëpritur pa bërë zë nga shqiptarët, por nga ana tjetër në këtë situatë nuk mjafton vetëm izolimi dhe kamxhiku i shtetrrethimit e gjobave të rënda. Ky është thjesht një plan që na detyron të sëmuremi me radhë, siç thotë me të drejtë edhe Ylli Rakipi.

Por njerëzit kërkojnë, në mos garanci fundore nga një shtet që të gjithë e dimë se është `prej kartoni`, (siç edhe e tregoi në të gjithë dimensionet me rastin e tërmetit të madh), të paktën një transparencë dhe të vërtetën e asaj që jemi, e kemi në të vërtetë. Nuk është mëkat që të thuash, se jemi të varfër dhe të pafuqishëm përball kësaj flame botërore. Mëkat, faj, papërgjegjshmëri e madje krim është, që të drejtosh vendin me propagandë dhe imazh kur virusi është një bombë reale jo vetëm kundër jetës që kemi, por edhe të ardhmes.

Nën alarm të padëgjuar që nga lufta e  Dytë Botërore janë edhe të gjithë vendet e zhvilluara, por udhëheqësit e tyre nuk janë mjaftuar vetëm me masa `shtet-rrethimi` siç bën ky më i gjati prej të gjithëve. Trump, Merkel, Makron e të tjerë, u janë drejtuar popujve që udhëheqin jo me fotografi të autokolonave të kamionëve të mbushur me kufomat që ka mbjellë në Itali ky virus fatal, (siç edhe guxoi e bëri Edi Rama mëngjesin e kësaj të enjteje); por duke ju treguar një plan të jashtëzakonshëm dhe të detajuar në çdo drejtim. Duke sakrifikuar jo vetëm liritë dhe përditshmëritë e qytetarëve të tyre, por edhe financat dhe pasuritë që nuk kanë kuptim në këtë kohë anormale.

Po ju bëjnë thirrje dhe po detyrojnë nënshtetasit e tyre që të mbyllen në shtëpi, por nga ana tjetër edhe po i njoftojnë se po i përshtatin financat dhe buxhetet e shteteve që drejtojnë në funksion të situatës dhe mbijetesës, jo vetëm fizike.

Kryeministri i Shqipërisë po i bombardon shqiptarët me fjalën `luftë`, 24 në 24 orë, por kur opozita i lë mbi tryezë një plan të detajuar emergjence financiar, të bazuar në pezullimin e shumë koncesioneve absurde (ishin të tilla edhe para koronavirusit), hidhet përpjetë dhe kundërsulmon me gjuhën e vetme që ai di; stigmatizim dhe tallje.

`Luftë, luftë, luftë…`, na thotë nga mëngjesi deri në darkë, por deri më tani në luftë janë vetëm shqiptarët e thjeshtë, që nuk mund të shkojnë në punë e në shkollë. Janë të gjithë ata që kanë ulur qepenat e dyqaneve dhe të tjerë që nuk e dinë se a do të paguhen për punën që humbën me rastin e ngujimit me qejf, a me dhunë shtetërore. Ata që nuk e nuk e dinë se ku do të gjejnë paratë për të jetuar nëse kjo flamë botërore zgjat aq gjatë, sa paralajmërojnë ekspertë të njohur ndërkombëtarë.

Mbi të gjitha janë në luftë mjekët dhe personeli në ndihmë të tyre, për të cilët mbahet sekret se kanë kushte speciale për këtë rast, apo jo. Të mos flasim pastaj për stresin dhe depresionin kolektiv, me të cilin nuk po merret askush.

Na citon Edi Rama nga fjalimet e presidentit Trump, Merkel e Makron fjalën `luftë` që ata po përdorin me të drejtë këto kohë, por kur i thonë se ata kanë vënë kaq e aq financa në dispozicion të kësaj lufte brenda vendeve të tyre, e ka përgjigjen në majë të gjuhës; Shqipëria nuk është Gjermani e Francë!

Të gjithë e dinë që nuk jemi as Gjermani e as Francë; por dimë edhe se qeveria që na drejton nuk po bën asgjë tjetër, përveç punës së xhandarit. Të paktën të imitojë shtetet në rajon si Greqia, Maqedonia e Veriut apo Serbia e mikut të tij Vuçiç.

Dimë gjithashtu, se ndërkohë që financat e vendit vazhdojnë të vidhen pa mëshirë, për kryeministër kemi një `gjysh` që bën enkas si gërnjar, me të vetmin plan;

Mbylluni në shtëpi, se ka ardhur gogoli!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...