Gazeta Panorama ka publikuar sot lajmin e përgjimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Policia e Shtetit, pak orë më pas, e përgënjeshtroi lajmin si të pavërtetë. A është përgjuar kryetari i opozitës apo ka qenë një lajm i pakonfirmuar i gazetës Panorama?
Më datë 17 maj, një burim ka kontaktuar Politiko.al duke konfirmuar një prani të shtuar dhe të çuditshme personash pa lidhje me Partinë Demokratike rreth orës 19 të mbrëmjes. Sipas burimit këta persona, rreth 10 vetë, qarkullonin në dy trotuaret përballë selisë blu. Ata uleshin në stolat përballë në breg të Lanës apo bënin ecejake në perimetrin që kufizon selinë e Partisë Demokratike.
Politiko nuk i dha rëndësi lajmit duke e konsideruar ‘trafikun’ e shtuar përballë PD pjesë të kureshtjes për zhvillimet intensive politike, apo një rastësi. Tri ditë më pare, më 14 maj, ‘dëshmitari X’ kishte ‘folur’ nëpërmjet një materiali audio, që u bë publik për herë të parë në mjediset e PD me praninë e Bashës.
Nën dritën e publikimit të lajmit të Panoramës, Politiko e sheh me interest ë ri praninë e atyre që mbrëmjen e 17 majit u dyshuan si ‘policë civilë’. Qëllimi i Policisë ka qenë pengimi me çdo mjet i dëshmive të Albert Veliut dhe, duke dyshuar për kontakte të ‘dëshmitarit X’ me kryetarin e opozitës, përgjimi duhet të ketë qenë ideja e pare në kokën e strukturave policore të drejtuara nga ministri Xhafaj, vëllai I të cilit ishte personazhi tjetër i audiopërgjimit të Veliut.
Sa i takon përgënjeshtrimit të Policisë, në asnjë rast nuk pritej që blutë të thoshin “po, e kemi bërë ne përgjimin’. /Politiko/